Kur Partizani mundte gjigantin Oransoda

Bledar Kuka - Edhe ai 18 dhjetor i 1968-ës ishte ditë e enjte. Njëlloj si përvjetori i 40-të festuar të enjten që sapo kaloi. Brezi që ka lindur pas 1990-ës ndoshta pak di për atë ditë historike kur për herë të parë një klub shqiptar i basketbollit debutoi në Kupën e Kampionëve të Europës ndaj një gjigandi kontinental si Oransoda e Kantusë. Atë ditë gati 5 000 vetë ishin në pallatin e sportit “Partizani” (sot “Asllan Rusi”) dhe ndoshta 20 000 të tjerë në korridore dhe në sheshin para tij apo prapa, atje pranë fushës së vjetër të druve të kryeqytetit.
Presidenti me moshë të thyer i FIBA-s (Federata Botërore e Basketbollit), Uilliam Xhons, zbriti shkallët dhe takoi heroin shqiptar të ndeshjes, Agim Fagun, që kishte shënuar 48 pikë në takimin e mbyllur në barazim 73-73. Plakushi e uroi djaloshin 21-vjeçar duke i vendosur në gjoks edhe medaljen me flamurin e FIBA-s. “Kjo medalje e FIBA-s i jepet vetëm lojtarëve shumë të dalluar, - tha Xhonsi, - për mua është një nder dhe kënaqësi e madhe që ju uroj për lojën e shkëlqyer që zhvilluat gjatë gjithë ndeshjes”.
Atë ditë, luajti vërtet Davidi kundër Goliadhit. Oransoda kishte dy amerikanë, Lyn dhe Bërxhes, i pari 2.07 metrosh dhe i dyti 2.02. Kishte lojtarin e kombëtares së Italisë, Rekalkatin, të vetmin italian në fushë si dhe dy argjentinas. Trajner i superskuadrës ishte serbi i famshëm, më pas president i FIBA-s, Borisllav Stankoviç. Përballë tyre një skuadër me moshë mesatare ndoshta 21-vjeçare. Agim Fagu ishte 21 vjeç, Vladimir Çuçi 20, Astrit Hutka 19, Edmond Moja 22, Guxim Bekteshi 19, Spartak Boshnjaku 18. Bashkë me ta luanin edhe Dodan Përmeti, Nikolin Pali, Agim Lahi, Vladimir Gjini, Besnik Pëllumbi dhe Kujtim Kasmi. Më i madhi i të gjithëve ishte Agim Lahi, i vitlindjes 1943, pra 25 vjeç.
Skuadra e re dhe e kuqe drejtohej nga dy trajnerët Astrit Greva dhe Njazi Lleshi. Ky i fundit kishte punuar me 8 prej këtyre lojtarëve në ekipin e të rinjve dhe i njihte mirë, por prapa skene ishte kontributi i një trajneri të tretë, që shumë, shumë pak njerëz në Shqipëri e kujtojnë sot. Emri i tij ishte Pai Shin Çen, kombësia e tij kineze, roli i tij ishte ai i instruktorit për të ndihmuar ekipet shqiptare të basketbollit. Çeni kishte ardhur më 1967 me synimin për të stërvitur një ekip shqiptar. Pasi ndoqi ndeshjet e kampionatit të basketbollit, kinezi ia vuri syrin Partizanit.
“Ju jeni një skuadër shumë e re në moshë, - u tha Çeni, djemve të kuq, - ju nuk mund të bëni akademi, atë lloj loje lerjani Vllaznisë apo 17 Nëntorit (Tiranës). E vetmja mënyrë sesi ju mund të luani është loja e shpejtë, pa përplasje të topit në parket, me mbrojtje të fortë dhe kundërsulm të rrufeshëm”. Edmond Moja, një nga lojtarët që e nisi lojën nga stoli ndaj Oransodës kujton se kinezi kishte metoda tipike lindore ndëshkimi, ndonëse ishte një trajner shumë i mirë.
“Lojtari i parë që përplasi topin në parket, pra nuk pasoi menjëherë tek shoku u detyrua të bëntë 10 ngjitje zbritje në shkallët e tribunës së pallatit të sportit, - thotë Edi duke qeshur, - dhe më duket se fati i keq i takoi pikërisht Gimit (Fagut)”. Partizani nuk ishte ekip shtatlartë, asnjë skuadër shqiptare nuk kishte shtatlartësi në atë kohë. “Më i gjati i tanëve ishte Nikolin Pali, ushtar që luante në atë kohë tek Vllaznia, ndonëse ishte lojtar i Partizanit, - vazhdon Edi, - Pali ishte 1.94 metra i gjatë”.
Duke pasur parasysh këtë defekt, Çeni ngulmoi në përgatitjen e lartë fizike, pikë ku këmbënguli edhe Astrit Greva, trajneri që me shumë zgjuarsi zbatoi basketbollin e shpejtë. “Pas ndeshjes me italianët, - tregon sot Greva, - Partizani u quajt skuadra e djemve me këmbë të forta, sepse ne kishim përgatitje shumë të lartë fizike dhe atletike si dhe kërcyeshmëri tepër të lartë”. Kjo duhej për të kompensuar mungesën e centimetrave.
Tirana u mbulua me emocionet e përballjes qysh kur shorti i Kupës së Kampionëve u hodh më 7 korrik 1968. Në atë kohë Çeni ishte larguar nga Shqipëria (maj ’68) dhe Greva e Lleshi ishin në krye të skuadrës. Të luajmë apo të mos luajmë ishte çështja. Ashtu siç tregon më vonë edhe Kreshnik Tartari për peripecitë e Dinamos së tij të volejbollit të femrave, sërish doli në skenë partia. Problemi parimor u diskutua deri në nivelin e Byrosë Politike. Pengesa kryesore ishte prania tek Oransoda e dy amerikanëve, të cilët nuk mund të hynin në Shqipëri, meqë nuk ekzistonin marrëdhënie diplomatike mes shqiptarëve dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
“Petrit Dume vendosi të ndërhynte për të lejuar amerikanët dhe ashtu u bë”, - kujton Moja, ndërsa Greva mban mend një rast tjetër, të skuadrës zvicerane (ndoshta Vevej) që kishte edhe ajo amerikanë dhe që u detyrua të priste 4 orë në aeroport derisa një tjetër figurë e pushkatuar e regjimit, Feçor Shehu, të ndërhynte për t’i lejuar të vazhdonin drejt kryeqytetit shqiptar.
Ndërsa skuadra stërvitej në mënyrë të jashtëzakonshme, e shqetësuar edhe nga boshësia 11-vjeçare shqiptare në eurokupat (nga 1958 deri më 1968), ndër të rinjtë tiranas e madje deri në qytetet e traditës si Shkodër, Durrës apo Korçë, u përhapën emocionet. Biletat ishin tmerrësisht të vështira për t’u gjetur, ndonëse pallati i sportit nuk ishte aq i vogël për kohën me 3 500 vendet e tij. Disa njerëz në kryeqytet arritën të falsifikonin në mënyrë të shkëlqyer biletat origjinale, me lapsa me bojë (kompjuter nuk kishte) duke përdorur i vendosur biletat origjinale nën xham.
Skuadra italiane zbriti në Rinas dhe, me masa sigurie, mori rrugën drejt kryeqytetit. Të ardhurit shoqëroheshin nga 17 gazetarë të vendit të tyre dhe habia e madhe nisi që tek kryqëzimi i madh, aty tek “Zogu i Zi”. Greva dhe Moja e mbajnë mend mirë atë ditë. “Njerëzit kishin mbushur trotuaret në të dy krahët e rrugës së Durrësit, - thotë trajneri, - aq sa mezi mund të kalohej. Ishin me mijëra, si të ishte ndonjë miting”. “Dhe të mendosh se ishte diçka krejt spontane, që tregonte dëshirën e madhe të njerëzve për të njohur botën”, - vazhdon Moja.
Oransoda u vendos në hotel “Dajti”, më të mirin kryeqytetas dhe stërvitja në pallatin e sportit ishte befasia numër dy. “Të dyja tribunat ishin të mbushura plot me njerëz, - thotë Moja, - dhe skuadra italiane fantazoi me vete se sa njerëz do të ishin të pranishëm në vetë ndeshjen”. “Njerëzit nuk mungonin aspak në atë kohë në pallatet e sportit, - thotë Greva, - sidomos kur luante Partizani-Tirana apo Partizani ndaj Vllaznisë e ndonjë ndeshje tjetër, nuk mund të gjeje vend”.
Ndeshja ishte një duel tepër emocionues, tepër i fortë dhe në fund Oransoda u detyrua të pranonte barazimin ndaj shqiptarëve krejt modestë, krejt të panjohur dhe normalisht të papërfillur si kundërshtarë seriozë. “Ajo ndeshje mund të quhet me vlera historike, - thekson Moja, - sepse i hapi rrugën pjesëmarrjes së ekipeve shqiptarë të lojrave me dorë në Europë, duke bërë që ekipet shqiptare të koshit te merrnin pjesë edhe në kupën e kupave dhe kjo rriti shumë vlerën e konkurrencën në Kupën e Republikës”.
Agim Fagu u përzgjodh në 5-en më të mirë të Europës për atë vit dhe duhej të luante në formacionin e Europës kundër skuadrës kampione të kontinentit, siç ka qenë traditë. Greva i mban mend shumë mirë ato kohë. “Por Gimi nuk mundi të merrte pjesë në atë ndeshje sepse partia dhe qeveria jonë nuk donin që ai të luante përkrah me amerikanët”, - thotë ai. Sidoqoftë, sadisfaksioni i madh ishte thënia e presidentit të FIBA-s, Xhons, që u shpreh se “erdha, pashë dhe u kënaqa, e kuptova që basketbolli modern luhet edhe në Tiranë”.
Nderi për daljen për herë të parë në Kupën e Kupave i takoi 17 Nëntorit, Tiranës së sotme, që u ndesh me një skuadër tepër të fortë si Zadari kroat i ish-Jugosllavisë. Bardheblutë arritën të nderonin veten me dy humbje krejt normale, 60-73 në Zarë dhe 62-72 në Tiranë. Sidoqoftë, një takim vërtet i lavdishëm i takoi sërish Partizanit, më 1978-1979 kur thuajse arriti mrekullinë ndaj kampiones së Jugosllavisë, Bosnjës së Sarajevës, ekipit që do të dilte kampion i Europës pak muaj më vonë. Të kuqtë humbën 76-78 ndaj një skuadre të mrekullueshme që kishte në radhët e saj virtuozin Mirza Delibashiç (nuk luajti në atë ndeshje, i dëmtuar) si dhe yllin tjetër të kombëtares ish-jugosllave, Zharko Varajiç. Një sezon më pas, më 1979-1980 për herë të parë Partizani kaloi ndër 12 skuadrat më të mira të Europës duke u eliminuar në grupin e tij vetëm nga Partizani i madh i Beogradit.
Dy sezone më pas 1970-1971), Partizani pati rastin që të luante në turin e dytë me kampionen e Spanjës, pasi skuadra turke ITU (Istanbul Teknik Universitesi) nuk mund të luante për shkak të epidemisë së kolerës që kishte rënë në Stamboll. “Ne ishim bërë gati të shkonim në Spanjë, - kujton Greva, ndërsa të shërben një gotë pije dhe një çokollatë në apartamentin e tij pranë Librit Universitar tek Tirana e Re, - por partia vendosi të mos luanim sepse në Spanjë ende sundonte Franko. Për këtë shkak, FIBA, vendosi të rikthente në kupë turqit”. “Kur vendi ynë protestoi politikisht, - vazhdon trajneri, - presidenti i asaj kohe i FIBA-s, Stankoviçi, deklaroi se sporti dhe politika ishin të ndara dhe përderisa ne ishim anëtarë të FIBA-s duhej të luanim me këdo skuadër që të na binte në short”.
18 dhjetori normalisht ishte thjesht vetëm një ditë e vitit 1968, Partizani-Oransoda ishte thjesht një ndeshje e vetme, një pikë uji në oqean, por Moja e vlerëson tej mase. “Nuk është puna tek një ndeshje, - thotë veterani që vazhdon të stërvisë një skuadër me djem të vegjël në pallatin e sportit, - duke përkujtuar këtë takim unë dua që të jepet një mesazh, pra që në Shqipëri sporti mund të bëhet”. “Ne ishim aq shumë të rinj, me kaq pak përvojë dhe me kushte ekonomike aspak të mira, - vazhdon ai, - ndoshta nuk më takon të flas në këtë mënyrë, sepse unë nuk jam jetuar aspak keq në kohën e komunizmit, por sporti bëhej për një pjatë gjellë”.
Greva, Moja dhe Agim Fagu (ndonëse më i miri lojtar i koshit shqiptar preferoi më mirë të mos fliste këtë herë) e kanë një shpresë që sporti mund të bëhet. Ata ende nuk e dinë saktësisht sesi, ndoshta duhet të ndodhë ajo që deklaroi mjeshtri Kreshnik Tartari në një emision sportiv në “Mediasat”. “Të gjithë politikanët, - nisi ai, - dhe do t’i kërkoj të më falin për shprehjen që do të përdor, duhet të heqin mantelin e injorancës që kanë pasur gjatë gjithë këtyre viteve për sportin dhe rolin e tij. Të lësh fëmijët pa luajtur, është një krim”.
Të rinjtë e atij brezi të viteve 60-të kishin diçka të veçantë dhe të ndryshme nga ata të dekadave paraardhëse. Ishte koha kur ajo pjesë e vogël e rrugës së Dibrës, nga kryqëzimi me rrugën e Barrikadave e deri tek dalja në sheshin “Skënderbej” (hotel “Vjosa” i dikurshëm) kishte marrë emrin “Broduej” (Broadëay), një dëshirë për t’i ngjarë bulevardit të famshëm të Nju Jorkut. Në atë copë rrugë, ku Ismail Kadareja mori frymëzimin për ta përjetësuar në romanin e tij “Dimri i Vetmisë së Madhe” (më pas “Dimri i Madh”), gëlonte rinia e etur kryeqytetase.
Aty ndodhej edhe një restorant i vogël, që shërbente edhe byrekë apo pilaf dhe tabelën e të cilit e rrëzoi përtokë basketbollisti i shquar vlonjat, Papavangjeli, i njohur për kërcyeshmërinë e tij absolute. Aty kalonte një pjesë të kohës edhe ish-basketbollisti i 17 Nëntorit më pas gazetar, Gavrosh Lëvonja, apo ndryshe Goshi, që duket se i kishte vënë rrugës emrin “Broduej”. Duhej të kalonin shumë vite që ish-shefi i sporteve në kohën e diktaturës, Mehdi Bushati, të ndryshonte për mirë disa rregulla, duke futur një farë profesionalizmi në sport, por në fund të asaj dekade të viteve 80-të gjendja do të ndryshonte tërësisht. Komunizmi do të përmbysej dhe në Shqipëri njerëzit nuk do të dinin apo nuk do të donin më të krijonin sport elitar.
E Hene, 22 Dhjetor 2008