E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Shqipëria i bie gozhdës, Rama i bie patkoit

(“Protestoni, o milet, sepse Rama do pushtet!”) -Populli-

Mëkatári pa pushtet ndihet i rrezikuar. Prandaj sajon pretekste për rrëmuja dhe thërret si i çmendur për protesta edhe ata që i ka marrë më qafë. Mëkatari i jep gjithmonë të drejtë vetes dhe synon të sundojë pa kundërshtarë. Ai nuk i njeh të drejtat dhe lirítë e të tjerëve. Ndoshta prandaj komunizmi e kërkonte “kolltukun” me grykën e pushkës.Vesi nuk pajtohet me virtytin. Grabitqarët nuk e njohin mëshirën. Kush ndihet inferior, përbuz njerëzit me dinjitet. Xhelatin e tërbon mirësía e viktimës. Komunistët shohin me dyshim edhe miqtë e tyre. Mjerë kush ushqen iluzione tek ata, që kërkojnë pushtet me dhunë. Sa më egoist të jetë një lider, aq më altruist e prezanton ai veten. Mashtrimi është “trampolina”, me të cilën arrihet çdo pushtet i pamerituar. Lotët e krokodólit janë “grepi”, me të cilin sharlatanët kapin sidomos njerëzit në nevojë. Akuza ndaj kundërshtarit është “parzmore” për çdo kriminel. Mëshira çmohet prej tyre si mjet për përjetësimin e skllavërísë. Hipokrizia sadiste është për ta kryevlera. Enver Hoxha të jepte plumbin, pasi të kishte puthur në buzë.
Duke qenë diktator i stazhionuar, Rama shtiret liberal i lindur. Prandaj, duke luftuar vetëm për vete, shtiret sikur vajton për të tjerët. I terrorizuar nga hija e mëkateve të veta, nuk e duron qetësínë e Shqipërísë së ndershme. Sukseset e kundërshtarit i prishin gjumin, kurse krizat e sajuara i mbajnë gjallë shpresën. Lakmon pushtet të rrëmbyer, duke mohuar çdo proces zgjedhor të çertifikuar. Ky despot, që dhe deputetët e vet i trajton si shegertë, shtiret sikur nuk ka ambicie politikani. Si populist enverist, Edvin Rama ka për të mbetur i vetmuar, ngaqë kërkon të fillojë bota nga dita e realizimit të ambicies së tij. Lakmia për pushtet absolut ia zvogëlon P.S.-në dhe Shqipërínë. Ndërkohë që parája e tepërt e ka bërë të matet me hijen e mëngjesit. Për të ruajtur pozitën e privilegjuar, “beneficet” i sheh si darova të misionit të tij prej sharlatani. Institucionet e pavarura i çmon si leva në shërbim të ideve të tij të çartura. Mjerë kush i var shpresat te sloganet e tij mashtruese ! ( Kushedí sa gajaset ai me vete, tek u klith njerëzve të marrin fatin e tyre në duar !). Ai nuk çmon askënd, që e mendon se nuk i duhet. Ai nuk don t’ia dijë as për partí, as për fatin e njerëzve në hall, as për progres shoqëror. Aq më tepër ai nuk mendon për liberalizim vizash, a për integrim të vendit në strukturat e botës demokratike. Ai është origjinal në parimet e tij ordinere .“Kandari” i tij peshon vetëm standartet, që e ndihmojnë të ngjisë shkallët e pushtetit. Megjithatë, nuk është fare pa merita. Ai, p.sh., është i paarritshëm në shtirje; në aktrimin se gjoja vuan për njerëzit në nevojë, se gjasme rënkon për vështirësítë e atyre, të cilët e di që nuk duan t’i shohin bojën. Ky ”eremít”, i mbyllur në shpellën e egos së vet, endet si fakir nëpër kasollet e braktisura të fshatrave të thellë, duke menduar se i afrohet më shumë “poltronit perandorak”, pse di të spekulojë naivitetin fisnik të njerëzve, që, ndonëse u mashtruan për dekada nga etërit e tij mizorë, nuk mund ta besojnë që jetën t’ua marë një mashtrues i rí me një tufë rrugaçësh të paskrupullt. Ndoshta prandaj dhe këta nuk e braktisën qysh në fillim Ramën. Kurse Rama prandaj guxon t’i kalojë caqet e paturpësísë, duke u thirrur, madjé, edhe të martirizuarve prej diktaturës të flijohen përsërí për ambicet e tij meskine, por dhe të një grushti sadistësh sharlatanë. Xhelatët kurrë nuk u nginjkan me flijimin e viktimave !...
Enver Hoxha i porosiste xhahílët e tij që në çdo mashtrim të kapeshin pas “hallkës” kryesore. D.m.th., pas mashtrimit më të rafinuar. I udhëzonte si të ulërinin në emër të saj dhe si ta shndërronin gënjeshtrën e sajuar në një armë, me të cilën viktimat të vrisnin njëra-tjetrën. Konflikti çmohej prej tij si shpirti i progresit, ndaj ky “shenjtor” arriti me “revolucionin proletar”, të realizonte vëllavrasjes më mizore. Dhe qe pikërisht ky përbindësh, që, si uragan, rrafshoi çdo vlerë të kombit dhe u mburr me patos për mirëqënien e një populli, që nuk ngopi me dekada barkun me bukë. Ishte ky mashtrues i madh i idealit kriminal komunist, që ulej gju më gju me fshatarin, të cilit i hoqi edhe pulën e vetme nga qymezi. Ky i dha për të ngrënë “fshatarësisë patriotike” misër hibrid, të çembrionizuar, kur kjo prodhonte vetëm grurë. Ky e ngriti këtë mjerane edhe natën nëpër zbore për t’u mbrojtur nga planet e armiqve imagjinarë. Ishte ky “idealizëm” i tij kriminal, që ngriti lart flamurin çnjerëzor se “mushka punon më shumë e sillet më urtë, sa më pak tagji t’i japësh!”. A nuk ulërín sot kështu, dëmprurës, për “kutítë” Edvin Rama ?
A nuk mburret ky sot me Tiranën, e bërë prej tij gati e pabanueshme, njëlloj si të kishte ndërtuar aty parajsën ?! Dhe, i zhytur në rrethin e gënjeshtrës e së vet, a nuk po ul ai çdo ditë imazhin e Shqipërísë duke sajuar “kriza” imagjinare, konflikte artificiale, varfërira të pakapërcyeshme dhe mjerime migjeniane ? (!). Ndaj me të drejtë Shqipëría çuditet se ku e gjen kurajën ky karrierist i sëmurë, ky kryetar me pushtet të tronditur, kur u bën thirrje njerëzve, të cilët, taní që po e njohin, kanë nisur ta braktisin siç hidhet poshtë me neveri një zhgënjim i madh. Dhe, vërtet, ku e gjen kurajën ky demagog, që tenton të miklojë edhe viktimat e komunizmit, duke u kërkuar ta ndjekin pas në çmendurínë e tij drejt një pushteti të pamerituar ?! Dhe kush pa ?! Ai që nderon sot me madhështi edhe satrapin më të madh të kohërave, vrasësin dhe poshtëruesin e tyre më sadist, kriminelin e pabesë dhe antikombëtarin më të madh të kohërave, Enver Hoxhën ! Mos, vallë forca e një drejtuesi me prirje despotike, si Edvin Rama, merr kaq shumë krahë nga paturpësía e tij !? Apo inercia e mentalitetit komunist për marrjen e pushtetit me dhunë, prodhon të tilla perversitete ? Po Edvin Rama ka gjetur një rrugë të shtruar. Se jo më kot e shndërruan dje socialistët korrupsionin në sistem ! Jo më kot e grabitën ata pasurinë kombëtare. Jo pa “shkak” nuk po pajtohen ata sot me sukseset e kundërshtarit politik. Rama i është sulur sot Kuvendit, tempullit më të shenjtë të demokracisë. Dhe jo pa qëllim ai po tund me forcë kërkesën, gjoja, për një standart të lartë, gati imagjinar, antikushtetues e antiinstitucional për zgjedhje edhe më të lira (!). Prandaj zmadhon ai sot çdo vështirësí të ekonomisë ; akuzon pa pushim mazhorancën si një forcë, që gjoja punoka që si e si të shkatërrojë jetën e atyre që e votëbesuan, si t’i mbyllë portat e së ardhmes aspiratave të saj, që janë po ato të popullit të vet (!).
Por ky kalim arrogant e absurd nga idealizmi fisnik i lirisë së votës së lirë, në shkallën e ulët të harbutërinë së rrëmbimit të pushtetit me “forcën” e protestave dështake, ia ka zbuluar tashmë këmbët “gjarpërit”. Dhe socialistët e ndershëm po arrijnë të vënë në dyshim se mos i ndjek pas ndonjë mallkim i pamerituar. Se nuk arrijnë të shpjegojnë dot përse t’u bjerë në pjesë një drejtues kaq cinik e hipokrit, një sharlatan i kalibrit kaq të lartë. Ngaqë, tamám kur po realizohet ëndrra e rilindasve të mëdhenj, kur po vihen në jetë aspiratat shekullore të bashkimit me qytetërimin perëndimor, socialistët bëjnë çmos të ulin imazhin e Shqipërisë, duke braktisur pa shkak Kuvendin! Ndoshta prandaj këtë situatë populli e cilëson si një frymë të keqe, si një stihí të agonisë së komunizmit të papenduar, duke thënë: “Kur Shqipëría i bie gozhdës, Rama me mercenarët e tij shpirtkazëm, i bien patkoit!”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›