Kupa, Shkumbini -Besa

www.albania-sport.com -Trajneri i Shkumbinit, Përparim Daiu, mund të përjetojë një ndjenjë të dyfishtë në kontrast të fortë, pasi nëse tekniku peqinas do ta çonte skuadrën që drejton për herë të parë në finalet e një edicioni të Kupës së Shqipërisë do të shndërrohej në një hero në Peqin, ndërkohë që kavajasi do të shpallej “non grata” në qytetin ku është lindur dhe banon, në Kavajë.
Shkumbini arriti një barazim 1-1 me vlerë në Kavajë kundër Besës, në ndeshjen e parë gjysmëfinale. Endri Bakiu shënoi në minutën e 5-të për formacionin peqinas pas një asisti të Erjon Mustafaj. Besa, në një ditë të errët barazoi në minutën e 26-të me të zakonshmin Daniel Xhafaj pas asistit të Bazjon Tragajt.
Peqinasve u mjafton edhe një barazim pa gola në shtëpi kundër kavajasve për të mbërritur në finalen e 9 majit pas katër dështimeve në gjysmëfinale, e fundit edicionin e kaluar kundër Flamurtarit, e kur midis katër më të mirave kishte mbërritur pasi kishte eliminuar vetë Besën (barazoi 1-1 në Peqin, fitoi 1-0 në Kavajë, autogol i Sokol Ishkës).
Katërshja e donatorëvë të klubit peqinas kanë vendosur një shumë joshëse për kualifikimin: 1 mijë dollarë për kokë. Fusha e Peqinit është ndër më të nxehtat përsa i përket atmosferës, dhe fakti që përveç tribunës të gjitha anët e tjera do të jenë “free of charge” për ultrasit, është një mbështetje e madhe për skuadrën.
Edicionin e kaluar të Kupës së Shqipërisë, kur në ndeshjen gjysmëfinale të kthimit në Peqin ndaj Flamurtarit (1-1), ndodhën incidente të rënda ndaj treshes së gjytarëve italianë të kryesuar nga Gabriele Gava, ky i fundit e mbylli takimin dy minuta përpara kohës së rregullt për shkak se tifozët peqinas goditën me sende të forta një prej anësorëve italianë.
Gjithesi, tifozët kavajas kanë kërkuar praninë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka në fushën e Peqinit. Bosi i FSHF-së, i cili më 9 mars fitoi mandatin e tretë katër vjeçar në krye të insitutucionit ishte i pranishëm në fitoren 2-1 të Besës në Peqin, më 29 gusht 2009.
Trajneri Shpëtim Duro, një nga katër trajnerët që drejtojnë nga fillimi i sezonit në Kategorinë Superiore, është i qartë në idenë e tij: për të luajtur gjithçka për gjithçka.
“Nuk është transfertë e pakalueshme, megjithë vështirësinë dhe historinë e problemeve që kemi pasur atje”. – tha Duro, i cili së fundi ka stërvitur skuadrën e tij edhe për serinë e gjuajtjeve të penalltive.
Në të vetmen ndeshje të zhvilluar në Peqin gjatë këtij edicioni, Besa e Shpëtim Duros fitoi 2-1, çka provokoi edhe shkarkimin e trajnerit të atëhershëm të Shkumbinit, Gugash Magani (aktualisht në bankinën e Flamurtarit).
Besa, ndryshe nga ajo e vitit 2009, kur rivalizoi gjatë Dinamon në garën për titull, në vitin 2010, thuajse është e hija e vetes, duke humbur vazhdimisht terren edhe pse është ende e dyta në renditje, por me tri skuadra pas vetes, Laçin, Tiranën e Shkumbinin, me të cilët i ndan vetëm 2 pikë.
Besa, që nga ana e saj e ka fituar vetëm një herë Kupën e Shqipërisë, duke mposhtur në finale Teutën (3-2) në edicionin 2006-2007, ka përballë një Shkumbin, që jo vetëm e eliminoi në çerekfinalet e edicionit të fundit, por dhe që drejtohet nga një ish-lojtar dhe ish-trajner i kavajasve, Përparim Daiu.
Besa eliminoi në çerekfinale kampionen në fuqi dhe finalisten e sezonit të kaluar të kupës, Tiranën, ndërkohë që Shkumbini mbërrin në gjysmëfinale, duke eliminuar liderin dhe kampionen e ardhshme të Superligës, Dinamon, madje duke i mundur dy herë blutë, duke e çuar në 3 numrin e fitoreve në katër përballje me blutë.
Shkumbini është regjur paksa me gjysmëfinalet, pasi ka marrë tre herë në katër edicionet e fundit, ndërkohë që për Besën, kjo është gjysmfinalja e dytë në dhjetë edicionet e fundit, pavarësisht se në total ka marrë pjesë 11 herë.
Shkumbini-Besa në Kupë
1963: Besa-Shkumbini 7-0
1963: Shkumbini-Besa 1-3
Kualifikohet Besa
1991: Besa-Shkumbini 2-0
(Ndeshje në grup)
2001: Besa-Shkumbini 0-1
2001: Shkumbini-Besa 3-0
Kualifikohet Shkumbini
2007: Shkumbini-Besa 3-3
2007: Besa-Shkumbini 1-1
Kualifikohet Besa
2009: Shkumbini-Besa 1-1
2009: Besa-Shkumbini 0-1
Kualifikohet Shkumbini
2010: Besa-Shkumbini 1-1
Bilanci i ndeshjeve:
10 ndeshje, 2 fitore Shkumbini, 4 barazime, 3 fitore Besa. Golaverazhi: 12-18
Bilanci i kualifikimeve
2-3
ÇIFTI BESA-SHKUMBINI
RRUGA E SHKUMBINIT
Në turin e parë Shkumbini eliminoi Memaliaj e Kategorisë së Parë me dy fitore të ngushta: 1-2 në Memaliaj dhe 1-0 në Peqin. Në turin e dytë eliminoi Kastriotin: barazoi 1-1 në Krujë dhe fitoi 1-0 në Peqin. Në ndeshjen e parë çerekfinale fitoi 2-1 kundër Dinamos në Peqin, ndërsa në atë të kthimit në Tiranë fitoi 1-0.
SHKUMBINI
Viti i themelimit: 1925
President: Ali Dyrmishi
Stadiumi i Peqinit
Pjesëmarrëse: në 21 edicione
Në çerekfinale: 10 herë
Në gjysmëfinale: 4 herë
Në finale: 0 herë
Fituese: 0 herë
Finale të humbura: 0 herë
Gjysmëfinaliste: 1999-2000, 2006-2007, 2008-2009, 2009-2010
RRUGA E BESES
Në rrugën drejt gjysmëfinaleve, në turin e parë Besa eliminoi Pogradecin e Kategorisë së Parë me dy fitore të ngushta: 3-2 në Pogradec dhe 1-0 në Kavajë. Në turin e dytë eliminoi Laçin: fitoi 0-1 në takimin e luajtur në Lezhë dhe barazoi 1-1 në ndeshjen e kthimit në Kavajë. Në turin e tretë, çerekfinalet, Besa eliminoi Tiranën: fitoi 2-0 në Kavajë dhe humbi 4-2 në kryeqytet, duke mbërritur në gjysmëfinale.
BESA
Viti i themelimit: 1925
President: Nexhat Bizhdili
Stadiumi: “Besa”, Kavajë
Pjesëmarrëse: në 52 edicione
Në çerekfinale: 22 herë
Në gjysmëfinale: 11 herë
Në finale: 7 herë
Fituese: 1 herë
Finale të humbura: 6 herë
Fituese: 2006-2007
Finaliste e humbur: 1961, 1962-163 1970-1971, 1971-1972, 1980-1981 1991-1992
Gjysmëfinaliste: 1957, 1958, 1964-1965, 2009-2010
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 06 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili