E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kullat e Dervish Aliut, një lavdi e mykur në harresë

Tri kullat e ftohta lavdindjellëse ngrihen krenare poshtë malit të Paliskës, në krye të fshatit Dukat i Vjetër, 5 kilometra larg bregdetit të Vlorës. Deri në zemër të këtij fshati apo tek Rrapi i Burrave, siç e quajnë banorët, të shoqëron një rrugë gjarpëruese e sapondërtuar. Por komoditeti mbaron këtu, sepse për të mbërritur tek e vetmja shtëpi-muze në të gjithë Labërinë, duhet të mendohesh mirë. Një palë këpucë rezistuese, ndonjë shkop i fortë për tu mbështetur dhe një shishe me ujë të mbushur tek kroi i fshatit, duhen përdorur për të të lehtësuar disi rrugën. Një e përpjetë sfilitëse të pret ndërsa ngre kokën për të parë shtëpinë-muze që qëndron stoike rrëzë malit, në krye të fshatit.
Si rrugë shërben një rrëke e krijuar nga shirat e dimrit në këtë shpat, që i ngjan një zgavre të dhimbshme, nga ku, përmes shkurreve shkohet drejt kullave të Dervish Aliut, kulla të cilat muzeologët i kanë vlerësuar si më me vlera për të gjithë krahinën. Përreth nuk ka njeri. Një tufë e vogël delesh që kullot në brinjën përballë, lëviz e frikësuar, sepse në këto anë as ato nuk shohin shpesh njerëz. Tashmë ndodhemi në këmbë para kullave të gurta të Dervish Aliut. Një mur rrethues, mbi 2 metra i lartë, na pengon për të parë në brendësi të muzeut. Porta kryesore prej druri është e kyçur me një dry të stërmadh, që mban lidhur kanatat e portës kryesore përmes një zinxhiri të trashë e të ndryshkur. Në krye të derës së drunjtë, mbi një shirit prej buke peshku, është shkruar një numër telefoni. Intuita më thotë se mund të jetë kontakti i dikujt që kujdeset dhe mirëmban kullat e Dervish Aliut. Dikush në anën tjetër të telefonit tregohet menjëherë i gatshëm për të ardhur. Ndërsa presim mirëmbajtësin e muzeut, vëmë re poshtë portës së kullës, rrezet e ngrohta të diellit në këto ditë të dimri ndriçojnë një objekt gjysmë të shkatërruar. Duket si një furrë buke, e cila ka qenë e ndërtuar prej balte gri. Është e madhe në përmasa për të qenë një furrë familjare. E shembur plotësisht. Ekzistencën e saj e dëshmon vetëm harku prej bakri i kapakut të furrës, i cili edhe pse i ndryshkur, qëndron i parrëzuar, si skeleti i një trupi të shkoqur. Grimcat e zeza të blozës në gurët e rrëzuar tregojnë se gratë e fshatit e kanë përdorur deri vonë këtë furrë për të gatuar produktet e tyre.
Mirëmbajtësi i kullave, një burrë rreth të 60-ave, na gjen duke deshifruar shënimin mbi një pllakë guri, përbri portës kryesore. Dhjetor 1977. Elmaz Rodaku tregon se është viti kur kullat e Dervish Aliut u shpallën shtëpi-muze dhe u morën nën kujdes nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, dega Berat.
* * *
Kapedani i fshatit, Dervish Aliu, karakterizohej nga një shpirt shumë demokrat, duke e quajtur veten të barabartë mes të barabartëve me të gjithë banorët e tjerë të Dukatit. Këtë, sipas mirëmbajtësit që bën dhe rolin e ciceronit, e tregon edhe porta e kullës, e cila është e ndërtuar në formë harku me lartësi mbi dy metra, poshtë të cilës është udha ku kalonin vëllazëria dhe fshati. Kullat janë të ndërtuara në ato pika ku mbrojtja natyrore ishte më e dobët. Lartësia e madhe e kullave bën që ato të dalin nga vëllimi i banesave të tjera, duke bërë të mundur kështu një vrojtim të mirë në kushte mbrojtjeje. Tri kullat e Dervish Aliut kanë rreth 40 frëngji dhe aty mund të luftonin mbi 200 luftëtarë, tregon Rodaku. Në tri kullat përfshihen: oda e miqve, dhoma e grave, kuzhina, divani me harqe ose veranda, kovaçhanet dhe depot. Ajo u ndërtua në vitin 1828 nga specialistë janinas, për të mbrojtur fshatin si dhe për tu shërbyer dukatasve si strehim në kohë luftërash dhe sulmesh. Ciceroni ynë tregon se në themele të kullës janë bërë kurban shtatë desh, dy prej tyre të zinj, që simbolizonin armikun, dhe pesë të bardhë që përfaqësonin miqtë dhe dashamirësit e Dervish Aliut. Në të majtë të portës në formë harku të punuar bukur nga mjeshtrit janinas, është Kulla e Trimave. Kështu është emërtuar ajo nga dervishi i fshatit, sepse në të rrinin trimat e Dukatit, që mbronin nga armiku pjesën më të madhe të fshatit. Kjo kullë ka 17 frëngji në formë rombi, ku vendosnin pushkët luftëtarët. Dy dollapë të futur në mur, si dhe i gjithë tavani i kësaj ode është punuar prej druri dhe në të janë gdhendur me brisk lule e dekore me ngjyrë të kuqe e të zezë, pra ngjyrat e flamurit kombëtar. Kulla e Miqve është e veçuar nga dy kullat e tjera, të cilat bashkohen në një divan (verandë) me harqe. Poshtë këtyre kullave ndodhet hambari i kuajve, si dhe një dhomë ku rrinte qeni. Ishte qeni-roje. Thonë se Dervish Aliu e varrosi qenin kur ngordhi, se e vlerësonte barazi me një njeri trim e besnik, mbrojtës të kullës-kështjellë, shprehet Elmazi, mirëmbajtësi i kullave. Në një nga dy kullat mbi divanin me harqe ndodheshin dhoma e grave, kuzhina dhe dhoma e fëmijëve. Në tjetrën ishte vendosur dhoma e Dervishit, e cila ka një oxhak të zbukuruar me ngjyrë të kuqe dhe të zezë. Tavani ishte i kuq me një rrip të zi dhe një lule të zezë në mes. Nga ana lindore është kulla e vrojtimit, e cila ka fushëpamje nga qafa e Golashit, nga mali i Paliskës, nga ishin dhe rrugët e mundshme të ardhjes së armikut. Elmazi tregon: Në këtë kullë-kështjellë mund të strehoheshin dhe të luftonin mbi 200 burra. Në mes të oborrit ishte vendosur një top që ua kishte marrë turqve në vitin 1828, dhe që e përdori për tu mbrojtur. Sot topi i tij ndodhet në Muzeun Kombëtar të Armëve në Gjirokastër. Poshtë kuzhinës, përmes një tuneli të fshehtë, ndodhet një bodrum, ku Dervishi kishte ndërtuar kovaçhanën e ku ndreqte armët e prodhonte barut. Në këtë bodrum, Dervishi ka prerë dhe monedha, na tregon një tjetër fakt interesant Elmazi.
* * *
Asnjëri nga krerët kryesorë të Kryengritjes së Madhe Fshatare në 1847 skishte një ndërtesë të tillë, madje dhe ato pak shtëpi zakonshme që kishin, sot janë kthyer në gërmadha. Kullat e Dervish Aliut vazhdojnë të qëndrojnë ende në këmbë, krenare dhe të pamposhtura, tashmë jo për të sfiduar armikun turk, por indiferencën dhe nënvlerësimin njerëzor. Muret janë ndërtuar me gurë të gdhendur dhe në çdo një metër lartësi të tij janë vendosur dërrasa për efekt amortizimi të lëkundjeve nga tërmetet. Sigurisht, ngritja e një fortese të tillë është shumë e kushtueshme për kohën. Sipas historianit dukatas Sherif Tava, dy janë versionet e gjetjes së parave për të ngritur këtë fortesë të qëndrueshme dhe të punuar nga mjeshtra të zotë që vinin nga Janina. Ka dy mundësi të ndërtimit të kullës-kështjellë. Së pari: ndihma vëllazërore dhe farefisi, traditë që dukatasit e kanë vazhduar deri në vitin 1945. Së dyti, ndihma që mund ti ketë dhënë vëllami i tij, pasaniku patriot nga Himara, Jani Milo, thotë Tava. Ai argumenton se hipoteza e të prerit vetë para nga dervishi i fshatit është një tezë që në fakt nuk është dokumentuar asnjëherë. Pukëvili shkruan në një nga librat e tij mbi takimin me Ali Pashë Tepelenën se Dukati ishte një fuçi baruti dhe se ky dervish furnizonte të gjithë krahinën.
* * *
Dervish Aliu, i arsimuar në Zosimenë e Janinës, u kthye në Dukat për të mbajtur shtëpinë pas vrasjes së të atit. Dervishi i Dukatit, së bashku me Rrapo Hekalin dhe Tafil Buzin, udhëhoqën kryengritjet fshatare kundër reformës së Tanzimatit. Emri i tij gjendet dhe në një letër të krerëve të Besëlidhjes Shqiptare, 1847, ku i kërkohej ndihmë mbretit Oton të Greqisë. Kryengritja fshatare, e cila kishte përfshirë të gjithë trojet shqiptare kundër sistemit të ri të administrimit dhe taksimit të kërkuar nga Perandoria Osmane, u shtyp. Pas shpartallimit të forcave të kryengritësve, Dervish Aliu u arrestua dhe u burgos në kalanë e Gjirokastrës, duke u internuar më pas në Tersanë e Stambollit. Me ndërhyrjen e konsullit francez në Stamboll, Dervish Aliu lirohet dhe vjen me ndihmën e varkëtarëve himariotë në Karaburun. Ai ishte njeri i rrallë,- tregon Elmazi. – I dëgjohej fja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›