E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqezinjtë e Bushatit humbasin përballë Maltës

Kombëtarja Shpresa humbet 2:1 në ndeshjen miqësore kundër Maltës, të zhvilluar gjatë pasdites së djeshme në stadiumin "Niko Dovana" të Durrësit. Një paraqitje jo e kënaqshme e kuqezinjve "të vegjël", që përpara provës gjenerale për sfidën eliminatore me Azerbajxhanin kanë dhënë sinjale negative. Pas dominimit në 45 minutat e para, niveli i lojës së Shqipërisë ka rënë dukshëm në pjesën e mbetur të lojës. Minutat e para kanë folur plotësisht për skuadrën e drejtuar nga trajneri Artan Bushati, e cila imponoi ritmin e saj në lojë. Deri në minutën e 21-të, kur sulmuesi Ahmet Januzi fiton një 11-metërsh, pas një shpërthimi në zonën kundërshtare, rastet e krijuara kanë ardhur nga goditjet standarde. Ekzekutimin e penalltisë, mes protestave të maltezëve, e merr përsipër Karabeci, por gjuajtja e kapitenit është shumë e dobët dhe përfundon në duart e portierit Bonelo. Shqipëria kalon në avantazh në të 35-n, kur Januzi dërgon në rrjetë një top të kthyer nga shtylla pas tentativës së devijuar të Hysës. Por, vetëm katër minuta më pas Kirkop barazon shifrat, pas një penalltie të fituar nga Vela. Në pjesën e dytë, kuqezinjtë shfaqen apatikë, duke krijuar pak në fazën ofensive, ndërsa mbrojtja nuk jep siguri. Malta shënon edhe golin e avantazhit në të 71-ën, pas një skeme që ka gjetur të papërgatitur të besuarit e Bushatit: goditje dënimi në kufi të zonës, topi shkon në krah te Vela, i cili ia pason Çaintarit, që nuk e ka të vështirë të realizojë. Ky ishte edhe rasti i fundit për t‘u shënuar i takimit, ndërsa në paraqitjen e skuadrave ndikuan edhe temperaturat e larta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›