Kupa e botës është penicilina që ruan paqen
Kampionati botëror nuk është vetëm ndeshje futbolli, por edhe projektimi simbolik i betejave epike dhe luftarake. Ndonëse futbolli është për shumë veta një fëmijëri e rigjetur, ka shumë gjasa të jetë shija e një emocioni të përbashkët dhe e një lufte të simuluar. Futbolli është i bukur sepse është epik, ritual, ludik dhe fizik ku raportet e forcës janë elementare dhe të dukshme, në dritë të diellit - kësaj radhe afrikan. Jabulani
është emri zulu për të “festuar” dhe duke festuar topin e futbollit në kupën e botës afrikane, që bashkë me këmbët dhe tribunat e mbushura plot ne rrëfejnë një mituri kolektive që nuk do të mbarojë por që rigjenerohet në një rit antik.
“Botërori” siç quhet ndryshe është vaksina rituale e injektuar virtualisht. është penicilina që nëpërmjet medieve injektohet në nënndërgjegjen kolektive të kombeve për të na ngushëlluar ndaj të këqijave të një paqeje të gjatë. Loja e futbollit është e përligjur nga maxhoranca e popullsisë sepse është një simulakër - një imazh që i përafrohet realitetit, por që nuk është e tillë - i luftërave civile kombëtare në kampionatet kombëtare, por edhe një rrejshmëri në televizion e luftërave botërore çdo katër vjet.
Kështu që kemi Botëror gjithandej, në punë, në gazeta, emisione televizive tematike dhe jotematike, në loto, klube, restorante, por edhe në parlament, aty ku PD-ja dhe PS-ja lëshuan batuta vuvuzelash me salcë botërori, me topa në fushë, etj. Po kështu, të nesërmen komentime pa fund për rendimentin e lojtarëve, të arbitrit dhe të të gjithë faktorëve që kanë të bëjnë me fushën e futbollit. Bile së fundmi në ndeshjen Angli-SHBA, për të paharrueshmen gafë të portierit anglez Gren, të gjithë mediet britanike patën një prurje informacionesh analitike aq të ekzagjeruara, saqë shkuan gjer aty sa të gjenin shkakun e asaj pritje balerine të topit në ndarjen nga e fejuara të portierit të kombëtares, duke e psikoanalizuar në maksimum një gabim njerëzor. Një terrorizëm mediatik që nuk pati kufi.
Ndeshjet e futbollit janë përballje emocionesh mes nacionalistësh, besimesh, regjimesh që urrehen midis tyre, përballjesh ndëretnike, ndër-racore, etj. Duhet gjithmonë të fitohet për dhe mbi diçka. Himnet kombëtare që u paraprijnë ndeshjeve, janë pothuajse të gjitha luftarake, a të paktën jopaqësore. Sepse himni paqësor ngjan se s’ekziston. Pas fushës së gjelbër ngrihen fortifikimet si në një pyll të egër zanafillor, ku një popull i tërë kujton britmat nxitëse dhe duart me thonj të gjatë që kërkojnë të ngulen diku, në mënyrë simbolike përpara televizorit ose në stadium. Kemi 11 lojtarë, më të mirët e tribusë që përballen me një fis tjetër për lavdinë e historisë, ku çdo britmë ka brenda një jetë. Imagjinoni vetëm për një moment një ndeshje Kosovë-Serbi, ose Izrael-Hamas apo Izrael (SHBA) - Iran, do të kemi një hiper-luftë, jo një luftë të çfarëdollojshme. çdo
vend që ka skuadrën në kampionatin botëror në Afrikën e Jugut, ka nxjerrë në dritaren e shtëpisë së vet flamurin kombëtar, atë flamur që më përpara e valëviste kur ishte fituar një betejë a ndoshta një luftë. Nderi i flamujve që kanë ushtarakët nuk është vetëm një gjetje prej ushtarakësh, por një kodifikim simbolik i mundit dhe djersës për të fituar dhe
ruajtur nderin. Përshembull, dy skuadrat më rivale në botërorë midis tyre janë Anglia dhe Argjentina. Dhe ky rivalitet ka arsyet e veta historikë: Argjentinasit, të ndrydhur nga lufta për Ishujt Folkland (apo Maldive më 1982) me Anglinë, kur u ndeshën në Kampionatin Botëror të 1986, e famshmja “Manos de dios” (dora e zotit) e Maradonës u dha fitoren, që më pas solli edhe fitimin e botërorit. Ngjau dhe u përjetua fiks si një hakmarrje simbolike. Bile është një vend në Argjentinë, ku është ngritur edhe një kishë, ku në vend të Jezu Krishtit gjendet imazhi i Diego Armando Maradonës. Kurse në Angli në të kundërt të argjentinasve që e quajnë “Manos de dios” (dora e Zotit) ata e quajnë “The hand of the Devil” ose Dora e djallit. Pra siç duket futbolli ka filozofinë e vet të jetës.