Kuotat e mbetura bosh në universitete
Më shumë se 500 llogariten kuotat e mbetura bosh në universitete, sipas burimeve nga Ministria e Arsimit. Vetëm në Universitetin e Tiranës ka 182 kuota të parealizuara, ndërkohë që MASH nuk ka vendosur ende nëse faza tjetër e regjistrimeve do të kryhet me ulje vize apo me formularin A3. Gjithçka do të vendoset në ditët në vijim, kur të llogaritet numri total i kuotave bosh.
Kuotat bosh
Me përfundimin e regjistrimeve vetëm në Universitetin e Tiranës kanë mbetur 182 kuota të paplotësuara, ku më shumë ka Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 56 kuota bosh, pasuar nga Fakulteti i Ekonomisë me 36 dhe ai i Shkencave të Natyrës me 35 kuota bosh. Edhe në Fakultetin e Infermierisë ka një numër të konsiderueshëm kuotash të paplotësuara, 24, ndërkohë që në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë nuk janë regjistruar vetëm 12 fitues, ndërsa në atë të Shkencave Sociale, 14. Të gjithë ata që shpresojnë të hyjnë në Fakultetin e Mjekësisë apo në atë të Drejtësisë, duket se do ta kenë të vështirë, pasi në total në këto fakultete kanë rezultuar vetëm dy dhe tri kuota të parealizuara përkatësisht.
Të gjitha këto të dhëna i janë dërguar dje Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës dhe Agjencisë të Pranimit dhe Regjistrimit në Institucionet e Arsimit të Lartë. Ndërkohë, dorëzimi i të gjithë dokumentacionit për MASH dhe APRIAL do të përfundojë sot dhe më pas, APRIAL do të vendosë nëse do të vijohet me ulje vize në raundin e ardhshëm të regjistrimit apo nëse do të përdoret formulari A3.
Formulari A3, ende në pikëpyetje
Ende nuk është e sigurt nëse do të përdoret formulari A3 për raundin tjetër të regjistrimeve. “Do të shihet se sa kuota bosh kanë mbetur në të gjitha universitetet dhe nëse këto kuota janë shumë, atëherë do të vijohet me uljen e vizës së fituesve, – tha dje për “standard” zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, znj. Ermelinda Muho. – Nëse do të mbeten pak kuota, atëherë do të vendoset formulari A3, për të gjithë maturantët e shpallur jofitues”.
Këtë vit, për herë të parë, krahas formularit A2, Ministria e Arsimit ka parashikuar edhe një formular tjetër për pranimin në shkollat e larta. Duke parë numrin e madh të raundeve të regjistrimit, Ministria e Arsimit ka vendosur që këtë vit, pas raundeve të regjistrimeve me ulje vize, të mos vijojë më nëse ka shumë pak kuota në dispozicion.
Në këtë mënyrë, ministria do të shpërndajë një formular tjetër, A3, për të gjithë ata që nuk u shpallën fitues në raundet e mëparshme.
Kuotat e mbetura bosh sipas degëve
Fak. Histori Filologji 12
Gjuhë-Letërsi 2
Gjeografi 1
Histori 2
Gazetari 7
Fak. i Mjekësisë 2
Mjekësi e Përgjith. 1
Stomatologji 1
Farmaci 0
Shëndet Publik 0
Drejtësi 3
Infermieri 24
Infermieri 6
Mami 3
Teknik Laboratori 0
Fizioterapi 3
Imazheri 2
Logopedi 7
Infermieri Kukës 3
Fak. Gjuhëve të Huaja 56
Anglisht Tiranë 5
Sarandë Anglisht 3
Kukës Anglisht 1
Italisht 16
Frëngjisht 8
Gjermanisht 7
Rusisht 4
Turqisht 6
Greqisht 2
Spanjisht 4
Fak. Ekonomik 36
Administrim Biznesi 12
Financë 1
Informatikë Ekonomike 0
Ekonomik 1
Kukësi 9
Sarandë 13
Fak. Shkencave Natyrore 35
Informatikë 5
Inxh. Matematike Informatike 1
Matematikë 1
Fizikë 5
Biologji 4
Kimi Ushqimore 8
Kimi Industriale 3
Kimi e Përgjithshme 8
Fak. Shkencave Sociale 14
Psikologji 2
Shkenca Politike 1
Punë Sociale 4
Sociologji 0
Filozofi 7
Total 182
Vlorë
MASH shtyn sërish regjistrimet deri më 6 tetor
Maturantët me mesatare nën 6 kanë afat deri sot në orën 18:00 për t’u regjistruar në Universitetin e Vlorës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes një komunikate për shtyp ka njoftuar të gjithë maturantët fitues në programet e studimit në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, me mesatare nën 6, se kanë afat të regjistrohen pranë këtij Institucioni deri sot, më datë 6 tetor 2009, ora 18:00. Ministria e Arsimit dhe Shkencës shtyn regjistrimin vetëm për këtë kategori studentësh pranë këtij institucioni për të mundësuar regjistrimin përfundimtar të tyre.