Kupa e Spanjës: Bilbao shkon në finale, e pret Barcelona

Kupa e Spanjës, një ekskluzivitet i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar ka njohur të enjten finalisten e dytë, që është Bilbao, e cila do të përballet në finale me Barcelonën.
Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, skuadra e trajnerit Marcelino ka arritur të bëjë mrekullinë në shtesë, duke marrë një fitore 2-1 në fushën e Levantes, që i ka dhënë biletën për në finale. Një sfidë emocionuese, me vendasit që kanë arritur të gjejnë avantazhin në minutën e 17-të me anë të Roger.
Por Bilbao ka arritur të vendosë barazpeshën pas gjysëm ore lojë me anë të Garcia, i cili ka ekzekutuar saktësisht një 11-metërsh. Rastet për gol nuk kanë munguar në vazhdim por rezultati ka mbetur i pandryshuar deri në fund.
Gjithçka e barabartë, 1-1, me rezultatin e përgjithshëm 2-2, që do të thotë se skuadrat duhet të shkojnë në shtesë. Pikërisht në këtë fazë të lojës, është Bilbao që tregohet më e saktë. Në minutën e 112-të, Berengue ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës, duke siguruar biletën e finales për skuadrën e trajnerit Marcelino.