E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kultura e tjetrit

Tetori i “pushtuar” nga gjermanët. Në një muaj kultura gjermane prezantohet me plejadën më të mirë kinematografike. Një ditë më parë, një nga filmat më të sukseshëm, që fitoi palmën e Kanës, në vitin 2007, filmi “Në anën tjetër”, me regji të Fatih Akin është shfaqur në Tiranë. Lindur në gjermani i biri i emigrantëve turq, regjisori 34 vjeçar është cilësuar si një fëmijë i globalizmit. Ndërsa të martën pritet të shfaqet ikona e kinematografisë gjermane, aktori Goetz George

Për ta kuptuar si rast pse mes Perëndimit dhe Lindjes, nuk duhen “armë” radikale për të thyer përplasjet e kulturave, dhe tradicionalisht për të hequr boshllëkun e komunikimit, regjisori turko-gjerman Fatih Akin citon Gëten kur thotë se revolucionet, lëvizjet radikale nuk janë gjërat më të bukura për të ndryshuar, a për t’u çliruar. Ashtu si tërndafili që nuk mund të jetojë e të çelë në dimër.

Në filmin e tij, “Në anën tjetër”, si pjesë e trilogjisë ku tregohet dashuria, vdekja dhe djalli, regjisori Akin e përdor filozofinë gjermane, për të kuptuar cngjet me botën e tij të brendshme prej orienti. Të qënit në këta kufinj siç duket i ka dhënë sukses të jashtëzakonshëm në Evropë, duke u parë si një nga regjisorët që sipas kuptimit të emrit të tij Fatih, do të “pushtojë”, kinemanë e perëndimit.

Filmi “Në anën tjetër”, që u shfaq një natë më parë në kinema “Millenium” në kuadër të muajit kulturor të Gjermanisë, ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe ka fituar shumë audiencë ndërkombëtare, derisa rrëmbeu çmimin “Ariu i Artë” në festivalin e filmit në Berlin, si dhe të fitojë cmimin për skenarin më të mirë në vitin 2007 në festivalin e filmit në Kanë.

Me këtë famë filmi mbërriti edhe në Tiranë duke ngjallur një kuriozitet të jashtëzakonshëm për publikun shqiptar, si dhe njerëzit e artit. Bota dukej aq e vogël në konturet e filmit, sa kulturat e prezantuara nga Fatih Akin, edhe pse dendur përdoret klishetë, shpërfillen përballë psikologjisë së njohjes së tjetrit në mënyra krejt të ndryshme.

Për këtë aryse, ndoshta, ky film është cilësuar nga kritika si një produksion që ndërton urat e komunikimit ndërmjet dy vendeve. “Në anën tjetër” vjen e qartë në këmbimin e rrugëve që krijojnë personazhet. Ata janë prindër- duke na rrëfyer thjeshtësisht pa mburrje regjisoriale, -boshllëkun ndërmjet brezave-babait e të birit, nënës dhe vajzës- dhe si rrjedhojë lidhje bëhet dhe ndërmjet nacionaliteteve dhe kulturave. Për marrëdhënien lesbike ndërmjet një vajze gjermane, dhe asaj turke, regjisori është pyetur shpesh nga mediat, se si është gjykuar nga prindërit në Turqi, duke e konsideruar këtë mjedis tepër fanatik, për shkak të besimit.

Regjisori e ka pranuar se marrëdhënia e dashurisë ndërmjet dy vajzave, ndiqet nga klishetë, ndonëse historia vetëm na sjell situatën seksuale midis tyre.

Në gati dy orë xhirimi, personazhet e Fatih rrëfejnë botë, kultura dhe mentalitete të ndryshme, ku marrëdhëniet bëhet gjithnjë më njerëzore kur njihen. Fundi i filmit është i hapur. Djali i ri turk, pedagogu i gjermanistikës, nuk mban energjinë filmike, as ndonjë ngarkesë emocionale, por është njeriu që tregon rrugët dhe lidh njëkohësisht midis Turqisë dhe Gjermanisë. Ai ngre urat për të dy kulturat, duke përfunduar në vendlindjen e tij, gjithnjë me vështrimin e varur andej nga perëndon dielli. Fakti që regjisori Akin vjen nga bota e orientit, ashtu sic vlerësohet dhe nga kritika, i ka dhënë gjithë sharmin për të luajtur dhe pushtuar sukseshëm kuriozitetin ekzotik të perëndimit. Evropa vetë është kazan ideshë, ndërsa regjisori turk në filmin e tij tenton të ngacmojë atë çka është e prekshme në anën tjetër, ndjesinë.

Për këtë arsye marrëdhëniet që ndërtohen në filmin “Në anën tjetër” më shumë shikohen në raporte politikisht gjeografike, për t’u lidhur me bindje kulturash. Kjo është përpjekja e re evropiane, njëkohësisht dhe ajo lindore për të cilën regjisorit Akin po i hapin dyert, si dëshmi e citatit të Gëtes, për ndryshimin jo radikal të kulturave.

Lindur në gjermani i biri i emigrantëve turq, regjisori 34 vjeçar është cilësuar si një fëmijë i globalizmit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›