Kumbaro: Shkolla “Mersin Duqi” në Bërzhitë me kushte bashkëkohore për 160 nxënës

TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Shkolla “Mersin Duqi” në Ibë të Poshtme, njësia administrative Bërzhitë, është gati të mirëpresë nxënësit në vitin e ri shkollor, pas transformimit të ambienteve të saj.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga ambientet e reja të kësaj shkolle, e cila është pajisur me klasa bashkëkohore, palestër të re, si dhe ambiente më të sigurta dhe miqësore.
Kumbaro theksoi se shkolla e re krijon kushte më të përshtatshme për nxënësit gjatë procesit mësimor dhe aktiviteteve të tyre sociale, që fëmijët të mësojnë dhe socializohen me njëri-tjetrin.
Ministrja informoi se shkolla e rikonstruktuar do t’u shërbejë 160 nxënësve dhe mësuesve, duke ofruar një mjedis më të denjë dhe funksional për zhvillimin e procesit edukativ.
Investimi synon përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit, në nisjen e një viti të ri shkollor.
1 nga 10/m.m/r.e/