E Shtunë, 31 Tetor 2026

E. Kristaq Rama dhe ultimatumet e tij antiligjore

A mund të thyhet ligji në emër të “transparencës”?

Edvini duket se e ndjen veten afër përfundimit të asaj montaturës së humbjes zgjedhore të tij, më 28 nëntor të vitit 2009. Ngritja e një rebusi është bërë zakon që, në rastin më të mirë, të quhet kazus, - por që në të vërtetë është orvatja për të krijuar një ngërç që të asfiksojë, me agresivitet të pashembullt, Lëvizjen për Mendimin Ndryshe në radhët e tij, - por edhe për të grumbulluar rreth vetes një mori populistësh. Në këtë pakicë brenda opozitës, janë ata që rrëmujën e kanë në gjak dhe s’e kanë për gjë se e komprometojnë kryetarin e pakurorëzuar të tyre, sepse nderin dorën për të marrë paret e premtuara e të vëzhgohen nga kamerat që nuk janë krejtësisht të fshehta. Ky mund të quhet korrupsion i bojkotit për të cilin E. Rama s’i merr lejen kurkujt dhe mund të quhet vetëm bojkot për interesa vetjake të tij. Këtej, edhe shifrat e pjesëmarrjes së “manifestimeve”, me etjen e medieve të Ramës (dhe të të pavotuarve, tashmë në zallamahinë e tij) për t’i dhjetëfishuar të pranishmit, me qëllime propagandistike. Shifrat e njëmendta i ka nxjerrë analisti Artan Hoxha, duke e nisur llogaritjen e tij nga një metër katror, që nuk mund të përmbajë më shumë se katër- pesë persona. Në këtë drejtim këtyre fryrësve të tollombazeve, ua prish humorin krahasimi i pranisë së njerëzve në atë vërshimin fenomenal të personave, të grumbulluar spontanisht, jashtë kornizave korruptuese e mashtruese të gjurulldive të bashkiakëve të së majtës. E kemi fjalën për 8 dhjetorin e vitit të kaluar, të cilin majtistët duan ta lënë në harresë. Këtu është fjala për 500 mijë demokratë, sido që të bëhen llogaritjet për m²! Sepse u zotërua i gjithë Sheshi Skënderbej, por edhe pjesë të rëndësishme të të gjitha bulevardeve dhe të rrugëve që të çojnë në këtë shesh!
Kësisoj ultimatumet antiligjore të Ramës, në emër të transparencës, janë vetiu të diskredituara. Fjala “transparencë” do të thotë, në shqip, një nocion abstrakt që ka lidhje me të tejdukshmen. Pra, një fenomen transparent, thjeshtësisht mund të përdorej si një dukuri e qartë. Por, në të gjitha veprimet anarkiste të Ed Ramës, ai nuk numëron dot asnjërin prej tyre, që të jetë i qartë. çdonjëri është i ngërthyer nga paqartësia! Dhe kjo e bën, hap pas hapi, zbuluesin e fjalës magjike, që të bjerë ndesh me ligjshmërinë shqiptare, domethënë me Kushtetutën, apo me ligjet e vendit tonë.
Kjo PS, që sot komandohet, pa të drejtë të asnjë mendimi paksa ndryshe, nga Ed Rama, është bërë mohuese e çdo përparimi e suksesi të qeverisjes duke mos dhënë, - siç është shprehur zv/kryeministri Ilir Meta, - asnjë kontribut pozitiv në drejtim të proceseve integruese. “Ka gati një vit që opozita nuk ka votuar për asnjë ligj”, - vazhdon I. Meta. Dhe, më tej, thotë se “shqiptarët nuk kanë përse të shqetësohen për interesat personale të një të dështuari politik i cili krizën e tij vetjake kërkon ta faturojë te të tjerët”.
Mund të citohet edhe “Shekulli”, fare pranë Ramës, i cili në faqe të parë , shënon një titull me shkronja të mëdha: “Nuk votojmë ligje pa hapur kutitë”. Kjo frazë përmban, qoftë edhe pa dashur, një të vërtetë absolute të synimeve ultimative të Edvinit. Në faqe të brendshme flitet për grupin parlamentar socialist “që vendosi votimin kundër ndryshimit të rregullores së Kuvendit, të propozuar nga deputetët e mazhorancës , por edhe mosdhënien e konsensusit për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar deri në bërjen e transparencës së zgjedhjeve”! Përsëri fjala “Transparencë”! Projektligji për qenien në harmoni të të dy palëve për dëshirën e përbashkët të të gjithë vendit për liberalizimin e vizave, për shembull, nuk mund të gjejë një miratim të përbashkët e të bëhet ligj i dalë njëzëri nga parlamenti ynë, sepse kjo mund të arrihet me kushtin që të hapen kutitë! Pra, paska edhe projektligje që shndërrohen në ligje me 2/3-t që u interesojnë të dyja palëve. Le të niset nga këto. Por Rama s’do t’ia dijë që s’miratohen prej deputetëve që urdhërohen nga ai, po nuk u përmbush kushti i hapjes së kutive! Ky është një ultimatum, për ata që e njohin kuptimin dhe konceptin e kësaj fjale. Në këtë këndvështrim, opozita që drejtohet nga Rama është ekzemplare dhe tejet e pangjashme me asnjërën nga të majtat që i njohin parimet demokratike, që dinë të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët në instancat euroatlantike. Kutitë kanë miratimin e faktorit ndërkombëtar, firmat e 20.000 komisionerëve nga më të besuarit e Ramës dhe të mandatuar prej tij, si edhe një vendim të organeve ligjore që merren me ligjshmërinë e Kodit Zgjedhor. Neni 178 i Kodit Zgjedhor është i qartë. Sipas këtij neni mund të hapen kutitë që përmbajnë materialet zgjedhore. Por Edvini nuk është i kënaqur me kaq. Ky nen përmban edhe pikën 6 të tij. Këto kuti të fletëvotimeve, me vullnet dhe me firmë të të dy palëve, (domethënë edhe të Ramës) nuk hapen, pas dhënies së përfundimeve zgjedhore nga KQZ-ja. Sipas këtij neni, fletët e votimeve nuk mund të hapen, por do të digjen, - siç bëhet në të gjithë botën demokratike, - për të zbrazur kutitë në zgjedhjet pasardhëse. Por rrumujaxhinjtë e anarkistit Rama e kanë bërë lajtmotiv parullën: “Hap kutitë, ose ik”. I drejtohen Berishës, që të bëjë një veprim kundërligjor, ose të dorëzojë pushtetin! Kur e paska në kompetencë të tij dr. Berisha që t’i hapë, le ta bëjë këtë vetë E. Rama; se të dy kanë qenë bashkëfirmëtarë. Pse s’e bën? Ja, në mënyrë të dukshme, budallallëku i këmbënguljes, për një gjë të kundërligjshme!
Tani është rasti për ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor. Me inatçillëkun se asgjë nuk bëhet pa u hapur kutia(!) (ultimatum për hapjen e kutisë së fletëve të votimit, pika 6), as për këtë nuk i ofrohet një kompromisi Edvin Rama! Bukur, thonë juristët e shquar që kanë pasur ofiqin e kryetarit të KQZ-së, si çlirim Gjata, Kume etj. Një nga këta është shprehur: “Në qoftë se do të bëhen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, le të bëhen sa më shpejt. Ndonëse kjo nuk është një gjë determinante, se ligji është. Dhe zgjedhjet mund të bëhen shumë të mira edhe me këtë ligj, por që këtij mund t’i bëhen edhe ndryshime” . Më qartë se kaq s’ka ku të vejë. Por Edvini është kryeneç dhe s’do t’ia dijë as për ligjet. Nuk kupton se mbetet në fuqi Kodi Zgjedhor që është ligjëruar dypalësh dhe që, disa muaj pas zgjedhjeve, është kontestuar nga firmuesi, që është bërë pishman! Përse nuk i bën ndryshimet e mundshme, kur qenka me pishmanllëqe? Që të vazhdojnë në pafundësi grindjet kot më kot?
Fjala “transparencë” kërkohet të bëhet e famshme, dhe të mund të mbahet mend jo si kjo thënie e Madamë Roland dë la Platièrë, në kohën e Revolucionit francez të vitit 1789: “O liri, sa krime bëhen në emrin tënd” . Krahasimi është përkeqësues: “O transparencë, sa budallallëqe janë thënë në emrin tënd!”. Sepse Rama është personifikimi i mjegullnajës, i mistereve, i paligjshmërisë, absolutisht jo i transparencës. Janë sjellë një duzinë e më shumë raste. Unë po sjell vetëm një:
Rreth 7-8 veta, të krahut të djathtë, ishin orvatur që t’u bënin një pyetje miqve të tyre, që nga koha e gjimnazit: Përse E.Rama refuzoi të merrte pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit, në ndryshim nga të gjithë kryetarët e partive në Europën Perëndimore e më gjerë? Ndër të gjithë të pyetur majtistë, (nja 13 ose më shumë), pyetësit nuk kishin marrë asnjë përgjigje të kënaqshme, Madje, më shumë se gjysma prej të majtëve, ndonëse intelektualë, kishin ngritur supet dhe u ndodhën keq!
Ja “transparenca” e E. Ramës, e mbështjellë jo me velin, por me rrobën e errët të misterit! Këtë gjë e di shumë mirë grupimi i LMN-së, së cilës i ka hyrë drithërima dhe nuk bëzan! Përse ka rënë squk kjo lëvizje për mendimin ndryshe? Le ta sqarojë Edvin Rama, ndonëse ai është personi që mund ta bëjë transparente pyetjen, duke kallur rrenat e mashtrimin, në vend të së vërtetës!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›