Trump, Biden, apeli i fundit ndaj votuesve

Në ditën e tij të fundit të fushatës në përpjekje për të bindur votuesit që ta zgjedhin edhe për katër vjet të tjera në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se në mandatin e tij të dytë, “do të thajmë kënetën e Uashingtonit dhe do të shpëtojmë ëndrrën amerikane”.
Në Karolinën e Veriut Presidenti e vuri theksin tek një rimëkëmbje ekonomike mes pandemisë së koronavirusit, duke premtuar “se do të shpërndajmë në masë vaksinën brenda disa javësh”.
Zoti Trump, në të parin mes pesë tubimeve të së hënës në katër shtete, tha se rivali i tij, ish-nënpresidenti Joe Biden, nëse zgjidhet, “do ta kthejë Amerikën në një shtet-burgu” përmes mbylljeve për të luftuar virusin.
Zoti Biden po bën fushatë të hënën në dy shtete fqinje që janë vendimtare, Ohajo dhe Pensilvani.
“Nuk duam më kaos, postime në Twitter, zemërim,” tha zoti Biden për zotin Trump në tubimin e mesditës në Klivlend. “Karakteri i Amerikës po hidhet në votë.”
Sondazhet në shkallë kombëtare tregojnë se ish-nënpresidenti ka një epërsi prej tetë për qind, por diferenca është shumë më e vogël në shtetet e pavendosura që do të përcaktojnë fituesin.
Ndalesa e përbashkët në itineraret e të dy kandidatëve është Pensilvania, një shtet lindor i Shteteve të Bashkuara ku zoti Biden ka pasur epërsi në sondazhet e fundit, por ku zoti që Trump fitoi në vitin 2016. Fituesi i Pensilvanisë siguron 20 nga 270 votat elektorale që i duhen një kandidati për të fituar një mandat katër vjeçar në Shtëpinë e Bardhë.
Rezultatet nuk pritet të shpallen zyrtarisht për disa javë nga dita e zgjedhjeve. Afatet ndryshojnë nga shteti në shtet. Disa pritet t’i bëjnë ato të ditura brenda një jave, por shumë prej tyre duhet të presin për shpallejn e rezultateve përfundimtare deri në fund të nëntorit apo në fillim të muajit dhjetor.
Prej shumë vitesh, fituesi ka qenë i qartë para shpalljes së rezultateve zyrtare për shkak të parashikimeve të bëra nga organizatat mediatike bazuar në të dhënat nga zonat e votimit. Këtë vit një numër rekord amerikanësh kanë votuar paraprakisht, afro 100 milionë deri të hënën në mbrëmje dhe në kushtet kur shumë prej votave janë hedhur me postë për shkak të shqetësimeve të lidhura me koronavirusin, numërimi në disa shtete mund të jetë më i ngadaltë se zakonisht.