Berisha nuk ishte kurrë një
Nga Doriana Metollari*
Berisha, për pjesën më të madhe të njerëzve ka qenë shumë i mirë ose shumë i keq. Ish lideri i demokratëve shqiptarë duhet të mbajë medoemos njërën anë të medaljes ose tjetrën, të dyja jo. Rrallë herë në Shqipëri ndodh të eliminohen ekstremitetet. Kam parë shumë komente të tilla, diku dhe fyese ndaj Berishës. Ndodh kur mban pushtetin, i ndodh dhe Obamas.
Berisha nuk bëri asnjëherë atë që njerëzit nuk ia lejuan. Nuk e ka bërë as Hitleri as Gandi. As njëri dhe as tjetri nuk i influencuan të tjerët pa lejet e tyre.
Berisha ishte produkt sistemi dhe i një shoqërie të sapo dalë nga një qeverisje e egër. Ai nuk mund të ishte kurrsesi shumë i butë dhe as shumë më i egër nga qeverisja që vetë kaloi mbi shpinë. A bëri më të mirën e mundshme ? Nuk e di. Por nuk do e akuzoja vetëm atë, pa akuzuar nga pak dhe të gjithë qytetarët, politikanët, deputetët, shoqërinë.
Unë besoj se Shqipëria është drejt fundit të tranzicionit dhe historia nuk do të shënojë një datë që do të etiketohet si “fund vuajtjesh” për qytetarët, por mund të jetë kjo qeverisje fillimi i betejave të reja për ta.
Gjithsesi Rama po mbart njerëz që nuk besoj kurrsesi të kenë ardhur me një frymë të kulluar, sepse ky kalim i natyrshëm i pushtetit mbart joshje që bën pushteti dhe paraja. Rama do të jetë hap tjetër për Shqipërinë, por Kryeministri i gjatë që vishet bukur, për shqiptaret është dhuratë ende e paketuar dhe pse ka arritur të ndajë në copa më të vogla koncepte si pushteti, detyra, demokracia, për t’i analizuar një e nga një, veçmas.
Unë nuk do të mund t’i vishja kurrë fatet e një populli një njeriu të vetëm dhe pse ka turmën që i influencon. Në Shqipëri njerëzit nuk influencohen më kollaj se diku tjetër për shkak të kontrollit të mediave. Por, megjithë votat që mori nuk do të thoja se Rama është Mesia për qytetarët, sepse në momentin kur ata vendosën që Berisha duhet të ikte, dikush tjetër ishte pas dere dhe kjo është era e re e njerëzve që Rama po i mban timonin.
Qytetarët do të kenë mundësi të reflektojnë për vendimet e qeverisë së re dhe do të vendosin vetë kur është koha të rilindin. Besoj se do të kenë kohë mjaftueshëm, sepse opozita e re është ende e dobët për të bërë opozitë të fortë dhe kryetari i saj i ri është ende në reflektim për mënyrën e lidershipit që do të propozojë.
Sigurisht do të ketë vend dhe për Berishën, ose jo. Basha nuk është lloji i lidershipit që pranon të influencohet kollaj pas buzëqeshjes së kortezisë made in England dhe Berisha zor se e lë projektin e Shqipërisë më të cilën ai është fort i lidhur.
Mbase do të kemi përplasje të heshtura brenda demokratëve, por Basha, ka treguar se u reziston presioneve ndryshe nuk do të ishte kurrë në krye të Partisë Demokratike.
*Drejtore e HermesNews