Edvini mbyllet në bunker, u trembet Europës dhe zgjedhjeve
Arratisja nga konkurrimi në zgjedhjet vendore dhe vetëmbyllja në bunkerin politik, trashëgim prej Bllokut, do të sjellë nxjerrjen e PS-së nga sistemi politik, shndërrimin e saj në një parti politike minore dhe nxjerrjen e Edi Ramës në pension politik. Vetëmbyllja është një akt kamikaz, por Edvini e ka si të vetmen rrugë për të mos dhënë llogari para elektoratit
Partia Socialiste e Edi Ramës dje është mbyllur edhe më shumë në lëvozhgën e vet postdiktatoriale, në bunkerin poroz të autokracisë që e ka origjinën tek Kulla e Pezës. Ministri i fundit i Sigurimit të Shtetit jepte dje në parlament leksione demokracie, me atë mendësinë e vjetër të segmenteve pushtetore që ekzekutojnë secilin që kalon kufirin për të ikur jashtë shtetit dhe likuidojnë politikisht secilin që përpiqet të sjellë demokraci nga jashtë. Paralelisht me ministrin e Sigurimit të Shtetit, mendësinë e bunkerit e artikuloi dje edhe vetë kryetari i PS-së, i ngarkuari i Bllokut për të marrë në kujdestari ish-komunistët pas 90-s. Edi Rama lëshoi dje mallkimet e radhës ndaj ndërkombëtarëve që s’pranuan të merrnin me pa të drejtë anën e tij, ndërkohë që përsëriti angazhimin se do të bëjë çmos, megjithë stinën e nxehtë të verës dhe rreziqet për epidemi, për të ndalur progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. “Ne nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë, tha Edi Rama, ne nuk lëkundemi në përpjekjen tonë për të gjetur zgjidhjen e kompromisit që i hap rrugë transparencës, ne nuk ndalemi në rrugën e betejës sonë për transparencë dhe liri e ndershmëri të garantuar të zgjedhjeve.
Do të vazhdojmë përpara me dinjitetin e një opozite që nuk e negocion lirinë e saj, nuk i fal e as i shet të drejtat e saj, nuk e braktis për asnjë arsye e çmim një kauzë për të cilën ka dëshmuar se është e gatshme të sakrifikojë shumëçka dhe të mos kursejë asgjë”. Leksionet e antidemokracisë që vijnë nga bunkeri, dje i ka sqaruar më tej një tjetër politikan androgjin, mes diktaturës dhe demokracisë, pinjolli i Bareve komunistë, Besniku i Edvinit. “Në Shqipëri ende nuk është vendosur si duhet ajo që është themelore për një demokraci”, thotë Besnik Bare.
Mbyllja e Partisë Socialiste në bunker mundet veçse të izolojë brezin e dytë të nomenklaturës nga zhvillimet globale. PS mund të mos e japë konsensusin e vet për miratimin e reformave që aq shumë duhen për marrjen e statusit të kandidatit, por ky vendim i ngjan më shumë vendimit të kamikazit, i cili e hedh veten në erë, sa nga turpi se i ka dështuar aksioni, aq edhe nga dëshpërimi se do të demaskohet e do të bjerë në duart e drejtësisë. Fshehja nga gjyqi i pritshëm i dështimit të zgjedhjeve vendore mund të funksionojë, duke u vetëmbyllur në bunkerin politik që Blloku ka lënë trashëgim për Edi Ramën. Vetëmbyllja mund të ketë sukses personal për njëfarë kohe, por në një vështrim afatmesëm, zgjedhja për t’u izoluar, për të dalë nga sistemi i konkurrimit në zgjedhje dhe i ndarjes së pushtetit, sipas verdiktit që jep elektorati, sjell veç tkurrjen e PS-së dhe shndërrimin në një formacion terciar të politikës. është një përzgjedhje e vullnetshme, veç për të ruajtur primatin në bunker, por defaktorizimi do të sjellë edhe padobinë e kësaj mase.
I.N