E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqezinjtë, statistikat e eliminatoreve



Kombëtarja shqiptare ka aktivizuar 24 futbollistë në tetë ndeshjet e zhvilluara nga dhjetë që janë në total në kuadrin e eliminatorëve të Botërorit 2010. Duke i parë nën këndvështrimin e statistikave, ia vlen të veçojmë “kryesuesit” e disa kritereve të tilla,si ato të ndeshjeve të aktivizuara, minutat në këmbët e lojtarëve, ndëshkimet me kartonë. Vetëm 5 lojtarë nga 24 futbollistë të aktivizuar luajnë në kampionatin shqiptar: Elvin Beqiri (Vllaznia), Andi Lila (Tirana), Migen Memelli (Tirana), Endri Vrapi (Elbasani) dhe Elis Bakaj (Dinamo).

GOLASHËNUESIT
Erjon Bogdani kryeson listën e golashënuesve, që për hir të së vërtetës, ka tre të tillë. Sulmuesi i Kievos ka shënuar dy gola, një në fitoren 3-0 kundër Maltës dhe një në humbjen 2-1 kundër Portugalisë. Në podium janë dhe Klodian Duro, një gol kundër Maltës dhe Armend Dallku, po një gol dhe po kundër maltezëve. Shqipëria ka mundur të realizojë vetëm në dy nga tetë takimet e zhvilluara, duke mos shënuar dot në gjashtë të tjerat. Në tre ndeshje, Kombëtarja jonë i ka mbyllur takimet 0-0: kundër Suedisë, Portugalisë e Maltës.

NDESHJET
Rekordmenët absolutë janë Debatik Curri, Ervin Skela e Klodian Duro. Të tre janë të vetmit që janë aktivizuar në teta ndeshjet e zhvilluara, por mbrojtësi Curri është i vetmi që ka minuta të plota në këmbë: 720 të tilla, ndërkohë që Skela ka luajtur 711 minuta e Duro, 699 minuta. Tre lojtarë kanë luajtur në 7 ndeshje (Vangjeli, Berisha, Beqiri) dhe katër të tjerë janë aktivizuar në gjashtë takime (Cana, Bulku, Agolli, Dallku). Më pak aktivizime, nga një ndeshje kanë Bakaj, Kapllani, Lila e Memelli, ku ky i fundit, është aktivizuar vetëm 5 minuta, pikërisht në ndeshjen e humbur kundër Danimarkës.

KARTONËT
Shqipëria ka koleksionuar 18 kartonë të verdhë dhe një “dyngjyrësh”, i verdhë i shoqëruar me të kuqe, ky i marrë nga mbrojtësi Admir Teli në ndeshjen kundër Portugalisë, për një faull ndaj Kristiano Ronaldos, karton që e bëri të famshëm shkodranin e Karabakut të Azerbajxhanit në të gjithë botën. Janë
12 lojtarë të ndëshkuar me kartonë të verdhë. “Kampioni” i kartonëve të verdhë është Armend Dallku: 4 të tillë, duke humbur çuditërisht ndeshjet pasardhës me Portugalinë. Ansi Agolli është
ndëshkuar me tre kartonë dhe Lorik Cana, me dy. Hidi, Lila, Skela, Duro, Kapllani, Curri, Beqiri, Lala, Vangjeli e Vrapi janë ndëshkuar me nga një karton. Nëse këta marrin karton kundër Danimarkës, automatikisht do të humbasin ndeshjen e fundit eliminatore kundër Suedisë.

PODIUMET

GOLAT
1. Erjon Bogdani 2
2. Klodian Duro 1
3. Armend Dallku 1

NDESHJET
1. Debatik Curri 8
2. Ervin Skela 8
3. Klodian Duro 8

MINUTAT
1. Debatik Curri 720
2. Ervin Skela 711
3. Klodian Duro 699

KARTONËT E VERDHË
1. Armend Dallku 4
2. Ansi Agolli 3
3. Lorik Cana 2

KARTONË TË KUQ
1. Admir Teli

Pësojmë një gol për ndeshje

Shqipëria ka zhvilluar 8 ndeshje, duke pasur këtë bilanc: 1 fitore, 3 barazime e 4 humbje. E vetmja fitore është regjistruar në ndeshjet e shtëpisë, ajo kundër Maltës. Nga 3 barazime, dy janë arritur në transfertë (Portugali, Maltë) dhe një në Tiranë (Suedi). Humbjet janë ndarë përgjysmë: 2 në “Qemal Stafa” (Hungari, Portugali) dhe dy në transfertë, një në Budapest (Hungari) e një në Kopenhagen (Danirmarka). Kombëtarja ka shënuar 4 gola (0.5 gola për ndeshje) dhe ka pësuar 8 gola (1 për çdo takim).

7 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›