Kundër Pacollit
Subjektet politike që janë përcaktuar të rrinë në opozitë kanë kritikuar vendimin e PDK-së për të lidhur koalicion me Aleancën Kosova e Re, duke i lënë kësaj të fundit, postin e presidentit.
Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se ajo që doli nga takimi i Këshillit Drejtues të PDK-së, i cili dha dritën jeshile për koalicionin e ardhshëm qeverisës, ishte një proces i pastër politik dhe i interesave e ambicieve personale të personave të caktuar.
“Ky është një proces i pastër politik, marrëveshje politike, apo më saktësisht një kushtëzim politik. Ju e dini se presidenti duhet të jetë përfaqësues, që duhet të përfaqësojë vullnetin e gjithë qytetarëve të Kosovës, jo vetëm të partive politike dhe kur një president dominohet në një mënyrë të tillë, s’ka si ta ketë atë funksion”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Kujtim Shala, anëtar i Kryesisë së LDK’së.
Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se marrëveshja është “një pazar politik i lidhur mes dy kryetarëve të partive, për interesa personale”.
Ymeri hedh dyshime se Pacolli, që është kandidat për president i AKR-së, përfaqëson unitetin e kombit.
“Ai nuk përfaqëson popullin shqiptar fare. Duhet ta kemi parasysh se nuk është puna vetëm e votave. As AKR’ja, e as Pacolli nuk kanë numra të mjaftueshëm të votave për ta përfaqësuar popullin shqiptar, por e dyta që është më serioze dhe më e rëndësishme është që programi i Behgjet Pacollit dhe deklarimet e tij politike nuk janë fare përfaqësuese, e as mbrojtëse të interesit të vullneti të popullit të Kosovës".
"Prapë po e them që Pacolli do të bëhet ndoshta president i Kosovës vetëm si pjesë e një pazari politik, e assesi si përfaqësues, e as si meritë e tij dhe as për shkak të besimit, që i është dhënë nga qytetarët e Kosovës”, tha Ymeri.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e vlerëson koalicionin e ardhshëm si “shkatërrues” për institucionet.
“E vlerësojmë si marrëveshje të mëhershme për shkatërrimin e institucioneve të Kosovës, sepse të dy partitë kanë kontribuar që vendi të shkojë në gjendje të jashtëzakonshme dhe kjo ka ndodhur si pasojë e të gjitha zhvillimeve edhe nga zgjedhjet që kanë dalë me shumë diskutime dhe që kanë rezultuar me votën e manipuluar".
"Prandaj, krejt përgatitjet që në fillim kanë qenë që të ndodhë kjo që ka ndodhur dje në ditën e të dashuruarve normalisht që ka treguar një simbolikë, për këto dy parti”, tha Isufi.
Partitë opozitare hedhin dyshime edhe për programin e ardhshëm qeverisës, meqë siç thonë, nuk ka përputhje mes subjekteve që janë pjesë e Koalicionit Kosova e Re.
Nga ky koalicion, janë zgjedhur deputetë nga radhët e Partisë së Drejtësisë, asaj Socialdemokrate dhe të grupit të ekspertëve.
Kujtim Shala i LDK-së thotë se do të jetë vështirë që të përafrohen qëndrimet.
“Nuk ka një program qeveritar. Nuk e dimë përbërjen e Qeverisë, të asaj që do të propozohet si kabinet, e që do të votohet ose jo. Ne s’kemi parë një program qeverisës, por duke pasur parasysh përbërjen e Koalicionit për Kosovën e Re, ku janë parti politike totalisht të ndryshme, mendoj se është tepër e vështirë që të përafrohen, që të kenë pikëtakime të shumta themelore, që do të mund të prodhonin një program qeverisës efikas”, tha Shala.
Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se në koalicionin e ardhshëm qeverisës PDK-AKR, strukturat janë të përziera dhe pa profil të caktuar.
“Paramendoni qe partia e z. Pacolli ka vetëm katër deputetë, duke mos llogaritur ata që kanë hyrë nga partitë e tjera në koalicion dhe çfarë uniteti mund të paraqesë për Kosovën, sidomos edhe me të gjitha ato që janë thënë në opinion. Prandaj, konsiderojmë se janë kalkulime në dëm të qytetarëve të Kosovës dhe kjo do ta dobësojë edhe më shumë imazhin e Kosovës, qoftë në arenën ndërkombëtare, qoftë te qytetarët e Kosovës”, u shpreh Isufi.