E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa e Konfederatave Brazili fiton titullin

Katër gola në pesë ndeshje. Shumë magji dhe spektakël me topin. Nejmar i kalon të gjithë në Kupën e Konfederatave, duke fituar “Topin e Artë” të këtij turneu.  I tranferuar vetëm pak javë më parë te Barcelona për 57 milionë euro, sulmuesi 21-vjecar kalon të gjitha pritshmëritë. Ai udhëhoqi Brazilin drejt trofeut të katërt në “Botërorin e Vogël”. Nejmar la pas Andres Iniestën, fitues i “Topit të Argjendë”. Spanjolli ishte një nga lojtarët më të mirë të Spanjës finaliste. Por kaq nuk ka mjaftuar për ndihmuar skuadrën e tij.  Surpriza është vendi i tretë i Paulinjos. Mesfushori kërkohet prej kohësh nga skuadrat më të mëdha të Europës. “Topi i Bronzit” i fituar në Kupën e Konfederatave do të bëjë akoma më fortë garën e klubeve për të patur shërbimin e tij.  I kritikuar jo pak për paraqitjen e tij në Kupën e Konfederatave, Fernando Torres arrin të fitojë “Këpucën e Artë” si shënuesi më i mirë i turneut. Vendimtarë katër golat e shënuar në ndeshjen kundër Tahitit.  Nuk mjaftojnë tre 11-metërshat e pritur kundër Uruguajit. Xhanluixhi Bufon mundet nga Julio Çezar në garën si portieri më i mirë i Kupës së Konfederatave. Braziliani fiton cmimin, duke plotësuar triumfin brazilian në këtë kompeticion.    

Kupa e Konfederatave, Brazili fiton titullin pasi mund Spanjën 3-0 në finale Brazili është fitues i Kupës së Konfederatave në futboll. Skuadra e trajnerit Skolari mundi thellësisht Spanjën 3-0 në finale, duke qenë fituese e merituar e duke vënë kandidaturën më serioze të mundshme për kupën e botës vitin e ardhshëm. Finalja në “Marakana” thuajse nuk pati histori, falë dy golave të shënuar nga Fred dhe një nga Nejmar. Fred realizoi që në fillim, gol sakrifice dhe zgjuarsie. Spanja nuk pati forca për të reaguar, ndonëse pati pretendime ndaj gjykimit. Vendasit krijuan raste të tjerë dhe mund të kishin shënuar më shpejt golin e dytë. Portieri Kasijas u tregua vendimtar në disa raste. Kampionët e botës iu afruan shumë barazimit, por David Luiz ishte vendintar ndaj Pedros. Reagimi brazilian erdhi i shpejtë dhe Nejmar shënoi golin e dytë. Menjëherë pas pushimit, Brazili shënoi edhe golin e tretë duke mbyllur ndeshjen. Skuadra e Luiz Felipe Skolarit duket krejtësisht e ndryshuar tashmë, ndërsa Spanja mbetet kampione e botës dhe e Europës në fuqi, por kjo humbje e trondit. Kjo ishte Kupa e katërt e Konfederatave fituar nga Brazili.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›