Kur burrit shqiptar i vënë brirë
Bashkëprodhimi shqiptaro-francez për komedinë e Molierit "George Dandin" as më shumë dhe as më pak se një shfaqje shkollarësh. Aktorë që çirren, valltarë me tuta shpie dhe një koktejl i çuditshëm muzikor
Komedia "George Dandin" e Molierit finalizoi "Pranverën e frankofonisë" në Shqipëri. Pjesa e luajtur në frëngjisht dhe në shqip u vu në skenë nga regjisori Franc Helmer me pjesëmarrjen e aktorëve shqiptarë dhe francezë.
Për të theksuar dallimet klasore mes borgjezisë dhe shtresës së ulët Molieri ka shkruar historinë e martesës së fshatarit të pasur Zhorzh Dondesë me Angjelikën, një vajzë nga derë fisnikësh të rrënuar.
Dhe këtë histori regjisori francez e zhvendos në një fshat të Shqipërisë. Kështu, ai që do të shihnim gjatë shfaqjes, një Zhorzh i gjorë, ishte një babaxhan shqiptar. Paksa e vështirë për tu imagjinuar kjo përzierje në një mjedis shqiptar të shekullit të 17-të.
Regjisori ndonëse punoi për gati tre muaj për përshtatjen në gjuhë shqipe, ka bërë përçapje minimale për të guxuar me përshtatje të veprës në një vend ballkanik, në një realitet tjetër, i ndryshëm nga i vendit të tij.
George Dandin i Molierit është një bashkëshort që tradhtohet nga e shoqja. Meqenëse kemi të bëjmë me një përshtatje në gjuhën shqipe regjisori mund edhe ta kishte përshtatur paksa subjektin. Ndonëse ndër francezët tradhtia mund të jetë një dukuri e pranueshme, e tolerueshme, në Shqipërinë e asaj kohe ishte një nga fyerjet më të rënda që i bëhej një burri.
Loja e aktorëve nuk e zbuste aspak këtë kontrast. Adelina Muça (Angjelika) krijonte idenë e personazhit, një grua e pakënaqur nga martesa që i kishin sajuar prindërit me një burrë që nuk e donte, por vetëm kaq.
Asgjë nuk u duk nga bota shpirtërore e një gruaje e cila e përbuz të shoqin dhe kërkon dashuri në krahët e një burri tjetër. Veç kornizës së personazhit asgjë tjetër nuk mbërriti tek publiku.
Geroge Dandin apo Bashkëshorti konfuz apo Burri i fyer, në të tria rastet Alert Çeloalia, ishte një shartim i paqartë mes burrit shqiptar dhe atij francez.
Një veshje tradicionale burrash, me brez kuq e zi, në trupin e një njeriu që sado xheloz i sëmurë ishte tepër i butë për të qenë shqiptar. Orvatja e Çeloaliajt për të sjellë pak humor popullor televiziv ishin të vetmet momente që duartrokiteshin nga publiku.
Gjuha e aktorëve ishte një tjetër problem i shfaqjes. Duke qenë në dy gjuhë, artikulimi i frëngjishtes nga aktorët shqiptarë nuk pritej të ishte i një niveli të lartë. Por puna qëndron ndryshe tek dialogët në shqip.
Aktorët që interpretonin vërtet që konsiderohen të rinj, por jo aq sa të mos dallojnë aktrimin nga ulërimat. Nga personazhi i Klotildës (Marsela Lena) në mendje nuk të ngelte veç ulërimat dhe bredhjet nga një cep i skenës në tjetrën.
Skena dashurie, dinakërie, faji, apo dredhie, të gjitha ishin të një standardi. Në këtë personazh ishte e vështirë të ndaloje një moment dhe të fiksoje thelbin e karakterit të saj, Klodilda e konceptuar sipas Molierit.
Interpretimi i dy francezëve Eloise Le Petit dhe Ghyslam Martin ndryshonte shumë. Ndonëse dialogët e tyre ishin në të njëjtën gjuhë, frëngjisht, artikulimi i plotë dhe kumbues i Zotit Sotonville (Ghyslam Martin), eklipsohej nga interpretimi prej shkollareje i zonjës Sotonville, loja e së cilës interpretim nuk mund të quhej. Sjellje të prera, mimikë e ekzagjeruar dhe piskama në vend të ligjëratave.
Por nuk mbaronte me kaq bashkëpunimi i Teatrit të Metropolit me Ambasadën Franceze. Në përpjekje për ta veshur veprën me sa më shumë elementë shqiptarë shumë vend dhe pa kriter i ishte lënë Ansamblit "Tirana". Pjesët që Molieri ia kishte rezervuar baletit (sigurisht të asaj kohe) Helmer-i i kishte zëvendësuar me valle popullore me motive nga disa treva të vendit. Ishin valltarët ata që e hapën siparin e shfaqjes.
Mes figurave koreografike të realizuar nga Rexhep Çeliku nuk mund të mos binte në sy veshja e valltarëve. A thua se kjo ishte një shfaqje e zakonshme, rutinë për të cilën nuk është punuar 3 muaj, që kostumografia të mos kishte kohë të realizonte dy-tre palë poture për djemtë.
Nëse nuk do të dëgjohej ajo zhurma karakteristike që bën një material plastmasi kur fërkohet me një tjetër të ngjashëm, nuk kishte për tu vënë re që njëri nga valltarët kishte veshur tuta sportive, të cilat sigurisht që ishte munduar t'i shndërronte në poture.
Nuk ishte i vetmi që kishte veshur diçka për t'ia hedhur edhe kësaj here. Një tjetër valltar u ngjit në skenë me tuta për shpi. Teksa kërcente nuk ishte e vështirë të dalloje edhe xhepin e pasëm.
Dhe për të plotësuar tablonë e koktejlit franko-shqiptar, muzika. Nëse gjithë gjykimi i veprës do të varej nga muzika atëherë gjërat do të komplikoheshin. Nuk mund të dallohej nëse pjesa i takonte ndonjë vendi apo kohe të caktuar.
Ritmet e ballove franceze të viteve 1700 i linin vendin valleve popullore shqiptare. E më tej një çudi. Fshatarë shqiptarë që pas korrjes së grurit këndojnë "25 gërsheta"! Edhe një detaj i vogël (ndoshta për të treguar që Shqipëria është edhe një vend me popullsi myslimane), kënga e një hoxhe në të gdhirë.
Mund të thuhet edhe më shumë për këtë shfaqje, e cila nisi si "George Dandin" ose "Bashkëshorti Konfuz" dhe u ngjit në skenë si "Burri i fyer". Afishja (një gjel deti, me një lafshë dhe sqep të stërzgjatur dhe të lëshuar, nuk ka asgjë të përbashkët me ndonjë simbol tradhtie) e marrë nga një botim në frëngjishte i veprës i mbyll të gjitha.
--------------------------------------------------------------------------------------------
Pianisti i Chopin-it
Në koncertin e saj të radhës orkestra "Camerata e Tiranës" ka ftuar pianistin francez Pascal Gallet. Mbrëmja muzikore e realizuar dje në Akademinë e Arteve u dirigjua nga Zhani Ciko. Për publikun shqiptar Gallet ka interpretuar pjesë nga Chopin, Oliver Messiaen dhe Leo Janáek.
Nga Chopin ka interpretuar tre pjesë, "Nokturn në Do minor, Scerzo Nr.1 dhe Koncert për piano dhe orkestër". Arsyen pse ka zgjedhur tre pjesë nga Chopin, Gallet e shpjegon: "Është muzikë e veçantë, ka shumë ndjeshmëri në këtë muzikë, ka shumë ngjyra. Mbi të gjitha publiku e pëlqen".
Ndonëse ka filluar të luajë në piano në moshën 7-vjeçare, dhe recitalin e parë e ka realizuar në moshën 10-vjeçare, Gallet thotë se ka vetëm dhjetë vjet karrierë në muzikë. Ndër shumë vende ku ka interpretuar veçon Gjermaninë, Nju Jorkun, Romën dhe duke vënë buzën në gaz shqipton Tiranën.
Pak orë para koncertit pohon se me instrumentistët shqiptarë ka gjetur një mënyrë komunikimi. "Nuk ka asnjë dallim mes muzikantëve të rinj dhe atyre më me përvojë. Ata janë të predispozuar për të dhënë. Çdo muzikant jep muzikë së bashku me mua",- thotë pianisti francez.