E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuptimi dhe keqkuptimi i Tryezës

Jo vetëm sytë e veshët, mikrofonët dhe kamerat, debatet dhe analizat, por gjithë qenia e shqiptarëve të politizuar, këto ditë është mbërthyer te shqetësimi i natyrshëm: “Tryeza e Topit”, të shtunën do të sjellë apo nuk do të pjellë dot një marrëveshje mes dy të mëdhenjve? Kjo është çështja jonë e transformuar tashmë në një kryeçështje mbarëkombëtare, gati-gati hamletiane! Pra, nga kjo Tryezë, prej së cilës varet hapja ose mos-hapja e kutive të votimit, varet edhe fati i mëtutejmë i demokracisë, fati i parlamentit bashkë me mandatin e deputetëve, si dhe reformat, integrimi, vizat, sistemi i Drejtësisë, tensionet politike, konfliktet partiake e sociale, protestat, investimet, sherrnaja, pavarësia e institucioneve, madje dhe vetë kriza jonë politike e përgjithshme morale. Gjithçka, pra, tani duket se do të jetë në mëshirë të mbarëvajtjes së “Tryezës së Topit”, e cila në fakt vetëm formalisht do të gjendet në tryezën e President Topit. Thënë më shkoqur: rrjedha e ngjarjeve të pritshme, pra nëse do të kemi apo nuk do të kemi energji, nëse do të hapen apo nuk do të hapen (kutitë) digat e konflikteve të nesërme, nëse do të kemi apo jo paqtim, përmbytje e katastrofa të tjera, - këto e plot të tjera hasmosje e kacafytje ndërpartiake, ashiqare del se nuk janë në duar të qytetarëve, të votuesve, të interesave të qytetarëve, madje as të dy partive kryesore, po të dy kryetarëve të gjithëpushtetshëm....Kjo do të thotë se fati ynë i mëtejshëm do të varet nga vullneti i dy njerëzve të plotfuqishëm për t’u marrë apo, qoftëlarg, për të mos u marrë vesh mes vedi! Kjo pra është demokracia që ne po gëzojmë sot për sot! Ne pra jemi të varur e të ndërvarur, në të gjitha kuptimet e nënkuptimet, nga vullneti, nga vendimmarrja, apo edhe nga ndërgjegjja e një njeriu, e Berishës dhe e sozive të tij! *** Dihet se sa herë në Shqipëri ka konflikte të çuara deri në zgrip, sa herë lindin mosmarrëveshje e kolokrepsje politike që duken të pazgjidhshme, çelësi i zgjidhjes së tyre përherë do të kërkohet nga ndërkombëtarët te “sirtarët” e padukshëm të Tryezave të partive, që do të thotë: të mëdhenjtë e këtij vendi problematik e hallemadh, ndonëse të hasmosur e të inatosur keq e mos më keq mes vedi duhet të detyrohen, me hir e pahir, të pranojnë, njëlloj si avionët me defekt, të bëjnë ulje të detyruar në tryezën e bisedimeve për t’u marrë vesh, për të gjetur, si thuhet me një gjuhë më politike, “një konsensus”... Të kapur për veshi si fëmijë kapriçozë, plangprishës e të pabindur, pranimi prej udhëheqësve tanë të lartë “i uljes’ së tyre në një “Tryezë bisedimesh”, apriori do të quhet më pas si një tjetër sukses, dmth si “gjysma e punës”, si një dhuratë tjetër e tyre për ne qyqarët (desha të them për ne qytetarët) e pafajshëm që vazhdojmë t’i ndjekim pas ata si një kope e pafajshme delesh të bindura. E pas kësaj shumica e shqiptarëve do të marrin frymë të lehtësuar, si ata që dëgjojnë t’u thuhet nga mjeku se pas operacionit shpëtuan nga një sëmundje e pashërueshme, vdekjeprurëse. Kjo do të thotë, as më pak e as më shumë, se Tryeza “magjike” lipset të marrë kësisoj një rol sa “historik”, aq edhe shpëtimtar: zhbllokimin përfundimtar të krizës prej ngërçit, natyrisht pas nxjerrjes jashtë funksionit, për një kohë të gjatë të shumicës së institucioneve të pavarura, madje edhe të Kushtetutës e të organeve të Drejtësisë, të normalitetit dhe të standardit demokratik. Sepse ulja e detyrueshme në Tryezë e dy komandantëve autokratë, të cilët deri dje kanë pas qenë në luftë “për jetë a për vdekje” me njëri-tjetrin, në mënyrë të padiskutueshme provon se në Shqipëri kurrsesi nuk ka funksionuar shteti ligjor, aq më pak shteti i së Drejtës, apo edhe më pak akoma, demokracia e brendshme nëpër partitë përkatëse...E po qe kështu, pa asnjë dyshim, kjo thagmë e kapërcen edhe kuptimin evropian të fjalës “krizë”. Për këtë shkak e pasojë të nesërmen e tryezës (nëse ajo do të përfundojë me sukses), ne do të harrojmë të pyesim veten dhe njëri-tjetrin: Kush ishte ai faqezi që na i pat bllokuar institucionet deri në asfiksi të plotë, deri në vetëgjyqësi, deri në atë derexhe, kur nganjëherë na dukej se edhe fjalët kaos, anarki, papunësi, ekologji, inflacion, etj. ne na dukeshin si një luks evropian? Natyrisht ata që në Tryezë do të marrin përsipër, me apo pa dëshirë, zhbllokimin e institucioneve, në radhë të parë të votës, pastaj edhe të Kuvendit e natyrisht jo vetëm të tyre, janë përgjegjësit kryesorë e të vetëm të krizës! Por sa e mundur do të jetë që pikërisht ata do të jenë dakord të çmontojnë në themel arsyet e krizës? Sa e drejtë dhe sa normale është të besohet që pikërisht ata që patën shkaktuar kriza të njëpasnjëshme, herë prej padurimit për pushtet të pakufizuar e rëndom nga synimi për t’u bërë të gjithëpushtetshëm, të cytur prej tahmasë për pushtet të pakontrolluar, edhe pse kanë mundur të nxjerrin jashtë loje institucionet, përfshi edhe Presidentin, nesër do të jenë të gatshëm të pranojnë funksionimin normal të tyre? A mund të pranojnë ata sinqerisht, si të penduar, që, pasi të ulen në Tryezën e Topit, në Shqipëri do të fillojë funksionimi normal i të gjitha institucioneve, duke “garantue”, me një marrëveshje “dypalëshe”, pavarësinë e plotë të tyre? E pra, a mund të ndodhë kjo mrekulli? *** Fakti që krizat përsëriten dhe, për më tepër, një herë në çdo pesë vjet ndërkombëtarët lipset të vijnë në Tiranë që të detyrojnë klasën politike të ulet në një Tryezë të tillë, provon jo vetëm absurdin, mjerimin, kolapsin dhe degradimin moral të klasës sonë drejtuese e bashkë me to edhe të institucioneve tona “të pavarura”, por edhe faktin që “tranzicion” për ne do të thotë se ne, nga krizat vijmë e, mesa duket, drejt krizave të reja do të shkojmë. Sepse, nga dhjetëra Tryeza të ngjashme, nuk ka ndodhur, deri më tash, që të paktën një prej tyre të mos jetë shkelur të nesërmen pikërisht prej atyre që e patën firmosur! Tryezat e tilla përherë kanë shërbyer e po shërbejnë për “ulje emergjente”, për të mënjanuar katastrofat dhe përmbytjet e shoqërisë. Afërmendsh, Tryezat e partive nuk kanë qenë e nuk mund të jenë të afta të ndreqin defektet e avionit që destinacionin e ka për në Bruksel; ato nuk mund të zëvendësojnë rolin e pilotëve diletantë e të dehur me vetveten që nuk dinë të mësojnë as nga gabimet e as nga mëkatet...Tryezat e partive për këtë arsye nuk shërbejnë dot si pista e si aeroporte, ku mund të ulet e ku mund të ngrihet normalisht konkurrenca, përzgjedhja, zgjedhja, meritat, vota e lirë, pra rregulli numër një i çdo demokracie funksionale: drejtuesi që pasagjerëve, pra popullit të vet, i shkakton trauma, rreziqe, katastrofa, kriza, dëme, prag-luftë civile (kujto psh vitin 97), konflikte, humbje shansesh e shpresash të njëpasnjëshme, shkatërrim të pronës e të pasurive publike, prishje të standardeve, konflikte permanente, etj; ai nuk mund të drejtojë avionin, nuk mund të qeverisë; ai duhet të largohet sa më parë! *** Pra, pyetja retorike, që natyrshëm do të lindë edhe nga Tryeza e Topit, do të jetë kjo: a mund ta shërojë sëmundjen ai që ka shpikur dhe ka kultivuar në këto 20 vjet virusin e “gripit të derrit”, ai/ata që kanë mbjellë, me një energji të pashtershme e shembullore, kriza, tensione, konflikte, sherre, mosmarrëveshje, ndarje, përçarje, madje edhe shkatërrim të qëllimshëm të pavarësisë të të gjitha institucioneve demokratike, të cilat në çdo lloj demokracie funksionale presupozohet të jenë të pavarura?! E nëse ne qyqar-qytetarët ende e kemi të vështirë, për shkak të trashëgimisë e trysnisë së diktaturës (sepse na duket sikur edhe tani po na përgjojnë...), apo edhe të ndjekjes së verbër të dashit të kopesë, të themi para kamerave e sondazheve bash atë që nuk e mendojmë, nuk do të jetë dhe aq keq që kësaj here pyetjes, qoftë edhe me heshtje, apo edhe në vetmete, të guxojmë t’i përgjigjemi sinqerisht: A mund të respektojë Tryezën e dialogut e të mirëkuptimit të ndërsjellë ai/ata që kanë bërë të pamundurën ta shkatërrojnë; ai/ata që nuk kanë hedhur në luftë të pakuptimtë me njëri-tjetri; ai/ata që nuk kanë lënë asnjë institucion të jetë përnjëmend i pavarur?! E nëse përgjigja do të jetë “po”, atëherë Tryeza e radhës (edhe e Topit) do të jetë jo vetëm e suksesshme, po edhe afatgjatë! Aferim!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›