Braçe: Katastrofa në veri erdhi prej shteti
Në punimet e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste deputeti i PS-së Erjon Braçe, pohoi se katastrofa në veri erdhi prej shtetit. Ai ka publikuar fakte që sipas tij vërtetojnë se përmbytjet erdhën si pasojë e keqqeverisjes. "Materiali që po publikojmë jep përgjigje për katastrofën. Përmbytjet erdhën nga derdhjet e HEC-eve", pohoi ai. Sipas Braçes në 20 dhjetor nisi grumbullimi i ujit në Fierzë për qëllime biznesi. Më 23, 24, 25 dhjetor sipas tij prurjet në Fierzë janë dyfishuar dhe për pasojë niveli u rrit me 1 metër.
Erjon Braçe deklaroi se nga 27-dhjetori deri më 3 janar ka pasur derdhje në tre HEC-e që kanë arritur deri në 1,3 miliardë metër ujë.
Sipas Braçes në dhjetor kuota e Fierzës ka arritur në 286.7 metra, dhe në këtë kohë duhet të ishte formuar komision i posaçëm për menaxhimin e situatës.
Deputeti i PS-së shtoi se në 31 dhjetor Fierza del jashtë kontrollit dhe arrin 293 metra. "Por atë ditë ministri Prifti ishte jashtë shtetit. Ministri fluturonte, Shkodra notonte. Përsëri nuk u formua komisioni i posaçëm", tha ai.
Erjon Braçe ka pohuar se të gjitha të dhënat për 27 dhjetorin janë zhdukuar nga sistemi. "Zhdukja dyshohet të jetë bërë për falsifikimin e të dhënave. Por ne kemi informacione se kuota në HEC-in e Fierzës në këtë datë ka arritur në
288.91 m", argumentoi ai. Sipas Braçes për këtë ditë është lënë shënim nga kryeministri që portat e hidrocentraleve nuk duhet të hapen.
Braçe tha se veprimet për menaxhimin e nivelit të ujit në Fierzë e Koman ranë në kundërshtim me rregulloren.
Deputeti i PS-së, Ilir Beqja ka kërkuar të tregohen arsyet se pse janë zhdukur të dhënat për HEC-et në datën 27 dhejtor. Beqja pohoi se përmbytjet nuk erdhën nga shiu, por nga qeveria.