E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e vogël bëhet e “madhe”



Shqipëria U-21 pas dy humbjeve me Skocinë (1-0, 5-2) regjistroi fitoren e parë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2011, duke mposhtur 1-0 Azerbajaxhanin, me një gol të vetëm me dyautorësi, Karabeci-Marimanov, pas devijimit të lehtë të azerit. Një fitore e bukur, që mund të përfundonte me një goleadë, e që largon njëherësh edhe atë shije të keqe që la humbja 1-2 në miqësoren me Maltën, gati një muaj më parë, po në “Niko Dovana”. Të mërkurën e ardhshme, Shqipëria U-21 do të luajë në Vjenë kundër Austrisë vendase në takimin e katërt të saj.

Pjesa e parë – Me mungesat e Ahmed Januzit në sulm e Ditmar Bicit në mbrojtje, trajneri Bushati hodhi në fushë një skuadër me profil tërësisht sulmues. Shqipëria luajti topin e parë, por dhe rreziku i parë i përket portës sonë. Portieri i Flamurtarit, Shpëtim Mocka, shpëtoi Shpresën nga një gol i sigurt në minutën e 2-të, por reagimi i vlonjatit ishte perfekt. Emiljano Vila, në minutën e 5-të, ishte pranë golit, por goditja me kokë e mesfushori të Lokomotivës së Zagrebit, përfundoi paksa mbi shtyllën horizontale. Vila në të 15’ ndërmori një vertikale të thellë në drejtim të zonës azere, pasoi te Hair Zeqiri, por lojtari i Flamurtarit në Superligë, u tregua egosit, duke humbur një mundësi të mirë për të rrezikuar seriozisht portën e mbrojtur nga Agil Mamadov. Sulmuesi i Teutës, Vilfor Hysa, në minutën e 20-të ngacmoi me një goditje nga rreth 25 metra, por Mamadov priti pa asnjë problem. Në të 30’, Vila kontrolloi bukur topin me gjoks në afërsi të zonës, duke e goditur bukur në formë veleji sferën, por gjuajtja plot finesë e durrsakut u prit nga Mamadov. Vila siluroi në minutën e 38-të një predhë nga goditja standarde, rreth 28 metra, por Mamadov e devijoi topin në goditje këndi.

Pjesa e dytë - Trajneri Bushati hodhi në fushë, Rroshin në vend të Balës dhe Gavën në vend të Zeqirit. Sulmuesi i Flamurtarit, Roshi, ishte i pari që u shfaq në portën azere, por pa rezultat. Novruzov në të 53’ goditi fuqishëm nga distanca, rreth 25 metra, por Moçka tregoi klasin e një portieri të madh. Në të 64’, Rroshi kreu disa veprime të bukura brenda zonës azere, pasoi për Karabecin, sulmuesi i Tiranës, goditi tokazi drejt portës kundërshtare, dhe Tural Marimanov, e devijoi atë brenda portës së tij. 1-0 për Shqipërinë. Karabeci, dy minuta më pas, pretendoi në për 11-metërsh, por u ndëshkua me karton të verdhë për simulim nga gjyqtari nga San Marino, Stefano Podeski. Kuqezinjtë gjetën ritmin e duhur, duke vendosur nën presion miqtë e largët. Në minutën e 71-të, Veliu ekzekutoi një goditje të lirë nga 17 metra, por topi i vlonjatit u devijua në goditje këndi. Momenti tjetër kulmor kishte për autor Karabecin, ky i fundit mori një asist nga Vila, dhe sulmuesi i Tiranës, goditi fuqishëm, duke e detyruar portierin Mamedov të kryejë një grushtim të bukur. Në të 85’, Semina dha një korridor të gjatë për Odise Rroshin (shkëlqeu në lojë), ky fundit vrapoi mbi 20 metra për të dalë i vetëm përballë portierit kundërshtar, por pa mundur t’ia rrëshqasë nën dorë Mamedovit, i cili shmangu një gol të sigurt. Në minutën e 89-të, Bushati hodhi në fushë Indrit Hithin, në vend të kapitenit Emiljano Vila, i dëmtuar.

Tribuna VIP
Në “Niko Dovana” ndodheshin presidenti i FSHF-së, Armand Duka e zëvendësi i tij, Bujar Kasmi, por dhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe.

Elim.Kampionati Europian U-21

U-21, Shqipëri-Azerbajxhan 1-0
Shënues: Karabeci 64’
E shtunë, 5 shtator 2009, ora 16:30
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës

Shqipëria: Moçka; Veliu, Malota, Semina, Arbëri, Lilaj, Zeqiri (46’ Gava), Vila (89’ Hithi), Karabeci, Hysa, Bala (46’ Roshi) Trajner: Artan Bushati

Azerbajxhani: Agil Mamadov; Nedvedev, Marimanov, Novruzov, Pashajev, Guliev, Aliev, Nodar Mamadov (k), Ismailov, Sultanov. Trajner: Bernhardt Lipert

Gjyqtar: Stefano Podeski (San Marino)

7 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›