E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kulti i udhëheqësit dhe turma!

Kulti i udhëheqësit apo prijësit, e sillte shoqërinë komuniste në konfiguracionin e antropologjisë feudale. Prijësi dhe turma. E veshur kjo me shtetin e diktaturës së proletariatit, i cili thuhej se shprehte dhe mbronte interesat e punonjësve. Nga vetë formulimi kuptohet se flitej për të drejta kolektive, dhe jo individuale të njeriut. Enver Hoxha konsiderohej si krijuesi i gjithçkaje, ndaj mendimet dhe idetë e tij njëherësh ishin urdhra dhe ligje. Veprimi kryhej pa mëdyshje dhe më tej ravijëzohej e sendërtohej si legjitimitet institucional klasor. Një kult i tillë i kishte rrënjët që nga lufta, gjatë së cilës ai u shndërrua në udhëheqësin legjendar. “Udhëheqësit e luftërave çlirimtare kanë prirje të jenë heronj dhe heronjtë në përgjithësi nuk bëjnë shokë të kënaqur”, ka vënë në dukje Henri Kissinger. Shokët e luftës dhe të periudhës pas saj, që e kundërshtuan apo shfaqën oponencë, individë të spikatur apo që gëzonin simpati në masën e gjerë, të paragjykuar prej tij se mund t’i zinin vendin apo që përgatiteshin për ndryshime jashtë logjikës së tij diktatoriale, Enver Hoxha i eliminoi fizikisht ose me heqje të gjatë lirie. Diktatori Hoxha luajti kartën se kishte gjetur një shoqëri tejet të prapambetur dhe se po krijonte një antropologji shtetërore, ku shoqëria dhe shteti ishin të njësuar. E gjithë kjo rezultoi me krijimin e shtetit totalitar dhe totalitarizmit në drejtim. “Shteti totalitar është ai, me ndihmën e të cilit partia apo ideologjia arrin totalitarizmin dhe shpreh pretendimet për ekskluzivitetin në ndërtimin politik të jetës së kombit. Shteti totalitar është mosbindje parimore ndaj koncepteve për relativizmin, që konsiston në faktin se çdo parti përmban vetëm një të vërtetë relative”. (Zhelju Zhelev, “Fashizmi dhe humbësit, shteti totalitar”, botimi shqip, faqe 23.) Proceset reale nuk vlerësoheshin si produkte mbarëshoqërore dhe pasojë e veprimtarisë së institucioneve, ashtu siç ato ishin klasore dhe ideologjike, por gjithçka gjykohej si mishërimi i ideve gjeniale të diktatorit, pasi vetëm ai e kishte aftësinë t’i lexonte dhe artikulonte detyrimet që rridhnin nga rrjedhat historike epokale. Individët e shquar që kundërshtonin, ndëshkoheshin barbarisht. Vrasja e shokëve, burgimet dhe internimet e tyre, kanë qenë shprehje të qarta të fobisë, e cila e riciklonte veten sa herë që kryhej, bile në përmasa më të gjera e më të dhimbshme. Enver Hoxha u ngrit duke i nëmur kundërshtarët e tij nga brenda burokracisë komuniste. Pretendentët mund të mos e kishin parë fillimisht si rival. Kjo mënyrë eliminimi ndihmon në grumbullimin e pushtetit. Mediokriteti kulturor mbulohej me zhdërvjelltësinë e marrjes së vendimeve. Fondamentalizmi formalist në interpretimin gjoja krijues të botëkuptimit marksist-leninist, ndihmoi në shndërrimin e ideologjisë në një instrument të kontrollit politik. Një tjetër tipar i autoritarizmit të Enver Hoxhës ka qenë ndjenja e fortë e persekutimit ndaj kundërshtarëve, për ta arritur sa më shpejt fitoren përfundimtare. Mendjemadhësia lidhej me delirin se i shërbehej së vërtetës historike të marksizëm-leninizmit. Pas asaj që E. Hoxha e quajti tradhti të revizionistëve modernë ndaj kauzës së marksizëm–leninizmit, nuk u ngurrua që me instrumente të specializuara e permanente (botime seriale dhe instrumente mediatike) të ngrihej kulti i tij, si “teoricieni krijues”, pasues i vetëm i veprës së Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit. Hutimi i antropologjisë realizohej me përdorimin e “bagazhit teorik”, të lidhur me interesat kombëtare, të cilat jepeshin qëllimisht të ngarkuara me sentimente morale apo të lidhura me ngjarje sentimentale. E gjithë kjo bëhej për të krijuar bindjen se tezat e tij ideologjike personifikonin të vërtetën historike. Në marrëdhëniet ndërkombëtare Enver Hoxha ishte dinak i paepur dhe diabolik, por edhe realist e i duruar, kur e shihte se situatat ishin tejet të ngarkuara, delikate dhe që mund të dilte i humbur. Principi aksiomatik i tij në filozofinë e sjelljes ndaj turmës ishte krijimi i një antropologjie totalisht të izoluar e të manipuluar me gënjeshtrën, se jashtë Shqipërisë ishte ferri i vërtetë dhe mbretëronte skllavëria kapitaliste. Brenda vendit krijonte përshtypjen se nuk hiqte dorë nga çështja e Kosovës; jashtë insinuonte se mund ta ndizte Ballkanin në luftë. Krekosja donkishoteske arriti majat kur flitej për luftë kundër imperializmit amerikan dhe socialimperializmit sovjetik. Në realitetin konkret jetësor E. Hoxha manipulonte mjeshtërisht, duke kombinuar “rreptësinë” në çështjet teorike ideologjike me fleksibilitetin në taktikat që ndiqeshin për çështjet praktike. E gjithë kjo, sepse masa antropologjike ushqehej me një marksizëm hoxhist që në nivelin teorik ishte një përshtatje e stalinizmit në realitetin shqiptar. Vetë stalinizmi teorik paraqiste një deformim vulgarizues të leximit leninist të teorisë së Marksit, ku pika e rëndesës mbetej lufta e klasave dhe revolucioni proletar që do të sillte rendin komunist botëror, teza këto që ishin braktisur nga vetë Karl Marksi qysh në të gjallë të tij, pas dështimit të Komunës së Parisit. Si komunist i orëve të para, një nga themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë më 8 nëntor 1941 dhe udhëheqës i Luftës Nacionalçlirimtare, Enver Hoxha e shihte pushtetin si një detyrim historik epokal. Këtë masë ai e përdorte sa herë që manifestoheshin prirje të reja, duke i paragjykuar ato dhe autorët e tyre me ardhjen vonë në skenën historike, me kohën e shkurtër në kontributin e përgjithshëm. Si të gjithë bolshevikët, edhe Enver Hoxha e konsideronte veten si ndihmës të procesit historik objektiv. Kontributi vetëgjykohej gati unikal, pasi gjoja jepej në kushte të reja që nuk ishin parashikuar as edhe nga klasikët e doktrinës marksiste. Individëve të tillë, që udhëheqin për një kohë të gjatë sisteme të tilla diktatoriale, u ndodh që, për shkak të mekanizmit autoritarist të deformohen edhe psikologjikisht. Ky shtrembërim, në aspektin e mendimit, themelin e ka te demagogjia, forma klasike e spekulimit me të vërtetën. Ndërsa, në aspektin psikik, ai merr trajtën e egomanisë. Të dyja këto deformime janë dy anë të së njëjtës medalje. Ndaj, bartësit e tyre kërcejnë në ekstreme të tilla komunikimi, ose monologë të gjatë, ose heshtjeje të padurueshme. Megalomania nxit në individë të tillë përpjekjet, të cilat kanë për qëllim që evoluimet paqësore të shndërrohen me çdo kusht në përpjekje luftarake. Egomania sjell pasoja fatale. Ajo e kishte bindur E. Hoxhën dhe rrethin e tij të bashkëpunëtorëve se, meqenëse aftësitë e tij ishin kaq unikale, të gjitha synimet e tij prej strategu do duhej të realizoheshin pa mëdyshje, mundësisht gjatë jetës së tij. Hamendjet e këtyre individëve lidhen edhe me gjendjen e tyre shëndetësore, pasi pafuqia i bën agresivë dhe mizorë. Gjendja shumë e rëndë ekonomike e pasçlirimit të vendit, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, që rezultoi me izolim nga Perëndimi kapitalist, e solli shoqërinë tonë në një antropologji të një idealizmi ideologjik dhe vullnetarizmi patriotik. Antropologjia me strukturë klasore i shërbente verbazi implementimit të një sistemi të pavotuar. Votohej për pushtetin, por nuk gjykohej për tipin e sistemit ekonomiko-shoqëror dhe thelbin e tij. Çlirimtarët shfrytëzuan “kartën e kolaboracionizmit”, për ta damkosur si antipopullor dhe tradhtar tërë sistemin që ngrihej mbi pronën private. Solidariteti i çlirimtarëve triumfoi emocionalisht mbi identitetin individual të pronarit, pavarësisht nga madhësia dhe vlera e pronës apo aktivitetit ekonomik të tij. Ndryshimet ekonomike dhe sociale të 2-3 dekadave të para të pasçlirimit, reformat e mëdha, si ajo agrare (tharja e kënetave dhe zhdukja e sëmundjeve ngjitëse), arsimore (krijimi i një sistemi nga ai parashkollor deri postuniversitar edhe me specializime jashtë vendit), strehimi (masa antropologjike filloi të banonte në banesa higjienike dhe me ujë të pijshëm), punësimi (i organizuar me pagesa dhe sistem sigurimesh shëndetësore e pensioni), zhvillimi kulturor (krijimi i institucioneve kulturore në të gjithë vendin deri tek teatrot, institutet kërkimore, akademitë dhe muzeumet), fizionomimi shtetëror i shoqërisë shqiptare (antropologji e strehuar me detyrime dhe punë e përgjegjësi tek institucionet shtetërore) e ngritën entuziazmin e njerëzve. Po takoheshin nga një popullsi fshatare e baritore, realitete që nuk ishin takuar më parë në histori. U krijua një entuziazëm që përpos anës shpirtërore kishte edhe bazë ekonomike e materiale. Kishte impakt ndryshimi, por edhe mungonte kultura social-antropologjike e komunitare për të gjykuar se ku po shkohej. Ky lloj galvanizimi në socialen që përparon dhe që hap pas hapi zbrazet nga privatja, e shndërronte njeriun, shoqërinë, shtetin dhe institucionet, të unifikuara dhe jo të ndara e të pavarura. Ato ishin të komanduara dhe të udhëhequra dhe si të tilla vetëm zbatonin porositë, programin e direktivat e partisë dhe të udhëheqjes. Kolektivizimi në pronë bashkëjetonte me kolektivizmin në mendim dhe në pasione. Vlerat dhe idealet individuale përmes moralizimit me karakter klasor mbanin nën trysni gjithçka, deri instinktet e lindura që i bëjnë njerëzit të barabartë dhe të njëjtë në të gjitha kohërat. Duhet mbajtur parasysh se pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në vendin tonë 90% e popullsisë ishte analfabete. Ajo filloi të futej në shkollë e, më tej edhe në universitete. Kishin jetuar në moçale dhe kasolle dhe, me ndryshimet e kryera banonin në një realitet të ri, të patakuar më parë. Substanca njerëzore, edhe për shkaqe historike e kulturore, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar po aktivizohej kolektivisht në punë e veprimtari ndërtimtare, me interesa për komunitetin apo tërë shoqërinë. Po takohej një prosperitet më i lartë se ai i viteve ’30-të të kohës së mbretërisë, për shumicën e popullsisë së vendit, e cila në masë absolute ishte fshatare. Ky gjallërim i gjithanshëm, në veçanti arsimimi dhe shërbimi shëndetësor, kushtëzoi një ndryshim shumëplanësh të shoqërisë shqiptare të asaj kohe. Por gjithsesi, u krijua një koncept jo i drejtë vlerësues për faktorët dhe kontributet e tyre, për ndryshimin dhe raportet e tij me sistemin. Njerëzit nuk ishin në gjendje të vetëvlerësonin punën dhe kontributet e tyre. Politika sociale e shoqërizimit të pronës, barazimtarizmit ekonomik dhe social, përmes kategorizimit kolektiv të njerëzve, larg çdo njësimi të personalitetit dhe kontributit të tij, duke e shndërruar popullsinë aktive në masë uniforme, që solli humbjen e diferencave individuale dhe sajoi termin klasifikues, masat punonjëse, bëri që antropologjia të krijonte iluzionin se ishte vetëshoqëria, vetështeti, vetëkodifikuesi moral dhe zoti i fatit të vet. U krijua një strukturë sociale me një terminologji herë ideologjike, herë nacionale, sepse operohej me termat ‘popull’, ‘komb’, ‘klasa punëtore’, ‘fshatarësia punonjëse’, ‘inteligjenca popullore’, ‘minatorët’, ‘metalurgët’, ‘gjeologët’, ‘ushtarakët’, ‘rinia’, ‘veteranët’, ‘familja socialiste’, ‘gruaja e ditëve tona’, etj. Propaganda ishte ndërtuar për të evidentuar vlerat dhe autoritetin vetëm të udhëheqjes së lartë dhe, në veçanti, të udhëheqësit. Çdo arritje u dedikohej atyre. Të habit ajo që shkruante në letrën e tij të vitit 1982 shkrimtari Ismail Kadare, drejtuar Nexhmije Hoxhës, së cilës i kërkonte ndihmë pas valës denigruese që po i bëhej nga oklutët e të patalentuarit, apo shërbëtorët e hapur të sistemit totalitar, të cilët tundnin si garanci “besnikërinë ndaj vijës së partisë” përballë “luhatjeve revizioniste dhe borgjeze të shkrimtarit të shquar”. Citoj Kadarenë, se “po të mos isha komunist do të isha një shkrimtar mediokër”. Nën trysni apo për konjukturalizëm, me bindje apo mossinqeritet, kjo mbetet në dorën e shkrimtarit të na e sqarojë. Por se nëse në këto nivele kishte një gjykim të tillë dhe shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, publicistët, historianët, shkurt pjesa elitare e shoqërisë kishte frymëzim vetëm ideologjinë e partisë dhe mësimet e udhëheqësit, merret me mend se çfarë ndodhte me antropoindividin e zakonshëm që përbënte shumicën e popullsisë, njeriun që rropatej fushave e maleve apo me punëtorin që i binte bretku në ndërmarrjen socialiste. Njerëzit ndiheshin mirë, ngazëlleheshin kur shfaqnin një bindje të thellë, gati të verbër ndaj porosisë dhe urdhrit. Ata shpalosnin një dedikim gati jetësor, aq sa zhvillohej njëlloj konkurrimi sa real i dukshëm, aq edhe virtual i pashpallur mes tyre, për të treguar se kush më shumë, e kush më pak e realizonte një dedikim të tillë. Kjo lojë nënshtrimi nuk kursente as familjen dhe pjesëtarët e saj. Psikika individuale u unifikua dhe u shndërrua në pjesë të paidentifikuar të psikologjisë kolektive dhe anëtarësimit kolektivist. Klima e nënshtrimit ishte e ndërtuar dhe funksiononte me autoritetin e frikës, e cila ishte institucionalizuar me anë të ndëshkimit juridik dhe policor deri te burgimet. Vetëdija u shndërrua në besim të verbër, adhurimi i pastruar nga shikimi kritik për udhëheqjen rezultoi në bindje ndaj urdhrit të saj. Morali u jetërsua në kuptimin e plotë të këtij procesi boshatisësh. Ai u njësua me skemën ideologjike të veprimit dhe konsumohej i gatshëm. Individi u privua dhe nuk mundej të krijonte moralin e tij individual, si produkt konkret i personalitetit dhe rrethanave, veçorive të kulturës personale dhe edukatës familjare. Morali u përçudnua në detyrim moral ose më saktë në shtrëngim moralizues për çdo individ uniform. Ai mori trajtën e një skeme rregullash të ngurta me fuqi më shumë penalizuese se sa edukuese. Brenda tyre lëvizej pa të drejtën e gjykimit individual. I prodhuar nga ideologjia e partisë, i artikuluar nga programi i udhëheqjes dhe i servirur nga propaganda dhe shtrëngimi shtetëror penalizues, morali sillej në trajtën e një detyrimi që e kishte injoruar individualitetin. Kundërveprimi moral, jashtë këtij kuadrati, ndëshkohej edhe juridikisht. Kjo mënyrë jetese, sipas moralit kolektivist socialist, shërbente si një kostum metalik që duhej veshur dhe që nuk mund të hiqej edhe në varr. Njeriu nuk ishte vetvetja dhe për veten, por ishte nuliteti i moralshëm i idealeve të partisë. Vetëdija u kthye në nënshtrimin e verbër se vetëm udhëheqja i di punët e rëndësishme dhe çështjet delikate, ndaj bindja ndaj urdhrit të saj qe detyrimi aksiomatik që nuk linte tjetër hapësirë. Absurdi kapi trajta sjelljeje dhe forma të shprehuri në skaje të tilla pikëlluese dhe qesharake sa që, kur një individ vendoste të martohej ishte i detyruar të zgjidhte partnerin që përputhej me kriteret e moralit të partisë. Ndërsa, kur vdiste, shpura që e përcillte nuk kujdesej në pëshpëritjen e fundit për shpirtin e tij në udhëtim për në botën tjetër: Ata duhej të thoshin togfjalëshin “Të rrojë Partia”. Asaj i dhurohej pavdekësia. Autoritarizmi nuk mund të bazohet në dijeni, arsyetim apo vetëdije. Ai realizohet si sundim, ndaj vepron me mekanizmin e nënshtrimit përmes moskundërshtimit, frikës dhe injorancës, që në shoqërinë komuniste stampohet në trajtën e kulturës shterpe të ideologjizuar. Frika i tmerronte njerëzit, sepse ajo ishte institucionalizuar në dy mënyra: Virtualisht, si një rrezik që mund të kapte cilindo, qoftë edhe nga “mëkati i lirisë së fjalës”, ndaj njerëzit u dyzuan dhe tmerroheshin përballë atyre çka ata thoshin. Frikësimi, si institucion virtual, funksiononte në mënyrë kolektive, sepse kishte trajtën e përgjimit, mbajtjes nën presion psikologjik dhe nënshtrimit të të gjithë shoqërisë. Forma tjetër e frikës ishte ajo realja, e institucionalizuar përmes institucioneve represive, si ligjet e diktaturës dhe institucionet ndëshkuese. Në sistemet diktatoriale frika është më e tmerrshme se vdekja, sepse ajo krijon vdekjen brenda jetës, ajo nuk të lejon ta jetosh jetën, nuk jep shans të provosh lirinë tënde. Ndërsa vdekja reale është më afër lirisë, si çlirim nga frika. Siç thoshte Epikuri, “Njeri, mos ki frikë nga vdekja: Kur ti je ajo nuk është, kur vjen ajo, ti nuk je më!”. Autoritarizmi, që të sendërtohet në shoqëri, ka nevojë për mekanizma, instrumente dhe njerëz. Në një këndvështrim gjithëpërfshirës, autoritarizmi shtetëror prodhon autoritarizmin individual dhe ky i fundit mban gjallë në mënyrë antropologjike një marrëdhënie njerëzore autoritariste, si mekanizëm komunikimi, si klimë psikologjike dhe moral bashkëjetese. Këto marrëdhënie janë të tilla sa që raportet shkak-pasojë, kontributet reciproke mbështetëse apo kundërshtuese, balancuese apo të ekuilibrave të prishura, janë tek e fundit pjesë trupore të një sistemi gjithëplanësor marrëdhëniesh. Ato nuk mund të konsiderohen dhe analizohen jashtë sistemit ekonomiko-shoqëror. Autoritarizmi diktatorial e mbështjell këtë sistem me psikozën mbytëse se nuk ka shteg daljeje dhe mundësi tjetër arsyetimi. Rruga në të cilën ecet është fati historik, ndërsa atmosfera globale propagandohet me ngjyrim patriotik. Çdo përpjekje për liri, qoftë edhe në mendim, trembej me frikën dhe shembej me marrjen e lirisë fizike përmes burgimit ose deformohej shëmtirisht nga ambienti mbytës i kolektivit ku jetohej dhe punohej. Nuk mungonin skajëzimet tragjike, individuale dhe kolektive përmes dënimeve me vdekje. Historikisht marrëdhëniet ekonomike, format e pronësisë, organizimi i tregut, realizimi i fitimit, marrëdhëniet financiare, sistemi bankar dhe ai financiar, pasuria e trashëguar apo e krijuar rishtazi përcaktojnë konstruksionin e shoqërisë. Prej tyre dhe e kushtëzuar nga to, trupëzimi social i shoqërisë takon arkitekturën e brendshme, e cila, së bashku me skeletin trupor, përcaktojnë funksionimin e teknologjisë social-shpirtërore të shoqërisë. Arkitektura e jashtme, fasada, është më e përthyeshme. Ajo ka pavarësi dhe është për këtë arsye pse shfaqet me shumëllojshmëri formash, por nuk mund të kapi parametra të ekstravagancës, duke u shndërruar në një fenomen të pavarur, të parakohshëm dhe parashijues. Përpjekje të tilla në art, letërsi, arkitekturë, veshje, mënyrë jetese, formë të menduari e të shprehuri gjuheshin në komunizëm si të ishin shtriga fatkeqndjellëse. Në sistemin diktatorial komunist forma të tilla, jashtë kontrollit, quheshin devijime ideologjike. Në ekonomi çdo formë e re duhet të garantojë, tek e fundit, atë fitim ekonomik, prodhim, rendiment apo sukses financiar, që është realitet funksional në kohën e caktuar e momentin e dhënë. Individi kthehet luftëtar dhe bëhet dëshmor edhe për pronën dhe interesat e tij ekonomike. Një shoqëri, që ka të institucionalizuar pronën dhe marrëdhëniet ekonomike, ka emblemën historike të themelit institucional, të kontributit individual të hipotekuar, pozitës dhe trashëgimisë familjare të certifikuar. Vetëm në këtë rast marrëdhëniet individ-atdhe janë të shprehura në një barazim, dhe jo në një ekuacion variabël që ribëhet në varësi të ekuilibrave historikë, herë jo të stabilizuar dhe herë të përkohshëm. Të tillë që mund prishen duke lëvizur peshoren e interesave dhe raporteve me çmime të larta sociale, familjare, individuale; aq më tepër, në vendet e vogla me shumë grumbullime historike pezull dhe me kujtesë e kontribute të dobëta shtetformuese. Institucionalisht raporti pronë-atdhe mbart esencën e të qenit i ngulitur diku, i ardhur në jetë atje, me profilin tënd historik kombëtar dhe përgjegjësitë për vazhdimësinë. Prona të bën të ndihesh me rrënjë, me raporte si me të shkuarën ashtu edhe me të ardhmen. Prona si peng i investimit, në breza e bën shoqërinë solide, individin dinjitoz; shtetin, serioz e të qëndrueshëm. Pa pronë ose me pronë të tjetërsuar, shoqëria humbet kohezionin, ndërsa individët punojnë për të mbijetuar si pa identitet. Ky institucion është themelor e i shenjtë, jo vetëm për kushtet ekonomike që lakmohen të jenë më të mira, jo vetëm për vështirësitë që duhet të kapërcejë çdo subjekt, për të realizuar qëllimin fitimprurës ekonomik, jo vetëm për rrezikun që mbart konkurrenca në treg, jo vetëm për detyrimin familjar dhe qytetar ndaj paraardhësve dhe pasardhësve, por për atë që, në themel të të gjitha marrëdhënieve, pavarësisht nga shkalla relative e pavarësisë historike e funksionale, juridike e shpirtërore janë marrëdhëniet ekonomike, qoftë si bazament ekonomik i shoqërisë në tërësi, qoftë si interesa dhe shpërblim për punën e kryer apo fitimin e realizuar. Sistemet politike diktatoriale janë të vëmendshme ndaj ekonomisë. Sigurisht që ka dallim mes sistemit diktatorial fashist dhe sistemit diktatorial komunist, në lidhje me ekonominë. I pari bazohet te prona private, te nisma private tregtare dhe industriale, në shërbime dhe në sistemin e sigurimeve, në sferën e taksave dhe në sistemin bankar. Shoqërizimi është atje i formës së kapitalizmit shtetëror. I dyti, sistemi kolektivist komunist, duke shoqërizuar çdo lloj prone, qoftë ajo në formën embrionale themelore ekonomike, si (tokat, ujërat, pyjet apo pasuri të tjera natyrore), qoftë duke e shoqërizuar pronën, si raporte mbi objektin dhe si marrëdhënie juridike të dokumentuara, merr trajtën e socializmit shtetëror. Është një tipar i përbashkët i sistemeve totalitare, nacionalizimi, identifikimi i ekonomisë dhe interesave ekonomike me interesat dhe ekzistencën kombëtare. Këto interesa përdoren nga propaganda. Urdhri shtetëror si mbrojtës i saj, merr trajtën e një sublimiteti, për të cilin njerëzit kanë ardhur në jetë. Duket si mision historik epokal. Kundërshtimi paraqitej vdekjeprurës dhe të njolloste me “imoralitet antikombëtar” ose si tradhtar të interesave kombëtare. Në shoqërinë totalitare të “Diktaturës së Proletariatit”, çështjet ekonomike në tërësi dhe marrëdhëniet ekonomike pronësore u trajtuan në një këndvështrim tejet shtrëngues. Gjithçka, përmes reformimit ekonomik të detyruar, u shndërrua në pronë shtetërore. Në kuptimin formal, reformimi shpreh marrjen e një pamjeje tjetër të organizimit. Ndërsa ky rimodulim i shoqërisë shqiptare apo i shoqërive komuniste, pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë shumë i dhimbshëm. Tregtarëve iu sekuestrua malli dhe u penalizuan me detyrime financiare shumë-shumë të rënda në parà (napolona flori). Nuk u mor në konsideratë kontributi i tyre për furnizimin e tregut edhe në periudhën e luftës, i cili përbënte një shërbim jo vetëm ekonomik, por edhe njerëzor. Trajtimi politik ekstremist i këtij shërbimi publik dhe injorimi i funksionit që ka tregtia në një shoqëri, identifikimi i tyre si bashkëpunëtorë të fashizmit (damkosja si kolaboracionistë) ka qenë një shprehje flagrante e egërsisë totalitare të shtetit të pasluftës ndaj ekonomisë kombëtare, ndaj pronës dhe pronarit në Shqipëri. Tendenca për modulim të marrëdhënieve ekonomike kombëtare vjen historikisht si një kërkesë e zhvillimit të brendshëm të shoqërisë dhe vetë këtyre marrëdhënieve. Të tilla kanë qenë kalimet nga skllavopronaria në feudalizëm dhe nga periudha medievale në shoqërinë e sistemit kapitalist. Krejt ndryshe ka ndodhur me komunizmin, i cili, edhe si sistem ekonomik është një invencion ideologjik, i cili kërkoi që në një eksperiment të gjatë në kohë, si dhe duke i shpërdoruar fatet shumëmilionëshe në antropologji, të ndërtonte një strukturë që e përmbyste nga themelet trashëgiminë social-ekonomike, ndaj dhe projektoi një shoqëri të deformuar e të denatyruar ekonomikisht. Raporti mes forcave prodhuese dhe marrëdhënieve në prodhim u injorua, megjithëse për to kishte hulumtuar gjatë vetë Karl Marksi. Marrëzia sovjetike, e ushqyer nga leninizmi, ngrihej mbi një kundërvënie logjike. Sistemi komunist, edhe paraqitej si më i përparuari, edhe propagandohej se ai mund të ndërtohej në vendet me antropologji të prapambetur dhe gjysmë feudale. Në këto rrethana, projektohet dhe sendërtohet një shoqëri ekonomike dhe sociale jonatyrore, sepse ajo forcërisht ndërpret fillin historik të zhvillimit, jashtë rrjedhave të normalitet historik të kalimit nga një sistem ekonomiko-shoqëror, politik dhe juridik më i ulët; në një të tillë më të lartë, cilësisht i ri. Pushteti mbi ekonominë, zotërimi i saj si monopol i shtetit njëpartiak ose partisë-shtet, krijuan kushtet që autoriteti shtetëror, partiak dhe ai i udhëheqësit, ta kultivonin autoritetin nga lart dhe autoritarizmin shtetëror mbytës edhe në aspektin ekonomik. Delegimi i interesave ekonomike dhe hipotekimi i pronës te pronari-shtet, aq më keq kur ky i fundit ishte shtet vetëm politik me fasadë ideologjike, sollën si pasojë nënshtrimin ekonomik juridik dhe shpirtëror të njerëzve, si individ edhe kolektiv, ndaj kujdestarit, administratorit, tutorit, autoritetit, ndaj autoritarizmit shtetëror diktatorial. Ky ishte një shtet që njësonte shoqërinë, moralin, rregullat juridike, shoqërinë civile dhe të drejtat e qytetarit, pronën dhe idealin kombëtar. Mungonte individi si institucion dhe institucionet e pavarura në shërbim të tij. Antropologjia përpunohej forcërisht në komunizëm me një sërë mekanizmash. Ajo mbeti turma pa pronë dhe pa liri!

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›