E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajredin Kuçi: Kuqishta e Bogët në mot lidhen me asfalt

Pejë, 2 shtator- Zëvendës kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka premtuar fillimin e punimeve të rrugës Kuqishtë-Bogë, në një takim pune, të enjten me kryetarin e Pejës, Ali Berisha. Ai ka thënë se turizmi në Rugovë është pjesë e turizmit të vendit, prandaj ka deklaruar se ky projekt, i mbështetur edhe nga kryeministri Thaçi, do të nisë së realizuari në fillim të pranverës së ardhshme. I ardhur në Pejë bashkë me ministrat Blerand Stavileci dhe Besim Beqaj, zv. kryeministri Kuçi ka thënë se Qeveria është e gatshme të alokojë 80 për qind të shumës së përgjithshme të kostos së kësaj rruge, ndërkohë që ka precizuar se pas nënshkrimit të memorandumit me KK-në e Pejës, zotimi i tyre do të bëhet në fillim të tetorit, kur edhe do të bëhet rishikimi i buxhetit shtetëror. Gjithnjë duke thënë se vendimet si ky për investime në Pejë kanë mbështetjen e fortë të kryeministrit të vendit, Kuçi ka premtuar se 1 tetori i vitit të ardhshëm akademik Pejën do ta gjejë edhe me universitet të plotë publik. “Pas hapit të parë për themelimin e degës së Fakultetit Juridik këtë vit, në vitin tjetër universiteti do të ketë edhe drejtimin e bujqësisë, turizmit dhe të artit”, ka deklaruar ai, duke thënë se kjo këto investime edhe në arsimin e lartë janë shpagim i mundit të shumë intelektualëve të kësaj ane për nisën dhe rritën e Universitetit të Prishtinës. “Prandaj kryeministri është përkujdesur që të pagëzojë këtë institucion të arsimit të lartë me emrin e patriotit Haxhi Zeka”, ka thënë Kuçi, duke shtuar se ende pa mbaruar viti kalendarik do të inaugurohet rektori themelues i këtij universiteti. I pari i Pejës, Berisha, duke u ndier mirë për lajmet që po merrte nga numri dy i qeverisë, megjithatë ka thënë se Peja nuk është trajtuar barabart me disa nga komunat e tjera të vendit. Pa përmendur ministri që nuk kanë investuar në qytetin e tij, Berisha ka konstatuar se tashmë është koha që të gjitha rajonet e vendit të zhvillohen njësoj. Ai ia ka rikujtuar të dytit të qeverisë së nuk qëndrojnë pohimet mediale se Peja nuk ka dorëzuar projekte për financim. “Ne kemi dorëzuar shumë projekte. Një ndër to është edhe rruga e Terstenikut, që kërkon rreth 2 milionë euro për t’u asfaltuar”, ka thënë Berisha, duke kërkuar nga Kuçi që Qeveria e vendit ta ketë në prioritet këtë rrugë, pasi që konsiderohet arterie për shumë fshatra. Për kërkesën e Kuçit që KK-ja e Pejës duhet të bashkëfinancojë 20 për qind për rrugën e Bogës ,Berisha ka thënë se Peja nga e enjta është e gatshme ta nënshkruajë memorandumin e mirëkuptimit për realizimin e këtij projekti. Rruga Kuqishtë-Bogë është e gjatë rreth 10 kilometra. Në takimin midis Kuçit dhe Berishës nuk u tha për koston e saj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›