Kupa e Mbretit, Betis përmbys Rajo Vajekanon

Veprimtaria më e vjetër e futbollit spanjoll, Kupa e Mbretit, siç njihet ndryshe Kupa e Spanjës, rikthehet këtë mesjavë me dy duelet e para të këtyre gjysmëfinaleve. Ndryshe nga formula e deritanishme e këtij sezoni, ku gjithçka është përcaktuar nga një përballje e vetme, gjysmëfinalet e kësaj veprimtarie do të luhen me sistem vajtje-ardhje. Dhe të mërkurën në mbrëmje është luajtur takimi i parë i duelit të parë, Rajo Vajekano-Real Betis.
Skuadra modeste e kryeqytetit spanjoll, Rajo Vajekano, e cila arriti në gjysmëfinale të Kupës, duke e eliminuar Majorkën, ka patur nevojë për vetëm 5 minuta lojë, për të gjetur golin. Futbollisti i Kombëtares kuqezi, Ivan Balliu, ka depërtuar në të djathtë të sulmit të tij dhe ka pasuar në qendër për Alvaro Garsian, që nuk e ka patur të vështirë të shënojë.
Por skuadra mike reagon dhe nis të këmbëngulë gjithnjë e më tepër dhe 21 minuta më pas, Real Betisi reagon pas goditjes së beftë të Borha Iglesiasit.
Në vijim loja ka qenë e barazpeshuar dhe në barazpeshë edhe në shifra do të mbyllen 45 minutat e para. Ato të dytat kanë parë Betisin të mbizotërojë në lojë dhe të gjejë madje, 22 minuta para fundit të kohës së rregullt, edhe golin e përmbysjes, me autor Uilliam Karvajon.
Real Betisi e mbron fitoren deri në fund dhe mund 2-1 Rajo Vajekanon, që ka arritur në gjysmëfinale të Kupës për herën e parë në këto 40 vitet e fundit. Siç dihet, kjo veprimtari është një nga ekskluzivitetet madhore sportive të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që po sjell takimet më të spikatura.
Dhe në duelin tjetër të gjysmëfinaleve, Atletik Bilbao do të ballafaqohet me Valencian, në takimin që do të vijë të enjten në mbrëmje, po duke nisur nga ora 21:00, në RTSH Sport. Ndeshjet e kthimit të Kupës së Mbretit do të luhen më 2 dhe 3 mars 2022.