Protestat e Ramës bëhen takime e takimet “biseda intime”

Kalendari i paralajmëruar i protestave s’ka prodhuar uragan pjesëmarrjeje, bile as puhizë, por vetëm shkretëtirë në sheshe e në rrugica. Të gjendur në hall, Toçi në Orikum, Dade në Këlcyrë e Beqja në Koplik, i kanë shndërruar paralajmërimet për protesta në “takime me popullin”, ndërkohë që në selinë e PS thuhet se ato s’janë as takime, nëse në to nuk shfaqet fenomeni i “bisedave intime”
Protestat e paralajmëruara se do të zhvilloheshin në çdo rrugë e në çdo shesh të Shqipërisë, kanë rezultuar një dështim i vërtetë për PS-në në përgjithësi dhe për Edi Ramën në veçanti.
Më tepër sesa harresë e zanafillës së “lëvizjes politike” 1-vjeçare, mungesa e një strategjie, që normalisht duhet të kishte e demonstronte një opozitë normale, ka bërë që në këto rrethana, Edi Rama të zhvillojë një politikë spontane.
Duke harruar transparencën e zgjedhjeve, për më tepër hapjen e kutive, Edi Rama mjaftohet, apo vetëkënaqet, pse Fatmir Toçi ka përmbushur premtimin duke zhvilluar një takim me 10 persona në Orikum, pse Arta Dade ia ka dalë që në Këlcyrë të mbledhë nja 10 persona të tjerë, duke i etiketuar “protestues”, pse Ilir Beqja ka mundur të tërheqë vëmendjen e 10 personave të tjerë në Koplik... apo..., apo..., pse Fidel Ylli “ia ka thyer hundët” Erion Braçes, duke i prishur protestën e 10 personave që kishte mundur të gënjente për të dalë në shesh në Berat. Mund të vazhdohet pafundësisht me Eltar Deden, Ditmir Bushatin, Namik Doklen, Vasilika Hysin, Taulant Ballën etj.., etj..., por që ajo që bie në sy, dhe që nuk mund të kalojë pa bërë përshtypje, është se, Nikla, Levani, Krraba, Kamza, apo edhe Puka, gjithsesi nuk mund të përcjellin idenë se përfaqësojnë gjithë rrugët e sheshet e Shqipërisë, që pastaj të besohet se “uragani” i protestës së PS-së, “do të bëj namin” në 30 prill në Tiranë.
Këtë e di edhe vetë Edi Rama, pavarësisht se qëllimi apo roli i tij kryesor, është që këto “me nder protesta”, të jenë prezente me pamjet filmike të realizuara nën kujdesin e Endri Fugës dhe të shfaqura në televizionet “e pavarura të opozitës”, por që kanë kujdesin dhe interesimin e vetë kryesocialistit.
Protestat e Edi Ramës, të paralajmëruara se do të zhvilloheshin në çdo rrugë e në çdo shesh të Shqipërisë, për të kulmuar në 30 prill, sipas ëndrrës me sy hapur të parë prej atij vetë, nuk kanë asgjë më shumë se protestat që Erion Veliaj zhvillonte dikur me çunat e “Mjaft”-it.
Kjo ngjashmëri, bie në sy fare mirë, kur dëgjon citatet e Edi Ramës (me copyright të Endri Fugës), që nuk ndryshojnë aspak në përmbajtje nga ato që hidhte në formë parullash Erion Veliaj, për kur drejtonte “Mjaft”-i.
Ashtu sikurse Erion Veliaj, për inat të ish-Kryeministrit Fatos Nano çirrej rregullisht se, “ka ardhur koha që këtej e tutje duhet të reagojmë, pasi këtu vendosim ne e jo Nano”, ashtu edhe Edi Rama artikulon këto ditë se, “jemi në kushtet kur populli duhet të marrë fatet e veta në dorë”.
Në fakt, protestat e ditëve të fundit të Edi Ramës, kanë një ndryshim nga ato të Erion Veliajt. Ndërsa Erion Veliaj dhe çunat e “Mjaft”-it përdornin si “aksesorë” çizme apo fustane të bardhë nusërie, çunat e Edi Ramës përdorin copa ndoshta “underëear”-esh të zeza, të cilat i kishin zgjedhur si “aksesorë” për të protestuar kundër fjalës së lirë...
Ndryshimi qëndronte edhe në “dekorin” që keqpërdorte Erion Veliaj në kohën kur drejtonte “Mjaft”-in, nga ai që keqpërdor Edi Rama tani.
Ndërsa Erion Veliaj përdorte si “dekor” Arbian Maznikun dhe disa çuna anonimë, edhe Edi Rama ka Gramoz Ruçin e vet, sigurisht me deputetët anonimë të PS-së.
Ajo që nuk ndryshon, është jo vetëm “skenaristi” Endri Fuga, por edhe qëllimi...
Erion Veliaj, në kohën kur drejtonte “Mjaft”-in, me porosi të Edi Ramës, ndërsehej bashkë me të vetët kundër ish-Kryeministrit Fatos Nano, sot, Edi Rama, sipas porosisë së tij, ndërsen veten dhe të vetët kundër Kryeministrit Sali Berisha.
E pandryshueshme në këtë mënyrë proteste të Edi Ramë, të pandryshueshme nga ato të Erion Veliajt, është edhe mungesa e interesimit të aleatëve, sikurse Skënder Gjinushi, Paskal Milo, etj, të cilët ndërsa silleshin indiferentë e mospërfillës ndaj protestave anti-Nano të Erion Veliajt, në kohën kur drejtonte “Mjaft”-in, aq injorues e mospërfillës sillen edhe në këtë fushatë protestash spontane anti-Berisha të Edi Ramës...