E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kundërshtimi i Holandës, Rama: Nuk duhet të biem pre e këtyre lajmeve të parakohshme

Kryeministri Edi Rama deklaroi të martën se qëndrimi i Holandës për Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së lidhet me çështje të brendshme të Holandës.
I pyetur në një konferencë për shtyp mbi lajmin se Holanda ka paralajmëruar se Shqipëria nuk është gati për t’u ulur në tryezën e Parë Ndërqeveritare, Rama tha se, “nuk mund ta pranoj dot që Holanda është më e vëmendshme ndaj standardeve sesa Suedia, Finlanda, Gjermania, Franca e të gjithë me radhë”.
Rama tha se “në qëndrimin e Holandës influencon situata e brendshme në mënyrë shumë të qartë. Përveç se Holanda tradicionalisht ka pasur gjithmonë pozicionet më skeptike në raport me vendet që janë afruar” tha ai. “Shikoni shtypin holandez. Shikoni prej sa kohësh shqiptarët përdoren si gogol në Holandë. Shikoni artikujt që flitet për banda shqiptare të shpartalluara dhe pastaj kur lexon përbërjen e bandës janë dy shqiptarë dhe janë 12 të tjerë holandezë, tek belgë, tek maroken, tek polak. Është politike, është elektorale” tha zoti Rama.
Megjithatë kryeministri shqiptar tha se “Nuk duhet të biem pre e këtyre lloj lajmeve që janë shumë të pjesshme dhe që janë ende të parakohshme për të nxjerrë konkluzione. Ne kemi një raport shumë të mirë me autoritetet holandeze. Unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me kryeministrin e Holandës dhe nuk është çështje e autoriteteve dhe kryeministrit. Kjo është çështje e situatës së brendshme atje që ka për fat të keq një komponent shumë negativ të stimuluar, të instrumentalizuar mbi shqiptarët. Është e thjeshtë fare” tha zoti Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›