E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhi publik, sfida e qeverisë së re

Nga Kristal Hykaj*

Kristali-fotoDitën që qeveria e re të marrë detyrën, do të marrë përsipër dhe një situatë ekonomike dramatike. Problemet kryesore janë huamarrja dhe borxhi ndaj biznesit. Deri në fund të muajit korrik, qeveria ka marrë në tregun e brendshëm një sasi huaje që në total arrin 24,7 miliardë lekë (rreth 250 milionë dollarë), 2,7 miliardë më shumë nga sa ishte parashikuar për këtë periudhë në fillim të vitit. Në këtë mënyrë qeveria ka ezauruar thuajse tërësisht të gjitha mundësitë për borxh të brendshëm deri në fund të vitit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, niveli i huamarrjes arriti për 7-mujorin në vlerën 24,7 miliardë lekë, nga 22 miliardë lekë që ishte planifikuar për këtë periudhë, duke bërë që kufiri zyrtar të tejkalohet me 2.7 miliardë lekë më shumë, ose rreth 27 milionë dollarë. Për gjithë vitin kufiri i huamarrjes së brendshme, i parashikuar në buxhetin e vitit 2013, është në vlerën 27.4 miliardë lekë, ndërkohë sipas përllogaritjeve, aktualisht kjo hua është konsumuar në masën 88.3 %.

Në media i është dhënë kohët e fundit një rëndësi e madhe problemit të mospagimit të faturave nga ana e shtetit, për punë publike të kryera prej ndërmarrjeve. Mendohet që faturat janë në shumën e rreth 250-300 milionë eurove dhe së bashku me zinxhirin e borxhit të krijuar përbëjnë një rrezik konkret për ekonominë e vendit.

Origjina e problemit nis me klientelizmin fillestar në përzgjedhjen e firmave fituese të koncesioneve publike. Si rrjedhojë e fitimit të tenderave në mënyrë jokonkurrenciale, vihet re dhe një nivel i ulët qeverisjeje dhe një kërkesë e ulët për figura menaxheriale të kualifikuara, të cilat do të shërbenin si hallka lidhëse midis sistemit ndërmarrje dhe sistemeve të tjera bashkëvepruese, brenda ambientit në të cilin një biznes është i ndërlidhur dhe operon, ku më i rëndësishmi është ai bankar.

Por, a jemi në një treg konkurrencial dhe kompetitiv për të aplikuar atë logjikë? Sigurisht që jo. Si kanë vepruar ekonomitë perëndimore në situata ku operatorët privatë të një rëndësie strategjike, për arsye nga më të ndryshmet, të evidentuara dhe të emfatizuara për shkak të krizës, rrezikonin daljen nga tregu? Përgjigja ka qenë, investime masive publike në formën e financimit të sipërmarrjeve

Jo vetëm, por në rastin kur debitor është shteti, nuk mund të mbështetet teoria që tregu të zgjedhë të mbijetuarit, pasi qeveria në këndvështrimin e privatit, është operatori më i besueshëm, nuk kemi të bëjmë me dy operatorë të barasvlershëm që bëjnë biznes duke vlerësuar në mënyrë simetrike riskun e palës tjetër. Nëse do të ishim në këtë situatë, atëherë dhe do mund të pranohej deri diku që pala e paaftë të dilte prej tregut. Por nuk është ky rasti ynë.

Për më tepër, arsyeja më e fortë në mbështetje të biznesit qëndron në realizimin e shërbimit prej privatit. Në rastin shqiptar nuk flitet për financim dhe ndihmë për sektorin privat, por për detyrim nga ana e qeverisë, në shlyerjen e pagesave për punë të kryera, si çdo subjekt tjetër juridik. Qeveria e re italiane në një nga aktet e para të saj vendosi të shlyejë borxhin ndaj ndërmarrjeve të ndërtimit, me gjithë problemet e saj financiare).

Për ti dhëne zgjidhje problemit, së pari mendoj që një rol të veçantë mund të luajë ndërmjetësimi i Bankës së Shqipërisë, që duhet të dalë nga roli i saj historik dhe i panegociueshëm, për ruajtjen me çdo kusht të nivelit të ulët të inflacionit, dhe të bëjë të sajin objektivin e zhvillimit. Së dyti, privatizimi i Albpetrol duhet të bëhet me prokurim të drejtpërdrejtë që te mos humbet kohë me burokracira. Së fundmi, vjelja e taksave dhe doganave duhet të jetë në nivele historike, çdo qindarkë në këtë periudhë është shumë e vlefshme. Këto janë masa që duhet të merren sa më shpejt nga qeveria e re, në mënyrë që të zbutet sadopak kjo situatë ekonomike e dramatizuar.

*Pedagog i Makroekonomisë, Fakulteti Ekonomik i Tiranës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›