E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundër dhënies së pasurive monumentale me qira

Komisioni parlamentar i Medias thirri sot në një seancë dëgjimore Forumin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Forum i cili shprehu kundërshtinë e hapur të tij ndaj iniciativës së Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Arkeologu Lorenc Bejko u shpreh se shqetësues është fakti se monumentet që janë në listën e dhënies me qira janë monumentet më të rëndësishme të historisë së lashtësisë dhe mesjetës së vendit.

"Legjislacioni e shpreh qartë se në ndërhyrjet në monumentet e kulturës nuk lejohet rindërtimi mbi rrënojat. Të mos ndërhyhet duke rindërtuar gjëra që modifikojnë historinë", tha Bejko. Ende nuk ka një nismë ligjore nga MTKRS në lidhje me dhënien me qira të monumenteve të kulturës dhe kjo sipas, Artan Lames, sepse MTKRS ka legjislacionin e dhënies me qira të objekteve të tjera. "Nuk mund të trajtohet trashëgimia kulturore siç jepet çdo objekt tjetër. Legjislacioni i dhënies së objekteve me qera tek trashëgimia kulturore është absurde të përdoret për shkak të unicitetit të kësaj fushe", tha Lame.

Forumi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, shprehu shqetësimin për aftësinë e strukturave të shtetit për të garantuar një proçes të suksesshëm edhe aty ku ka mundësi ndërhyrjeje, për numrin e madh të monumenteve të kulturës që janë vënë në listën e dhënies me qira, që përbëjnë dhe monumentet kryesore në vend, si dhe për numrin e madh të viteve të dhënies me qira, deri në 99 vjet. Specialisti i monumenteve, Gjerak Karaiskaj, u shpreh se Kalaja e Petrelës është në rrezik dhe biznesi i ngritur aty nuk ka prodhuar asgjë në të mirë të saj.

Gjithashtu, sipas Karaiskaj, sipërfaqja e Kalasë së Lezhës po zihet komplet, ndërtimet në të po e nxjerrin jashtë përdorimit në një kohë kur ajo ka nevojë për gërmime. /Start/

                                                                                             2012-02-27 14:52
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›