Pengje të vizave

Shumë futbollistë kosovarë deri më tani karrierën e kanë përmbyllur pikërisht aty ku e kanë nisur, në Kosovë - duke mos e realizuar ëndrrën që e kishin për të luajtur nëpër liga të njohura evropiane. Në këtë rrugë janë edhe shumë futbollistë të tjerë, të cilët aktualisht luajnë në vendin tonë.
Mosanëtarësimi i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në UEFA e FIFA nuk është faktori i vetëm që po ua pamundëson futbollistëve depërtimin nëpër liga të huaja.
Edhe kur ata e gjejnë ndonjë rrugë për të dalë jashtë kufijve të Kosovës, regjimi i vizave ua pamundëson ta bëjnë një gjë të tillë.
Rasti i fundit është me Ardian Ismajlin. Udhëheqësit e Paderbornit i kanë bërë ftesë 16-vjeçarit të 2 Korrikut për t’u testuar në skuadrën e tyre prej 22 deri më 31 tetor. Kërkesa iu është bërë edhe ekipit kosovar.
Por, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, të hënën ia ka refuzuar kërkesën mbrojtësit të talentuar për t’u pajisur me vizë. Me këtë rast, Ardian Ismajli është zhgënjyer aq shumë, saqë për disa orë kishte hyrë në grevë urie, në shenjë proteste ndaj veprimit të Ambasadës gjermane në Kosovë.
Një protestim të tillë ai e kishte bërë pikërisht para hyrjes së Ambasadës. Mirëpo, zyrtarë të Ambasadës gjermane, në mbrëmjen e së hënës, e kishin lutur Ardianin që ta ndërpriste grevën, duke i premtuar atij se do t’ia japin vizën.
“Ardiani ka qëndruar në grevë deri kah ora 21:30. Atëherë, Ambasada kërkoi ndjesë prej tij, dhe i kërkoi të shkojë në shtëpi, ngase ishte ftohtë jashtë, duke i premtuar se do t’i jepet viza”, tha për Express, babai i Ardianit, Ilmiu.
“Ne e kemi dërguar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për t’u pajisur me vizë, duke përfshirë ftesën e Paderbornit. Por, çuditërisht kërkesa na u refuzua, edhe atë për faj të administratës së Ambasadës. Kështu, djali im u tmerrua, por tash duket të jetë më mirë pasi Ambasada i premtoi se do t’ia japë vizën shumë shpejt”, shtoi ai.
Por, Ardian Ismajli është vetëm njëri prej futbollistëve kosovarë që ka hasur në telashe për t’u pajisur me vizë në përpjekje që karrierën ta vazhdojë jashtë vendit. Një gjë e tillë i ka sfiduar edhe shumë sportistë të tjerë kosovarë.
Madje, për shkak të problemeve me viza, edhe menaxherët e futbollistëve kosovarë nuk munden t’u sigurojnë prova klientëve të tyre nëpër klube të huaja. Kështu thotë menaxheri i njohur, Nexhmedin Haxhiu.
“Sikur mos të ishte regjimi i vizave, do të ishte 90 për qind më lehtë për punën tonë si menaxherë, dhe për vetë futbollistët të dilnin jashtë”, u shpreh Haxhiu.
Duhet theksuar se shkaku i problemeve për t’u pajisur me viza, shumë sportistë dhe skuadra të ndryshme sportive të Kosovës shpeshherë nuk kanë mundur të udhëtojnë jashtë vendit për të marrë pjesë në gara, apo turne të ndryshëm ndërkombëtarë. Mirëpo, ka pasur raste kur edhe vizat janë keqpërdorur, ndonëse në raste shumë të rralla.