E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfitimet e spitalit rajonal të Lushnjes nga reforma në shëndetësi e kabinetit “Berisha”

Reformimi në sistemin shëndetësor, përbën një nga premtimet e mbajtura të kryeministrit Berisha; ky sektor ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e qeverisë aktuale për të gjithë Shqipërinë, por në veçanti për rrethin e Lushnjës.
Menjëherë pas fitores në vitin 2005, një hap i madh u hodh në ndryshimin e sistemit të financimit të shëndetësisë dhe një prej tyre ishte futja e sistemit parësor në skemën e sigurimeve shëndetsore.
Duke patur parasysh kontekstin aktual politik në vend, krahu i majtë politik ka nisur një fushatë duke ecur në një taktikë dhe strategji destabilizuese. Duket shumë e pavend, sidomos për ata që janë në krye, ta quajnë partinë e tyre “opozitare”, thua se jemi në gjendje lufte. Të mbizotëruar nga ide dhe andralla për marrjen e pushtetit me forcë, duket se fjalët dhe emërtimet dalin nga “Manifesti” i Marksit. Ekcentrikët dhe radikalët e quajnë veten “opozitarë”, me gjithshka, pasi në të vërtetë të tillë janë.
Por Shqipëria ka patur boll opozitë, madje e ka patur shumë herë më të ashpër sesa kjo sot dhe kështu që e ka të qartë se çfarë sjell opozita e rrugës. Ky vend nuk kërkon parti "opozitare" që të kundërshtojnë dhe të mohojnë gjithshka, por mbi të gjitha kërkon parti apo individë që të ofrojnë "alternativa" për zgjidhjen më të mirë të mundshme; ky është edhe roli i mirëfilltë i tyre.
Por shpesh në politikën e krahut të majtë, vendosjen në krye të individëve në strukturat e tyre, e bazojnë duke zgjedhur të keqen më të vogël dhe jo të mirën më të madhe. Krijimi i panikut, ndjenjës së frikës, kundërshtimi ndaj çdo gjëje që është arritur, pa marrë parasysh logjikën dhe arsyen, janë përpjekje që synojnë ta destabilizojnë këtë vend. Shqiptarët politikisht janë më të informuar sesa mendohet të jenë, pra, e dinë mirë se “kush është kush” dhe e kuptojnë mjaft mirë se çfarë "alternative" u paraqitet përpara. Ata nuk pajtohen me lëvizje që krijojnë premisa për trazira. Alternativa e panikut është një alternativë e dështuar. Ja një rast i ditëve të fundit: Propaganda mashtruese e majtë përhapi lajmin alarmant se spitali civil i Lushnjës do të mbyllet, se do të transferohen pothuajse të gjitha trajtimet mjekësore drejt qendrës së prefekturës, pra drejt Fierit. Të majtëve, pra drejtuesve kryesorë në Lushnje, ata që janë marrë me një veprimtari të tillë shpifëse, duhet t’u kujtoj se ky dezinformim i çfarëdomodeli qoftë, do të ketë pasoja tek votuesi; mashtruesve u del shume shpejt varaku i gënjeshtrës. Votuesi e kupton shumë mirë se kush është shpifësi dhe mënyrën se si flet ai. Thashethemnaja ka ardhur si rrjedhojë e një propagande të pakontrolluar dhe patjetër që do të shkaktojë dëme më të mëdha për vetë organizimin e majtë në këtë rreth. Faktet që do të paraqes më poshtë të japin të paktën një leksion "të mësosh kur të heshtësh". Sipas vetë kreut të Ministrisë së Shëndetësisë, z.Petrit Vasili, spitali i qytetit të Fierit, që të plotësojë kushtet për të qenë spital rajonal, nëse fillon puna sot për një gjë të tillë, i duhen të paktën 10 vite për ta marrë këtë rol. Ne e dimë se kjo është mëse e vërtetë; pasi spitali i Fierit, në disa aspekte sasiore e cilësore, është shumë herë më prapa nga ai i Lushnjës. Por ajo që është më e rëndësishme të përmendet, është se nuk ka asnjë politikë e strategji të hartuar e të miratuar për të bërë një veprim të tillë.
Në Lushnje, politika e zhvillimit të mjeksisë në përgjithësi dhe e shërbimit spitalor në veçanti mban vulën e plotë të qeverisë Berisha, ajo është një politikë favorizuese dhe mbështetëse në ndihmë të qytetarit të thjeshtë e të ndershëm myzeqar. Faktet janë kokëforta; ato e kalojnë edhe fuqinë e fjalëve aq më tepër kur këto janë pallavra me qëllime të kamufluara perverse: Buxheti (duke përjashtuar investimet) për spitalin Lushnje ne vitin 2005 ishte 188 milionë lekë të reja; në vitin 2009 ishte 267 milionë lekë të reja. Rreth 50 % më shumë. Pa koment; besoj se kuptohet se kush janë të detyruar të heshtin; të heshtin ata që hapin panik dhe fjalë-gënjeshtra për aktivitetin e spitalit Lushnje. Të vazhdojmë edhe më tej me shifra dhe fakte. Ne vitin 2007 investimet ishin afërsisht 177 milionë lekë të reja; në vitin 2008 ishin më afërsisht 260 milionë lekë të reja dhe ne vitin 2009 ishin 374 milionë lekë të reja, pra dy herë më shumë dhe vetëm në dy vite diferencë. Zonja Barie çela, drejtuesja e aftë dhe me plot dëshirë e pasion e këtij institucioni, perfaqësuese e LSI-së, ka ambicie akoma më të mëdha për vitin 2010. “Kam marrë mbështetjen e plotë të Ministrisë së Shëndetësisë” thekson ajo “se fondet për shpenzime dhe investime do të jenë akoma më të mëdha”. Spitali Lushnje ka marrë një emër të madh “Isan çabej”. Vështirë se ka familje myzeqare që nuk ka ndjerë ngrohtësinë dhe gadishmërinë e shërbimit nga dora dhe mendja e këtij njeriu tejmase popullor. Historiku i zhvillimit të mjekësisë në Lushnjë mban në vetvete emra shumë të shquar mjekësh të tjerë, që kanë mbaruar studimet e tyre brënda dhe jashtë vëndit. Disa nuk jetojnë më, por është e sigurtë se nuk do të harrohen nga familjet bujare lushnjare.
Paniku i përhapur duket si një ofezë për gjithë plejadën, dhe jo vetëm për atë të mjekëve por edhe të gjithë personelit shëndetësor. Lushnjarët duhet të jenë të bindur që ata kanë qenë të vlerësuar nga qeveria Berisha, dhe të tillë do të mbeten.

Autori është Ekspert për Pushtetin Lokal

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›