Kumbaro dënon dhunën e të rinjve ndaj Ministrisë së Arsimit: Dialogu dhe fjala, e vetmja rrugë

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Ministrja Mirela Kumbaro ka reaguar sot pas dhunës së ushtruar nga protestuesit ndaj godinës së Ministrisë së Arsimit, duke theksuar rëndësinë e dialogut si mënyrë për të shprehur qëndrimet dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
Kumbaro, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga incidentet gjatë protestës, ku protestuesit godasin me gurë godinën e Ministrisë së Arsimit, duke dëmtuar xhamat dhe pjesë të tjera të objektit.
Në reagimin e saj, Kumbaro theksoi se dhuna ndaj institucioneve nuk zgjidh asgjë, duke bërë thirrje për dialog dhe komunikim.
“Dhunimi ndaj institucioneve nuk zgjidh asgjë! Dialogu dhe fjala janë e vetmja rrugë”, shkroi ministrja në rrjetet sociale.
/e.xh/r.e/ /a.g/