Kumar Urban Party!
Place: Everywhere
Time: Everytime
Dress code: Cash
Mëngjes herët. Ai del nga shtëpia i kërrusur nga dita që do të vijë pas, por me një shpresë të re: ndoshta sot do të jetë dita e tij, ndoshta sot dikush do ketë një punë për të.
Nën energjinë që i jep kjo shpresë, përpiqet të drejtojë trupin. Pse jo, është ende mjaft i ri. Nën vrullin e këtij pozitiviteti që e pushton, ngre vështrimin nga toka dhe aty hutohet.
Një tufë sirenash 3 metra larg po këndojnë një këngë, në fakt po ia këndojnë atij vetë.
Fërkon sytë dhe përqendrohet: Hej, ti djalosh! Mirësevjen në Kumar Urban Party! Këtu argëtimi është punë e sigurt dhe e superpaguar. Dita dhe nata nuk do të bëjnë dallim. Këtu e ardhmja sigurohet pa u lodhur! Këtu është gjithçka ëndërron. Hej, djalosh!
Pse i duket e njohur kjo këngë? E njohur dhe e ëmbël, si ninullë Ecën si somnambul drejt tyre, hyn brenda. Perdja bie pastaj. Për tu ngritur serish në darke, kur ai, më i kërrusur se në mëngjes, tërheq këmbët zvarrë drejt shtëpisë.
Nëpër mend përtyp mendimin e vetëm që i mbetet në kokë e që përpiqet që ta ngulisë fort: prandaj ju duk e njohur ajo këngë e mëngjesit. Se kishte qene edhe një ditë më parë, edhe më parë, edhe…
Po çfaj ka ai se nata ja fashit kujtesën? E ai vazhdon të zgjohet çdo mëngjes me një shpresë të re, një shpresë që zgjat aq hapa sa i duhet të hyjë tek dera e kazinosë përballë.
Vërtet nuk janë shumë hapa, nuk mund të jenë, sepse kazinotë ftojnë kudo rreth e rreth çdo shtëpie, nuk ju largohesh dot. Ato duken sikur të ndjekin kudo nga pas. Ndaj atij i duket kënga e sirenave si deja vu. Ajo këngë ndihet gjithandej plot trishtim dhe zymtësi, por gjithsesi, për veshët pa dyllë, tërheqëse, një kurth i ëmbël mbytës.
Ejani pra! Festa është për të gjithë! Edhe për ty i papunë i dëshpëruar, nëse ke pak lekë nga borxhi i djeshëm ende në xhep. Parajsa është rezervuar për ty, mjafton të zgjatësh dorën. Eja në Kumar Urban Party! Kjo është mrekullia e Albanialand! Ejani pra! Party is open 24/24! E ku ka festë tjetër që zgjat kaq shumë?!
Vërtet zgjat shumë Shpesh herë zgjat sa një jetë, që do të shuhet në mëngjes nën një litar që lëkundet në një pemë të braktisur, diku pas plevicës dhe një letre të zhubrosur me dy fjalët e fundit: më fal nënë, i humba në kumar më fal e dashur, i humba në kumar më falni të dashur fëmijë, babi humbi në kumar leket e kredisë me fal ti ëndrra ime e gënjeshtërt, të humba në kumar
Po Kumar Urban Party nuk njeh as moshë! Tingujt e sëmurë të këngës së këtyre sirenave mbërrijnë deri në veshët e fëmijëve të shkollave.
Sepse i kanë hapur dyert gjithandej si metastazat e së keqes, edhe tek porta e shkollës, madje edhe tek portat e kopshteve, që të bëhen si një helm i depërtuar në gjak që në fëmijëri.
Dhe djali i vogël heq çantën e rëndë nga kurrizi i njomë dhe ndjek muzikën gënjeshtare, muzikën që i premton pasurinë pa nevojën e asaj çante të rëndë. Come on boy! Nuk ke nevojë për librat! Shiko sa afër kemi ardhur për ty?
Mjafton të nxjerrë nga xhepi ato pak lekë që ia mori nënës fshehur në mëngjes. I shkreti djalë, nuk e di se një thes akoma më i rëndë do i varet në qafë për gjithë jetën, nëse nuk i zë veshët me dyllë. Çtë bëjë? Asnjëherë nuk ka qenë më e lehtë. This is Albanialand.
Po! Kjo është Shqipëria jonë sot, një tokë:
-Ku libraritë janë gjithmonë e më të pakta dhe loto- sportet gjithmonë e me te shumta!
-Ku bibliotekat janë gjithmonë e më bosh e kazinotë gjithmonë e më plot!
-Ku lokalet e kumarit janë më të shumta se furrat e bukës.
-Ku morali po kalbet nga brenda pa humbur shkëlqimin e jashtëm.
-Ku qendrat urbane janë vënë në funksion të dritave vezulluese të kumarit.
-Ku roulette-t u bëjnë hije shkollave.
-Ku dëshpërimi luhet 1×2.
-Ku mar Urban Party!
