E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Kuqezinjtë” zhgënjejnë ndaj Ukrainës, zbresin në ligën C

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit u mposht 1-2 mbrëmjen e sotme përballë Ukrainës në stadiumin “Air Albania” ndeshjen e fundit në grupin B1 në Ligën e Kombeve.

Ndeshja nisi me një atmosferë elektrizuese të dhuruar nga tifozët në shkallët e stadiumit pas këndimit të himneve kombëtare.

Trajneri i Kombëtares Silvinjo vendosi që mbrëmjen e sotme të zbresë në fushë me Strakosha, Balliu, Ismajli, Ajeti, Mitaj, Ramadani, Asllani, Laçi, Asani, Muçi, Daku.

Ndërsa trajneri i Ukrainës, Serhiy Rebrov zbriti në fushën e lojës me formacionin Trubin; Mykolenko, Matviyenko, Zabarnyi, Konopia; Kaliuzhnyi; Mudryk, Sudakov, Zinchenko, Hutsuliak; Yaremchuk.

Sfida u zhbllokua që në minutën e 5-të, teksa  miqtë kaluan në avantazh me anë të Zinchenko, i cili me një gjuajtje të bukur, e ndali topin në rrjetë.

Ukraina dyfishoi rezultatin shumë shpejt që në minutën e 9-të me Yaremchuk, i cili shfrytëzoi një top të ardhur nga e djathta.

Në minutën e 18-të mundësi e mirë për kuqezinjtë. Daku merr një top në mesfushë dhe pason për Muçin, por ky i fundit bllokohet nga Zinchenko në zonë.

Në të 25-ën Qazim Laçi i afrohet golit. Mesfushori provon me një gjuajtje të fortë në zonë, por topi gjen rrjetën e jashtme.

Një minutë më pas Strakosha i mohon golin e tretë Ukrainës. Portieri i Shqipërisë reagon mirë ndaj gjuajtjes së Sudakov.

Në minutën e fundit të pjesës së parë erdhi rasti më i mirë për Shqipërinë. Muçi shmangu në hyrje të zonës mbrojtësin ukrainas, por goditi jashtë.

Me rezultatin 0-2 u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.

Pjesa e dytë nisi me dy zëvendësime te Shqipëria. Uzuni dhe Bajrami në fushë, marrin vendin e Dakut dhe Asanit.

Uzuni u shfaq menjëherë rrezikshëm por topi që kishte kaluar portierin largohet nga njëri prej mbrojtësve.

Në të 50-ën Ernest Muçi i pafat u dëmtua dhe la fushën e lojës,  Arbër Hoxha u aktivizua në vendin e tij.

Dy minuta më pas provoi Nedim Bajrami me një gjuajtje të fortë nga distanca, por topi preku rrjetën e sipërme.

Në minutën e 62-të Arlind Ajeti provon supergolin nga jashtë zone. Gjuajtja e fortë e mbrojtësit, ndalet me vështirësi nga portieri Trubin.

Në minutën e 75-të Shqipëria shënoi me Bajramin nga penalltia, e cila u fitua nga Uzuni.

Në minutat e mbetura lojtarët kuq e zi tentuan të gjejnë golin e barazimit, por pa rezultat.

Me këtë humbje Kombëtarja renditet e fundit në grupin B1 dhe zbret Shqipërinë në Ligën C.

Liga e Kombeve, Shqipëri-Ukrainë- Foto: Agim Dobi 1 nga 13

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›