E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuqezinjtë e De Biazit shpërthejnë në gola, 9-0 ndaj Olimpikut

Sulmi kuqezi shpërthen në gola në ndeshjen e kontrollit dy ditë para sfidës me Islandën, ku përballë Shqipërisë së De Biasit ishte Olimpiku, skuadra e kategorisë së dytë. 9-0 në favor të kombëtares ishte rezultati përfundimtar i këtij testi, që tregoi formën e mirë të futbollistëve kuqezinj, sidomos ata të repartit të sulmit.

Spikati me një tregolësh Armando Sadiku, ndërsa Erjon Bogdani shënoi dopietë. Në listën e golashënuesve firmosën edhe Salihi, Cani, Gilman Lika dhe Roshi, duke e kënaqur përgjithësisht trajnerin De Biasi, i cili e ka vëzhguar i veçuar këtë ndeshje kontrolli, duke bluar në mendje formacionin titullar që do të zbresë në fushë ndaj islandezëve.

Në pjesën e parë tekniku italian hodhi në fushë këtë formacion: Në portë Berisha, në mbrojtje Lila, Curri, Mavraj dhe Arapi, në mesfushë Vila, Bulku, Hyka dhe Gilman Lika, ndërsa në sulm dyshja Salihi-Cani. Gjatë pjesës së parë, që zgjati rreth 35 minuta, shënuan Lika, Çani dhe Salihi, por kuqeinjtë kishin rezervuar një paraqitje edhe më të mirë në të dytën.

De Biasi e ndryshoi të gjithë ekipin, duke aktivizuar në portë Ujkanin, në mbrojtje Dallku, Osmani, Veliu dhe Agolli, në mesfushë Roshi, Cana, Kukeli dhe Meha, ndërsa në sulm Bogdani dhe Sadiku. Pas një fillimi të qetë të pjesës së dytë, kuqezinjtë shpërthyen me 5 gola, ku ra sy loja e mirë e Alban Mehës, por edhe inkursionet e Roshit nga e djathta.

Gjithsesi, përshtypje shumë të mira la edhe Armando Sadiku me një tregolësh, si dhe Bogdani me një dopietë. golave të sulmuesve iu bashkangjit edhe rrjeta e Odise Roshit, i cili mbetet alternativë për të luajtur titullar ndaj Islandës. Spostimi në mesfushë i Lorik Canës nuk është thjesht një ide, por një mundësi reale, megjithatë De Biazi kërkon të jetë I sigurtë për efikasitetin e dyshes Curri-Mavraj, që luajnë për herë të parë me njëri-tjetrin.

Ndryshe nga dy ndeshjet e para me Qipron dhe Zvicrën, Tekniku Italian mund të bëjë ndryshime në të gjitha repartet, pasi ka më shumë alternativa për formacionin titullar.

Takimin e ka ndjekur edhe presidenti i FSHF-se Armando Duka, i cili ka qene nen shoqerine e menaxherit te ekipit kombetar, Alban Bushi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›