Kultura shqiptare, protagoniste në Milano dhe Torino

Qindra qytetarë artdashës patën rastin të njihen nga afër me Shqipërinë, artin dhe kulturën e saj përmes ciklit të veprimtarive të organizuara në Milano dhe Torino, nga Qendra e Kulturës Shqiptare, me mbështetjen e Konsullatës së Shqipërisë në Milano.
Ndër veprimtaritë e zhvilluara në kryeqendrat e veriut të Italisë spikasin takimet me shkrimtaren e suksesshme Anilda Ibrahimi, autore e disa romaneve të botuara në vendin fqinj nga shtëpia botuese prestigjioze “Einaudi”. Vëmendje të veçantë pati edhe shfaqja e disa prej filmave më të mirë të kinematografisë shqiptare të viteve të fundit, të prezantuar nga aktorja e mirënjohur e skenës dhe ekranit Rajmonda Bulku.
Gjatë 22 vjetëve të fundit në Itali janë vendosur mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë. Rreth një e treta e tyre jetojnë dhe punojnë në rajonet veriperëndimore të Lombardisë dhe Piemontit, territori ku shtrihet veprimtaria e Qendrës së Kulturës Shqiptare, me qëllim kryesor promovimin e kulturës dhe të imazhit të Shqipërisë. Qendra e Kulturës Shqiptare është sot një prej realiteteve më të njohura e më të spikatura të bashkësisë shqiptare në Itali.