E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundër moteleve e qofterive në kala

(Vijon nga numri i djeshëm)
Kjo arrihet, nëse vlerat historiko-shpirtërore të saj do të paraqiten realisht dhe me ndershmëri të lartë shkencore dhe ato do të dirigjohen me profesionalizëm në administrimin e tyre dhe me seriozitet në infrastrukturën financiare. Shkurt, vlera ekonomike ka të bëjë me zbulimin e potencës historike të veprës dhe paraqitjen e saj me veshjen muzeore të kulturuar për vizitorët. Provë për arritjen e suksesshme të këtij aktiviteti është fluksi i vizitorëve të gjithëllojshëm drejt veprës të përgatitur tashmë si objekt muzeor, të cilët sjellin të ardhura si shpenzues, në tërë logjistikën e lëvizjes së tyre, prej udhëtimit, qëndrimit e vizitat, deri te blerjet dhe zbulimet e interesave të tjera në vend. Filozofia profesionale qëndron, se si veprën e trashëgimisë duhet ta veshim me hijeshinë muzeore, pa e cenuar aspak konsistencën dhe autenticitetin e saj shkencor historik. Si shembull të keq, sjellim këtu në mënyrë simbolike, Kështjellën e Petrelës, ku vizitori ‘in situ’ nuk shikon dhe nuk kupton asgjë nga historia e monumentit, për shkak se mbi truallin e monumentit janë ngritur ndërtime të reja, duke e transformuar Kështjellën e Petrelës nga një dokument historik, në një restorant me panoramë.
Paraqitja me vërtetësi e autenticitetit të veprës së trashëgimisë tek vizitori është i vetmi shans që qytetari vendas apo i huaj të tërhiqet për ta vizituar veprën. Këtu ndeshet kultura qytetare dhe konkurrenca e turizmit – koncepti profesional, se kush di ta ruajë me vërtetësi autenticitetin e veprës, duke e veshur atë me kozmetikën dhe infrastrukturën e domosdoshme për t’ia paraqitur vizitorit. Dikush në vendin tonë mendon, se turistin mund ta bësh të vizitojë kalanë e Lezhës, vetëm duke ndërtuar në majë të kalasë një kafe, apo qofteri, apo motel, etj. Kjo është jo vetëm dështim i turizmit, por edhe shkatërrim i monumentit (dokumentit historik). Ajo do të përfundojë si Kalaja e Krujës, rasti që tregon injorancën më të madhe qeveritare dhe popullore në historinë evropiane bashkëkohore të mbrojtjes së monumenteve. Pasi u gërmua dhe u konservua me sukses nga pikëpamja arkeologjike dhe u restaurua si monument kulture dhe u kurua me veshjen muzeore për mëse një dekadë rresht (1974-1987), Kalaja e Krujës u bë monumenti më i vizitueshëm në vend dhe u vlerësua në konferencat ndërkombëtare, si një nga përvojat më bashkëkohore të vlerësimit të monumenteve të mëdha qytetare në mjedisin shkencor evropian. Por menjëherë pas këtij rezultati të spikatur kombëtar, filloi bombardimi i vlerave të saj me ndërtime të paqena dhe pa leje brenda dhe pranë kalasë, duke ngritur restorante, banesa dhe shtesa në monumentet e veçanta, veprime në kurriz të historisë duke shkatërruar autenticitetin e veprës së trashëgimisë. Arritjen e suksesshme, e kthyem kështu në diskreditim të vetvetes. Nëse nuk ndalohet ky tërbim i histerisë popullore dhe ky korrupsion injorant qeveritar, Kalaja e Krujës do të hiqet pas pak kohësh si monument dokumentar i historisë së popullit tonë në mesjetë. Mbas një dekade ajo do të kthehet në një qofteri dhe pazar, ku Mbetjet e Kalasë së lavdishme të Skënderbeut, mbrojtësit të krishterimit evropian, nuk do të duken më. Atëherë në vend të saj, do të ngremë një përmendore, ku brezat e ardhshëm do të lexojnë “Këtu deri në vitin 1991 ka qenë Kalaja e Krujës, dokumenti historik më i vyer i historisë së popullit shqiptar, shkatërruar sistematikisht gjatë dekadave që ky popull kreu stërvitjen për demokraci. Kjo përmendore është ngritur në kujtim të Kalasë së Skënderbeut, dhunuar me dijeninë e qeverive Nr. 1, 2 dhe 3”.
E përsëris dhe e përsëris - “sekreti” për të nxjerrë fitime financiare nga monumenti është paraqitja e tij te vizitori me vërtetësinë historike të asaj që atij i ka mbetur - me ndershmërinë muzeore të vlerave dhe të substancës së tij historike që ka ardhur nga epokat. Ai duhet të paraqitet me veshje muzeore të thjeshtë, të tillë që vetëm vepra dhe historia e saj të tërheqë vëmendjen te vizitori - pa e zbukuruar atë në mënyrë artificiale me manierizma moderniste dekorative, të cilat bien ndesh dhe konkurrojnë autenticitetin e veprës. Paraqitja tek qytetari e veprës së trashëgimisë është një veprimtari me përgjegjësi të madhe tekniko-organizative dhe shkencore. Ajo ka të bëjë me ruajtjen e dokumentit (veprës historike) dhe me ekspozimin e saj në sytë e qytetarit, që ai ta shohë, ta lexojë brendinë e tij dhe ta kuptojë domethënien e saj në kohën kur vepra është ndërtuar (krijuar). Këtë punë nuk mund ta bëjnë diletantë. Nga ana profesionale atë e udhëheqin restauratorë - shkencëtarë dhe teknikë të trashëgimisë kulturore, historianë të arkitekturës, të historisë së artit, të etnografisë, të kulturës popullore, muzeologë të pasurisë arkeologjike dhe të monumenteve të kulturës, pa harruar estetët e trashëgimisë kulturore, etj. Rëndësi po aq të madhe ka qeverisja dhe administrimi profesional i mjedisit ku ndodhet vepra e trashëgimisë, e cila gjithashtu nuk mund të kryhet nga diletantë si në Shqipëri, të cilët i kanë bllokuar këto punë në qeveri, vetëm prej dëshirës për të fituar pará. Kemi një shembull inkurajues të sapofilluar, Parkun Arkeologjik të Butrintit, ku qytetari e ndjen veten të shoqëruar për të marrë mësim, arrin të dëgjojë diçka nga historia dhe “ndodhitë” kurioze të këtij vendi, prandaj ky mjedis arkeologjik është edhe më shumë i vizitueshëm, por edhe me fitime më të mira se sa mjediset e tjera historike në vendin tonë. Por janë shumë të ardhura që mund të vilen nga vizitueshmëria në mjediset arkeologjike të vendit, në kështjellat e kalatë, pa përmendur veprat e tjera të panumërta të trashëgimisë kulturore, nëse do të trajtoheshin si thesar ekonomik po qe se ato do të merrnin trajtimin shkencor dhe qeverisës nën disiplinën teknike të formateve tashmë të sprovuara evropiane.
Aspekti i katërt i vlerës së veprës së trashëgimisë është Vlera Sociale e saj, e cila qëndron në shfrytëzimin e saj si objekt punësimi. Vepra e trashëgimisë është burim punësimi (vepër sociale) prej fillimit deri në fund, prej procesit të zbulimit, studimit, shpalljes si vepër e trashëgimisë kulturore, veprimtarisë institucionale për mbrojtjen e saj, deri në përgatitjen dhe shërbimet ndaj qytetarit, që paguan për vizitën e tij. Pra krijohet një zinxhir ekonomik nëpërmjet investimit të dy fazave të para për mbrojtjen dhe inventarizimin e veprës, akumulimi financiar nga pagesat e vizitorëve, të sponsorëve dhe shitjeve të prodhimeve turistike, si dhe pagesat për të punësuarit e shërbimit të shumanshëm infrastruktural të monumentit. Në këtë zinxhir të punës me veprën e trashëgimisë punësohen njerëz në mënyrë të qëndrueshme nga shumë profesione, si arkeologë, restauratorë, teknikë të restaurimit dhe të arkeologjisë (ekipe të tëra), subjekte të ndërtimit me punonjës dhe pajisje e mjete, ekipe shtetërore e private të qeverisjes administrative dhe të shërbimit teknik të këtyre parqeve apo monumenteve, ciceronë, mjete transporti të logjistikës së lëvizjes së vizitorëve, gjeologe, gjeodezë, fotografë, laborantë, etj. Vendet e zhvilluara të Evropës kanë të punësuar një armatë të tërë qytetarësh dhe subjektesh që merren me të gjitha këto faza të qeverisjes së veprave të trashëgimisë kulturore, bazën e të cilëve e përbën aktiviteti privat. Besoj se shumë prej nesh janë në dijeni se sa fitime kanë shtetet tona fqinje nga shfrytëzimi i veprave të tyre të trashëgimisë. Në Itali për shembull sigurohet gati një e treta e buxhetit vjetor nga industria e turizmit ku lëndën kryesore të saj e zë trashëgimia kulturore. Po Shqipëria? Të gjithë e dimë se çfarë “begatie dhe pasje të madhe” (fjalët e Sami Frashërit) i sjell vendit punësimi masiv. Suksesi i këtij punësimi të qëndrueshëm është vetëm kur ai mbështetet mbi shfrytëzimin e lëndëve të para që ndodhen në vend. Trashëgimia kulturore është pikërisht lënda e parë më e çmueshme e këtij vendi të famshëm e të pazbuluar historik për punësimin e njerëzve të vet, është si një mal me rezerva floriri. Politika e punësimit në këtë vend është të ndërtohen strategjitë për shfrytëzimin e këtij floriri, për të cilin nuk është nevoja të ndërtohen miniera, por të vihen në krye të punëve, dituria, profesionalizmi dhe dashuria për këtë vend të shenjtë të botës, që na ka falur zoti të jetojmë e ta gëzojmë. Dy dekadat e fundit e kanë tronditur nga themelet fatin e ardhmërisë së trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Shumë vepra të saj janë sakrifikuar dhe dënuar me vdekje nga grabitjet, trafikimi, zhdukja e tyre e përhershme nga gropat e ndërtimeve pa leje, nga vjedhjet e zyrtarëve të lartë të shtetit dhe të qeverisë në shpërdorim flagrant të detyrës, nga gërmimet diletanteske dhe plaçkitëse pa plan konservimi të institucioneve dhe arkeologëve të huaj në bashkëpunim me ministrinë dhe institucionet shqiptare përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë, e shumë të tjera. Jemi dëshmitarë të përditshëm se si aparatet ministrore, institutet e specializuara të trashëgimisë, drejtoritë rajonale të trashëgimisë kulturore mbushen me militantë partish për të plotësuar bandat e kusarëve që kanë vite që po plaçkitin veprat e kësaj pasurie të popullit, në vend që punët t’i marrin profesionistët e përkushtuar. Duket se në këto dy dekada, në vendin tonë është ecur qëllimisht në dëm të mbrojtjes dhe të administrimit të trashëgimisë kulturore. Është pikërisht kjo pasuri e trashëgimisë kulturore, ajo që e ka pësuar duke u plagosur rëndë në ekzistencën e saj, të cila nuk po arrin të bëhet dot as vepër ekonomike dhe as vepër sociale. Sepse edhe për veprat që i kanë shpëtuar rrebeshit shkatërrimtar (vandalizmit), nuk është punuar për t’i zbuluar dhe thithur energjinë e tyre dokumentare dhe paraqitjen e jashtme historike, për t’i dhënë vlerën social ekonomike. Sepse institucionet tona qeveritare dhe shtetërore kanë punuar deri tani me instinkte duke e shitur trashëgiminë historike të popullit që nëpunësit e paaftë të fusin pesë aspra në xhepin e tyre, në vend që të punësojnë mija e mija bashkatdhetarë të tyre anekënd vendit, në çdo skaj ku ndodhen këto vepra të florinjta. Kjo veprimtari nuk është marrë si strategji, nuk mendon kush se ajo është një profesion i tërë dhe kompleks që mund t’i sjellë vendit flori. Ja një shembull. Përkarshi Manastirit të Kishës së Shën Naumit në Liqenin e Pogradecit gjendet Kisha Trekonkëshe e Linit, mbi majën e Kodrës së fshatit Lin. Të dyja monumente të shquara shqiptare, pavarësisht se sot ndodhen në shtete të ndryshme. Kisha Trekonkëshe e Linit nuk është aspak më e pafamshme dhe më me pak vlera historike, se sa Kisha e Manastirit të Shën Naumit. Përkundrazi, Kisha e Linit është një nga pararendëset themeluese të përhapjes së krishterimit bizantin, një piketë kuptimplote dhe e pazëvendësueshme e marshimit të krishterimit bizantin drejt botës së ardhshme të qytetëruar, monument me rrezatim në historinë botërore sakrale. E keni parasysh se në cilën gjendje vizitueshmërie ndodhet Kisha Trekonkëshe e Linit në krahasim me kishën tonë në shtetin fqinj, megjithëse në Lin brenda 15 vjetëve të fundit është investuar dy herë me investime të huaja për mbrojtjen e kishës së saj? Pse kishën tonë në shtetin fqinj e vizitojnë mijëra turistë dhe kishën tonë në Lin, as dy për qind e tyre? Përgjigja është e qartë. Shkaqet do t’i shpjegojmë një herë tjetër. Të katër vlerat e përshkruara më sipër të mbledhura sëbashku përbëjnë çmimin që merr çdo vepër e trashëgimisë kulturore. Ky çmim shërben për mbrojtjen e veprës dhe të shfrytëzimit të saj si burim ekonomik social për secilin monument në veçanti. Kjo punë vlerësuese për pasurinë arkeologjike dhe monumentet e kulturës nuk është kryer deri më sot. Prandaj është imediate reforma në trashëgimi, ristrukturimi institucional shtetëror sipas modelit evropian, të cilin e kemi propozuar. Ai do të bëjë të mundur në njërën anë menaxhimin efikas për ruajtjen dhe mbrojtjen e veprave të trashëgimisë si dokumente autentike historike, në anën tjetër harmonizimin e potencës së tyre financiare dhe sociale në ekonominë e madhe të vendit.
Trashëgimia kulturore është një burim i madh për buxhetin tonë kombëtar. Ajo ka mundësi të mëdha të bëhet një industri me burimet vendase në Shqipëri. Jemi përpara një shansi të ri, me ardhjen e forcës së ré politike në qeverisjen e vendit, prej programit dhe angazhimit shpresëdhënës i saj. Është çasti të reagojmë. Duhet të mbledhim mendjen, se kjo punë nuk bëhet nga jashtë, nuk bëhet nga të huajt. Të mbrosh dhe të përdorësh pasurinë e trashëgimisë kulturore është në radhë të parë çështje dashurie dhe krenarie kombëtare. Ne nuk jemi provizorë në këtë vend që quhet Shqipëri. Ky është vendi ynë i vetëm në botë, dje, sot, nesër dhe për 1 milion vjet e më tepër. Veprat e trashëgimisë të këtij vendi janë veprat tona përfaqësuese. Mundësinë e shfrytëzimit të trashëgimisë kulturore në industrinë ekonomike e kemi rrëzuar deri tani vetë né shqiptarët, qeverisja jonë e derisotme me paditurinë profesionale të institucioneve shtetërore dhe shpërndarjen e korrupsionit në çdo qelizë të punës e të jetës. Me zyrtarë plaçkitës e banditë nuk mbrohet trashëgimia kulturore dhe asnjëherë ajo nuk bëhet energji ekonomike për vendin! Qeveria e ardhshme ka një detyrë të vështirë, të vrasë mendjen se si do t’i shfrytëzojë me ndershmëri këto burime të përjetshme, të gjejë teknikët seriozë e të aftë profesionistë, që të jenë mbi të gjitha të ndershëm. Me koncepte qeveritare “importim plehrash” dhe “prodhim e trafikim droge” nuk ka perspektivë ky vend i vogël, tejet i varfër e i pa qytetëruar në mes të Mesdheut apo në kërthizë të Evropës së shekullit 21, ta quajmë si të duam. Asnjë nga këto “projekte” nuk ka perspektivë në Shqipëri, asnjë prej tyre nuk jep ekonomi të qëndrueshme, veçse tregon me gisht një vend të ndotur. As edhe kompanitë e huaja, siç po dëgjojmë qeverinë aktuale, se do të nxjerrin flori në Shqipëri nuk do ta përmirësojnë ekonominë e shpartalluar të këtij vendi tashmë të sfilitur politikisht. Duhet të përveshim mëngët vetë për të nxjerrë nga duart tona, prodhimet tona nga burimet tona. Ky është floriri i së ardhmes tonë. Flori prodhojnë edhe veprat e trashëgimisë kulturore, po të merren në duart e Diturisë e të Ndershmërisë. Ato prodhojnë në mënyrë të pashtershme, pa kufij.
*Arkeolog
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›