Kuqi kërkon fat në kualifikime

Helsinki, 2 shtator - Sulmuesi kosovar Shefki Kuqi pret të sigurojë kualifikimin në Kampionatin Evropian me Përfaqësuesen e Finlandës, shkruajnë të mërkurën mediat finlandeze. Kuqi 33-vjeçar ka thënë se Finlanda dy herë ishte pranë kualifikimit, ndërsa kësaj here beson se do të kenë më shumë fat. "Dy herë ishim shumë pranë kualifikimit, ndërsa tash hera e tretë do të jetë edhe e vërteta për ne. Shpresoj që kësaj here të kemi edhe fat, sepse na duhet", ka deklaruar Kuqi. "Duhet të mësojmë nga gabimet e së kaluarës. Tash nuk ka kundërshtarë të lehtë, por duhet t'i fitojmë ndeshjet me kundërshtarë të vegjël", ka shtuar sulmuesi i Swaneas. Ndeshjen e parë eliminatore për Euro 2012, Finlanda e luan kundër Moldavisë më tre shtator, ndërsa pas katër ditësh takohet me Holandën. "Këto janë dy ndeshje shumë të rëndësishme. Ne duhet të mbledhim sa më shumë pikë që të jetë e mundur. Me Moldavinë duhet të marrim tri pikë, ndërsa me Holandën nëse shënojmë të parët, atëherë ndeshjen e kemi në duart tona". Në grupin E bëjnë pjesë edhe Suedia, Hungaria e San Marino.