Prodhuesit e veshjeve, lejet e transportit zhbllokojnë eksportet
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve përshëndet vendimin e qeverisë shqiptare të marrë në mbledhjen e saj të datës 17 tetor 2008 “Për një ndryshim në Vendimin të Këshillit të Ministrave “Për lejet e transportit të mallrave për transportuesit, që nuk kanë selinë në Shqipëri”. Vendimi i mësipërm i qeverisë shqiptare pritet t’i japë fund kalvarit disavjeçar të bllokimit në çdo fund viti të transportit ndërkombëtar të mallrave, veçanërisht drejt shtetit fqinj, Itali, bllokim i cili penalizonte dhjetëra e qindra subjekte shqiptare, anëtare të Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve, të cilat punojnë me material porositësi dhe eksportojnë prodhimet e tyre drejt tregut italian. Bllokimi i lejeve të transportit ndërkombëtar drejt Italisë ishte një handikap që vinte jo thjesht për efekt të marrëveshjes dypalëshe mes Ministrisë së Transporteve të Italisë dhe asaj të Shqipërisë, por edhe të mosrespektimit të ligjit nga organet shqiptare të kontrollit doganor. Doganat dhe policia kufitare shqiptare nuk kanë bërë asnjëherë në mënyrë të përgjegjshme dhe ligjore evidentimin e saktë të numrit të kamionëve italianë që hyjnë dhe dalin në Shqipëri. Kjo ka bërë që autoritetet shqiptare, sidomos ato të Ministrisë së Transporteve të Shqipërisë, por edhe të Shoqatës Kombëtare Shqiptare të Transportuesve Rrugorë Ndërkombëtarë, ANALTIR, të ndiejnë vështirësi të ballafaqohen me shifrat reale. Këto institucione deri më sot janë ndeshur me statistika fiktive që i kanë vënë në një pozicion të papërshtatshëm me palën italiane. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe anëtarët e saj vlerësojnë angazhimin e shpejtë dhe të përgjegjshëm të ministrit të Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, z. Sokol Olldashi, si dhe propozimin e bërë prej tij në mbledhjen e fundit të qeverisë, që pritet të sjellë përmirësimin e gjendjes dhe eliminimin e kësaj anomalie që shqetëson bizneset tona, sidomos në tri vitet e fundit.
Tashmë, sipas vendimit të fundit të KM-së, “kontrolli i lejeve të transportit ndërkombëtar të mallrave për çdo kamion bëhet nga organet doganore të policisë kufitare dhe nga organet e kontrollit shtetëror të specializuar, pranë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit” dhe “Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në fillim të çdo viti ose rast pas rasti, njofton organet e mësipërme për llojet dhe sasinë e lejeve të transportit ndërkombëtar të mallrave, që shkëmbehen me çdo shtet, si dhe shtetet, kamionët e të cilave përjashtohen nga lejet e transportit ndërkombëtar të mallrave”.