E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur aspirata e shqiptarëve vlerësohet me çmimin Nobel

13-10-2012 / Nga Ilda Mihali

I krijuar ne 1957 me nënshkrimin e Traktatit të Romës me 6 vende të cilat kërkonin integrim ekonomik është shndërruar sot në një union prej 27 vendesh që luan rolin kryesor për bashkimin e kontinentit, rol të cilit iu akordua dhe çmimi Nobel për paqen. Ky union punoi kaq gjatë për paqen, pajtimin dhe demokracinë në Evropë. Investimi më i mirë që ka bërë ky union i referohet pajtimit të shumëpërfolur mes Francës dhe Gjermanisë, konflikt i cili merr fund në 1945 me të gjitha përpjekjet e Bashkimit Evropian. Peripecitë e Luftës së Parë Botërore i dhanë stimulin e parë krijimit të këtij bashkimi. Edhe pse ky çmim i vjen BE-së në një kohë kur kriza ka pushtuar zonën Euro, ky çmim është plotësisht i merituar për një union i cili ka frymëzuar vendet anëtare e më tej me paqe dhe frymë antikonfliktuale. Por ky çmim me siguri që nuk ka sjellë gëzim për të gjithë e sidomos për qytetarët  grekë të cilët e treguan dashamirësinë e tyre me pritjen që i bënë Angela Merkelit. Por një punë 60 vjeçare padyshim që s’mund të zhvlerësohej, kish ardhur momenti që punës së pajtimit të popujve t’i vihej një emër, t’i jepej një çmim  i cili është më shumë moral. Ky union merr një rëndësi të veçantë sidomos tani që kriza e ka pushtuar të tërin por që elita e saj vazhdon misionin për çdo stabilitet në Ballkan. Ajo që e karakterizon këtë union është motivimi, motivimi mes tyre dhe motivimi që ata kanë përcjellë në vendet ish komuniste pas rrëzimit të murit të Berlinit në 1989. Ky çmim për paqen kurorëzoi të gjitha përpjekjet e BE-së për ta shndërruar Evropën nga kontinenti që për shumë kohë u shndërrua në sheshin ku kryheshin luftëra pa fund, në një kontinent që padyshim dhe papushim mundohet të ketë kryefjalë te saj paqen. Çmimi 1 milion euro edhe pse pak në krahasim me borxhin që kap rreth 6 trilionë euro është një çmim moral që i jep këtij unioni të gjithë vlerësimin për një punë shumëvjeçare dhe që mbi të gjitha ka në thelb luftën për të vënë në qendër të botës njeriun dhe të gjitha të drejtat e këtij të fundit për të jetuar ne demokraci të pastër. Sot lufta mes Gjermanisë e Francës do të ishte e pakonceptueshme, por brenda një harku kohor prej 70 vitesh ka pasur 3 luftëra mes tyre. Por s’do përbënte një vlerë nëse ky çmim do t’i atribuohej vetëm punës së shkuar të unionit. Pranimi i Kroacisë vitin tjetër, bisedimet për anëtarësim me Malin e Zi por mbi të gjitha marrja e statusit si vend kandidat i Shqipërisë parashtron para nesh një BE që bën çmos që me një frymë demokratike të bashkojë gjithë Ballkanin. BE me të gjitha vështirësitë e saj financiare vazhdon misionin e saj të të punuarit fort për paqe, pajtim, demokraci dhe të drejta njerëzore. Shqipëria duke qenë një shtet pas shume vitesh komunizëm dhe tranzicion e sheh këtë BE që vlerësohet me çmimin Nobel si ëndrrën e të gjithë shqiptarëve dhe si ëndrrën për të cilën duhet punuar shumë. BE është destinacioni më i rëndësishëm drejt së cilit ky shtet duhet dhe mbi të gjitha ka dëshirën e madhe të shkojë. Anëtarësimi në të, na parashtron shume detyra por mbi të gjitha dhe shumë të drejta .Të drejta të cilat lidhen maksimalisht me mbështetjen e vendeve të tjera anëtare për të përballuar sëbashku sfida rajonale dhe globale në çështje të karakterit të rëndësishëm si: kriza globale,siguria energjetike apo ndryshimi i klimës. Anëtarësimi  do të sjellë për qytetarin të mira pafund si: rritje e punësimit,studime jashtë vendit, bashkëpunim mjekësor e shumë të tjera. Mundësia për t’u punësuar jashtë vendit e zhduk menjëherë pesimizmin e të kurrëpunësuarit, të studiuarit jashtë shtetit tënd rrit kualifikimet dhe vlerat e mëtejshme si qytetar dhe profesionist dhe bashkëpunimi mjekësor mes vendeve të këtij unioni mban larg shpresat e humbura  që një individ mund të ketë nëse për kushte nga më të ndryshmet një ndërhyrje do të ishte e pamundur të kryhej dhe të dilte me sukses brenda vendit. BE i ofron shteteve të kenë përtej mundësive dhe kapaciteteve  që ata munden, brenda një kuadri që nuk është veçse paqesjellës dhe mundësi ofrues.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›