Turqit e Boluspor refuzojnë Sukajn
Asnjë klub europian duket se nuk dëshiron të ketë në dispozicion mesfushorin Xhevahir Sukaj. Pas refuzimit nga gjermanët e Hansa Rostok, shërbimet e shkodranit 22-vjeçar nuk i ka pranuar as skuadra e Bolusporit, e cila militon në Ligën 1 turke (Kategoria e Dytë). Së fundmi, emri i shkodranit, i cili i ka dhënë lamtumirën Haxhetepes, është përfolur si blerje e mundshme në këtë fazë përfundimtare të merkatos së verës. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, drejtuesit e Bolusporit, skuadër ku në këtë sezon luan edhe mesfushori tjetër shkodran, Gilman Lika, kanë përgënjeshtruar gjithçka. "Gjatë këtyre ditëve është përfolur se në skuadrën tonë do të afrohet edhe një tjetër lojtar i huaj, shqiptari Xhevahir Sukaj, që një sezon më parë ka qenë pjesë e Haxhetepes. Megjithatë, ne nuk do t‘i ofrojmë lojtarit një kontratë", theksohej aty.