E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse Skënder Tufa, i dënuar 7 vjet për prostitucion, u ndodh në krye të grevës?

13-10-2012 / Gazeta 55

Në krye të një aksioni imoral, i cili turpëron ish-të përndjekurit dhe synon t’i armiqësojë ata me shoqërinë, mund të zgjidhej veç një njeri me kredenciale imorale, i cili ishte i gatshëm për çfarëdolloj mercenarizmi. Pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve dhe afrimit të kompromisit, politikanët e 21 janarit, që kanë porositur grevën, urdhëruan Skënder Tufën, të mallkonte dialogun e të shpallte “grevën e vdekjes”. Agjenda destabilizuese është konsumuar mbrëmë, nën heshtjen e sikletshme të intelektualëve dhe përfaqësuesve të vërtetë të ish-të përndjekurve, të cilët po tolerojnë protagonizmin e disa kodoshëve politikë

Dje publiku asistoi në disa shfaqje domethënëse të bjerrjes së përgjegjësisë nga forcat politike dhe nga opinionbërësit “profesionistë”. Pasi u publikua dosja gjyqësore që vërtetonte se Skënder Tufa, kryetari i grevës së ish-të përndjekurve politikë, ishte dënuar 7 vjet burg për prostitucion dhe se ditët e ndëshkimin i kishte çuar kokërr më kokërr pas qelisë, deri më 2010-n, në vend të heshtjes dhe reflektimit, u has një protagonizëm edhe më i thekshëm i ish-të dënuarit...e po ashtu u theksua fort edhe entourage-i politik e mediatik që e sponsorizon atë. Të shihje Skënder Tufën që mallkonte që nga “çadra e grevës” takimin që ndërkombëtarët kishin ndërmjetësuar mes një tresheje grevistësh (vini re...Tufa nuk është) dhe Presidentit të Republikës dhe shpallte se do përshkallëzonte grevën, pasi s’po i pëlqente afrimi i kompromisit. I dënuari me 7 vjet burg për prostitucion u shfaq edhe para derës së ambasadës amerikane, duke mallkuar kompromisin, në të njëjtën kohë, kur një vartës i Bamir Topit, lëshon kushtrimin politik se s’duhet arritur kurrsesi kompromisi.
Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: Pse Skënder Tufa, i dënuar me 7 vjet burg për prostitucion, u ndodh në krye të grevës së ish-të përndjekurve politikë? Përgjigja e parë është e pashmangshme. Kjo grevë nuk është përfaqësuese, është e porositur nga një grup arrivistësh që s’e çajnë kokën për moral, prandaj edhe kanë psonisur të parin që kanë gjetur me çmimin më të lirë të mundshëm e të gatshëm të drejtojë të tjerë syleshë në marrinat më të padëgjuara për shqiptarët. Prandaj edhe ai stan atë bylmet nxjerr, ai mercenarizëm politik, kredencialet e Skënder Tufës kërkon (dhe gjen). Rasti e do të pyesim, nëse përveç çmendurisë së benzinës, a ishte edhe kodoshllëku në listën e kredencialeve, për të cilat, porositësit e grevës s’ishin të gatshëm të negocionin?
Pas daljes së dërgatës së të përndjekurve nga selia e presidencës, vëzhguesit mund të kenë pikasur se si u shfaq shqetësimi i arritjes së kompromisit tek të gjitha ato blogjet mediatike (dhe disa pseudoparti politike pas tyre) dhe se si u nis mallkimi për grevistët që ishin treguar syleshë dhe i kishin besuar ndërmjetësimit të SHBA-së. Mallkimi ishte sinjal se axhenda e parapërgatitur ishte tradhtuar e se prej një kompromisi të mundshëm s’mund të vinte kurrfarë përfitimi politik. Dhe bash në këtë moment shfaqet Skënder Tufa, i paracaktuari dhe me “kredencialet” e duhura për një grevë kodoshe, dhe mallkon negociatat, përqesh presidentin, klith në dyert e ambasadës amerikane dhe urdhëron grevistët (vetë kodoshi i gjetur për të drejtuar grevën koordinon nga jashtë) të heqin dorë edhe nga uji. ‘Është një grevë e vdekjes” shpall kodoshi, pasi porositësit s’dinë të porosisin ndryshe veçse me bilance vdekjesh. E kanë bërë me disa të përndjekur më 1997, më e freskët akoma është bilanci i 21 janarit e tani porositësit recidivistë urdhërojnë kodoshin e Kodrës së Liqenit që të kalojë tek shkalla finale e grevës.
E gjithë kjo sjellje që të heq mallin e çmendurive të “Artit Ushtarak Popullor” të kohës së merhumit, konsumohet para heshtjes së plotë të intelektualëve, mediave dhe përfaqësuesve të shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Askush nuk doli t’i thoshte Skënder Tufës “largohu nga mikrofonat e mediave, se ti s’e meriton këtë kauzë”, por u hesht, duke e lënë marrinë të konsumohet. Në periferi, pasi dy të përndjekurit e djegur dolën jashtë rrezikut për jetën, u shfaq Edi Rama në vetë të parë, që të organizonte një përcjellje “live” për Greqi, ndërkohë që mediat e tij shpeshtuan tamtam-et me Skënder Tufën, si për të treguar se morali i grevës së të përndjekurve aq meriton e se ai ishte dakord me këtë përfaqësim të poshtër.
Prandaj edhe është zgjedhur një i dënuar me 7 vjet për prostitucion që të drejtojë një grevë të porositur, pasi ai s’shqetësohet se po përdhos moralin e të gjithë shtresës, se po tëhuajëson krejt shtresën me shoqërinë e se po drejton një aksion që i vjen era kamikazllëk politik. Zaten për këtë është zgjedhur ky kodosh që përvetëson kauzën e të përndjekurve politikë, është zgjedhur sepse i ngjan lekur, “i jepet prurësit me të parë”, atij që para syve i tund verdhushkat.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›