E Diel, 1 Nëntor 2026

Kupa, Vllaznia – Teuta

www.albania-sport.com - Teuta fitoi 1-0 në “Niko Dovana” (gol i Vilës) në raundin e dytë të edicionit të kaluar, por ishte Vllaznia ajo që përmbysi shifrat në ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi”, duke fituar 3-1 (Shtubina, Dhëmbi, Smajli) e duke kaluar shkodranët në çerekfinalen e përfolur ndaj Dinamos, e ku më pas kuqeblutë shkuan midis katër më të mirave pas aktivizimit të parregullt të Elis Bakajt nga blutë kryeqytetas.

Edhe në ndeshjen e këtij sezoni, Teuta fitoi në Durrës me rezultatin 1-0 (gol i Vangjel Miles), teksa shkodranët besojnë sërish te përmbysja për të qenë ata në finalen e 9 majit në “Qemal Stafa”.

Ndërsa durrsakët e Ylli Shehut po kalojnë një periudhë jo të mirë në kampionat (renditen në vendin e 9-të, 32 pikë), Vllaznia është duke përjetuar nën drejtimin e Edi Martinit disa javë shumë efektive.

Ndeshja e parë në “Niko Dovana” nuk kaloi shumë e qetë midis dy skuadrave, pasi gjyqtari Kridens Meta dha tre kartonë të kuq, një për Teutën (Erjon Dushku) dhe dy Vllazninë (malaziasi Zlejko Mrvaljeviç dhe anglezi Xhejms Feniks).

Teuta synon jo vetëm finalen e 10-të saj në Kupën e Shqipërisë, por dhe një vend në Europë, pasi renditja në kampionat nuk ia ofron pjesëmarrjen në Ligën e Europës.

Trajneri Ylli Shehu tha: “Në kampionat po rrezikojmë shumë. I jemi larguar shumë objektivit. për të arritur objektivin Europë e vetmja mënyrë është kupa”.

Skuadra durrsake e nis si favorite takimin në Shkodër, pasi mund të kualifikohet me çdo lloj barazimi apo edhe me një humbje ku diferenca do të ishte vetëm një gol më shumë i pësuar.

“Në Shkodër do të shkojmë për të shënuar për vetë faktin se goli nga favorizon. Nuk do qëndrojmë mbrapa. Do vazhdojmë të sulmojmë” tha Shehu.

Dy skuadrat, ndër më të vjetrat në Shqipëri, kanë një histori të gjatë ballafaqimesh direkte, teksa kualifikimet janë të barabarta: 4-4.

Gjithsesi, jo gjithmonë është kualifikuar Teuta kur ajo ka fituar ndeshjen e parë 1-0 në Durrës. Në vitin 1963, viti i parë i përballjeve midis tyre në Kupën e Shqipërisë, Teuta fitoi 1-0 në “Niko Dovana” dhe pas barazimit pa gola në “Loro Boriçi” u kualifikua ekipi durrsak.

E kundërta ndodhi në sfidën e fundit, në vitin 2009. Teuta fitoi 1-0 në Durrës dhe humbi 3-1 në Shkodër.

Gjithsesi, Teuta ka në statistikat e saj edhe fitore edhe barazime në impiantin shkodran, ndërkohë që në katër përballjet e fundit, tri herë është kualifikuar ekip durrsak dhe vetëm një herë Vllaznia, por duhet theksuar, në ballafaqimin e fundit.

Në dy ballafaqimet në kampionat gjatë këtij sezoni, Teuta fitoi 1-0 në fazën e parë në Durrës, ndërsa Vllaznia fitoi 2-1 në Shkodër, e po të biem në “lojën e statistikave”, e kualifikuar “virtualisht” del Teuta.

Vllaznia-Teuta në Kupë

1963: Teuta-Vllaznia 1-0
1963: Vllaznia-Teuta 0-0
Kualifikohet Teuta

1970: Teuta-Vllaznia 0-4
1970: Vllaznia-Teuta 1-1
Kualifikohet Vllaznia

1976: Teuta-Vllaznia 0-0
1976: Vllaznia-Teuta 2-0
Kualifikohet Vllaznia

1979: Vllaznia-Teuta 2-1
1979: Teuta-Vllaznia 1-1
Kualifikohet Vllaznia

1989: Vllaznia-Teuta 2-2
(Ndeshje grupi)

1996: Vllaznia-Teuta 0-1
1996: Teuta-Vllaznia 1-1
Kualifikohet Teuta

2001: Vllaznia-Teuta 1-2
2001: Teuta-Vllaznia 2-1
Kualifikohet Teuta

2003: Teuta-Vllaznia 2-1
2003: Vllaznia-Teuta 1-1
Kualifikohet Teuta

2009: Teuta-Vllaznia 1-0
2009: Vllanzia-Teuta 3-1
Kualifikohet Vllaznia

2010: Teuta-Vllaznia 1-0
2010: Vllaznia-Teuta 07.04

Bilanci i ndeshjeve:
18 ndeshje; 4 fitore Vllaznia, 6 barazime, 8 fitore Teuta. Golaverazhi: 20-18 për Vllazninë

Bilanci i kualifikimeve
I barabartë: 4-4

RRUGA E TEUTËS

Në rrugën drejt gjysmëfinaleve, në turin e parë Teuta eliminoi Vlorën pas dy fitoreve 2-0 (në tavolinë, ndeshja nuk u luajt në Vlorë) dhe 1-0 në Durrës, ndërsa në turin e dytë Partizanin: barazoi 1-1 në Tiranë dhe fitoi 2-0 në Durrës. Në turin e tretë Teuta eliminoi Gramozin: barazoi 1-1 në ndeshjen e parë (në Elbasan) dhe 0-0 në Durrës, duke u kualifikuar me gol në fushën kundërshtare.

TEUTA
Viti i themelimit: 1925
President: Edmond Hasanbelliu
Stadiumi: “Niko Dovana”, Durrës
Pjesëmarrëse: në 57 edicione
Në çerekfinale: 37 herë
Në gjysmëfinale: 17 herë
Në finale: 9 herë
Fituese: 3 herë
Finale të humbura: 6 herë

Fituese: 1994-1995, 1999-2000 2004-2005
Finaliste e humbur: 1957 1974-75 1993-94 2000-2001 2002-2003 2006-2007
Gjysmëfinaliste: 1948, 1949, 1975-1976, 1978-1979, 1982-1983, 1995-1996, 2001-2002, 2009-2010

RRUGA E VLLAZNISE


Në turin e parë, Vllaznia eliminoi Tomorin e Beratit: fitoi 4-0 në Berat dhe 5-1 në Shkodër. Në turin e dytë eliminoi Kamzën: fitoi 3-1 në Kamzë dhe barazoi 2-2 në “Loro Boriçi”. Në ndeshjen e parë të turit të tretë Vllaznia barazoi 0-0 Skënderbeun në Korçë, ndërkohë që në atë të kthimit fitoi thellësisht 4-0 në “Loro Boriçi”.

VLLAZNIA
Viti i themelimit: 1919
President: Valter Fushaj
Stadiumi: “Loro Boriçi”, Shkodër
Pjesëmarrëse: në 57 edicione
Në çerekfinale: 46 herë
Në gjysmëfinale: 28 herë
Në finale: 12 herë
Fituese: 6 herë
Finale të humbura: 6 herë

Fituese: 1964-1965, 1971-1972, 1978-1979, 1980-1981, 1986-1987 2007-2008
Finaliste e humbur: 1965-1966, 1967-1968, 1969-1970, 1985-1986 1998-1999, 2005-2006
Gjysmëfinaliste: 1951, 1951, 1957, 1973-1974, 1976-1977, 1977-1978, 1984-1985, 1987-1988, 1989-1990, 1992-1993, 1997-1978 , 2000-2001, 2002-2003, 2003-2004, 2004-2005, 2008-2009, 2009-2010


Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Marte, 06 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›