E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqi: Do të ketë ndryshime të vogla

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi ka deklaruar se në Qeverinë e Kosovës do të ketë ndryshime të vogla, të cilat nuk do të krijojnë vakum juridik dhe institucional, ndërsa vendimin për ndërrimin e ministrave do ta marrë kryeministri Hashim Thaçi së bashku me partnerin e koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Në një intervistë për televizionin shqiptar Alsat, Kuqi tha se ende nuk është diskutuar për ministrat e mundshëm që do të largohen dhe as për emrat e ri të kabinetit qeveritar.

“Ka qenë një ide e cila është kristalizuar tani më, por besoj që i mbetet kryeministrit që së bashku me partnerët e koalicionit ta merr vendimin e duhur në kohën e duhur dhe për personat adekuat, por nuk do të ketë ndonjë lëvizje radikale, apo ndonjë lëvizje që krijon vakum juridik institucional. Besoj se të gjitha do të shkojnë në mënyrë të natyrshme dhe të cilat do të japin një efekt më të madh për qeverisjen efektive më efikase dhe në dobi të qytetarëve”, tha ai.

Sipas tij, deri më tash nuk janë diskutuar emrat konkret të ministrave që do të shkojnë dhe as të atyre që do të vijnë.

Riformatimi i Qeverisë së Kosovës është paralajmëruar kohë më parë nga kryeministri Thaçi, por ai nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur mund të ndodhë kjo. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›