Kumbaro: Paqja që ofron natyra e Dardhës në Korçë

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Fshati turistik i Dardhës, 19 km nga qyteti i Korçës, ofron në këto ditë të fundit të vjeshtës një pamje piktoreske.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky fshat, që tërheq vizitorë në çdo stinë.
“Paqja që ofron natyra e Dardhës në Korçë”, shkruan Kumbaro.
Turistët që shkojnë në Dardhë mahniten nga rregullsia e planimetrisë së shtëpive, arkitektura interesante, pastërtia shembullore nëpër rrugët me kalldrëm, që në shumicën e kohës, janë të mbushura edhe me një shtresë bari.
Periudha e dimrit dhe ajo e verës ka dhe fluksin më të madh të turistëve vendas e të huaj. Në stinën e dimrit Dardha, me pjerrësitë e saj, është një vend ideal për amatorët e skive.
Ndërkohë që pista e skive është në funksion të plotë dhe është një nga stacionet më tërheqëse dimërore të Dardhës.
Dardha është e ndërtuar me shtëpi karakteristike, ku krahas tyre atje gjenden dhe ndërtesa të reja dhe hotele bashkëkohore.
Në Dardhë është ngritur dhe funksionon muzeu, që ekspozon historikun dhe trashëgiminë e fshatit.
1 nga 5/r.e/a.f/