E Diel, 1 Nëntor 2026

Kultivimi i patates, fermerët kërkojnë më shumë mbështetje për të konkurruar në treg

Kultivimi i patates mbetet një ndër aktivitetet kryesore bujqësore në qarkun e Korçës, duke siguruar të ardhura për shumë familje fermere.

Megjithatë, fermerët po përballen me një sërë sfidash, si rritja e çmimit të karburanteve dhe inputeve bujqësore, që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot e prodhimit dhe fitimet e tyre.

Sipas specialistit Përparim Kuqo, mbështetja ndaj fermerëve duhet të rritet, duke u fokusuar në përmirësimin e teknologjisë dhe rritjen e shkallës së mekanizimit, në mënyrë që të ulen kostot dhe produkti vendas të jetë më konkurrues në treg.

“Rajoni i Korçës ofron kushte shumë të mira klimatike dhe tokësore për prodhimin e patates, prandaj ajo është një nga kulturat kryesore që mbillet në këtë rajon, duke siguruar të ardhura të mira për fermerët dhe familjet e tyre. Megjithatë, sot fermerët përballen me problematika të ndryshme, si rritja e çmimeve të karburanteve dhe inputeve bujqësore. Mbështetja ndaj tyre, për mendimin tim, duhet të jetë më e madhe, në mënyrë që ata të përmirësojnë teknologjinë, kushtet e magazinimit të patates dhe të kenë mundësi të dalin në tregje ku të jenë konkurrues. Në këtë drejtim duhet punuar më shumë për përmirësimin e teknologjive dhe rritjen e shkallës së mekanizimit, me qëllim uljen e kostove dhe përballueshmërinë në çmimet e tregut” tha Kuqo.

Një tjetër element i rëndësishëm thotë Kuqo, mbetet bashkimi i fermerëve në grupe apo kooperativa, çka do t’u mundësonte atyre të përfitojnë më lehtë nga skemat mbështetëse të qeverisë shqiptare.

Po ashtu, specialisti thekson nevojën për përmirësimin e kushteve të magazinimit të patates, duke i dhënë fermerëve mundësi të ruajnë prodhimin dhe ta hedhin atë në treg në momentin më të favorshëm.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›