E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet, më pas i vihet zjarri 44-vjeçarit

Bujar Krasniqi ka gjetur vdekjen në shtëpinë e tij, ndërsa dëshmitare e vetme e ngjarjes rezulton të jetë e bija


Nga hetimet e para ka rezultuar se viktima kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigracioni në shtetin fqinj


LUSHNJË - Vritet me pistoletë me silenciator e më pas i vihet zjarri shtëpisë së tij, ku ndodheshin edhe katër fëmijët.

Dëshmitare e vetme e ngjarjes është vajza e 44-vjeçarit, e cila, sipas të dhënave të policisë, ka parë një person duke u larguar me vrap nga banesa, në momentin që ka vënë re se shtëpia është përfshirë nga flakët.

Fillimisht u deklarua se Bujar Krasniqi kishte ndërruar jetë nga zjarri i rënë, por më pas, nga ekspertiza e kryer, ka rezultuar se në trupin e tij ndodheshin dy plumba, duke zbuluar se ishte një vrasje, dhe jo vdekje nga zjarri.


Ngjarja


Mëngjesin duke gdhirë e hënë, rreth orës 01:30, vajza e madhe e Bujar Krasniqit ka ndier erën e tymit dhe ka parë flakët e zjarrit të rënë në shtëpinë e saj. Pasi ka marrë vëllezërit më të vegjël, vajza i është drejtuar shtëpisë së xhaxhait.

Pasi ka thirrur të afërmit, ata janë kthyer në shtëpi për t'i dhënë ndihmë kryefamiljarit, i cili, çuditërisht, nuk ka reaguar kundrejt zjarrit. Por shtëpia është përfshirë nga flakët, pa u dhënë mundësinë që të reagonin ndaj 44-vjeçarit.

Në momentin e rënies së zjarrit, në banesë ka qenë vetëm Bujari dhe fëmijët e tij, ndërsa bashkëshortja ndodhej në qytetin e Pogradecit për një ngushëllim familjar.


Dëshmia


Vajza e viktimës mendohet të jetë edhe dëshmitarja kyç në këtë ngjarje. Pasi ka ndier tymin ajo është ngritur dhe në këtë moment ka parë edhe një person të maskuar që të largohet.

Në deklarimet e para mësohet që e mitura të ketë thënë se ishte një person me një xhup në ngjyrë të kuqe, megjithatë mendimi për të larguar vëllezërit nga flakët ka bërë që ajo mos të jetë treguar shumë e vëmendshme në këtë fakt.

Vëllai i viktimës shprehet se pas thirrjeve të vajzës, ata kanë vrapuar për të ndihmuar Bujarin, por ka qenë shumë vonë, pasi orenditë shtëpiake ishin përfshirë nga flakët.

Tentativa për fikjen e zjarrit ka qenë e kotë, ndërsa pak më vonë është konstatuar se zjarrvënia ishte e qëllimshme.


Hetimet


Por, pas mbërritjes së ekspertëve në vendin e ngjarjes, të cilët kanë studiuar pozicionin e viktimës, është hedhur dyshimi se Bujar Krasniqi kishte vdekur para se të binte zjarri. Kështu, teksa i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, është konstatuar se në trupin e tij kishte shenja të armës së zjarrit dhe përkatësisht një nga plumbat ka qenë në kokë. Nga të dhënat e para të mbledhura nga policia rezulton se 44-vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi në Greqi, ku qëndronte prej 1 viti e gjysmë.

Të afërmit e tij janë shprehur se ai nuk kishte hasmëri me asnjë person, por nga ana tjetër banorë të këtij fshati shprehen se ai kishte borxhe.

Pesë persona janë marrë në pyetje për disa orë nga oficerë të policisë gjyqësore e më pas janë lënë të lirë. Burime të policisë bëjnë të ditur se ende nuk ka një pistë lidhur me vrasjen, ndërsa pritet të shihet aktiviteti i viktimës jashtë shtetit, por edhe borxhet e dyshuara në zonë.

Fakti që të shtënat nuk janë dëgjuar nga askush, dyshohet që ekzekutimi i 44-vjeçarit të jetë bërë me pistoletë me silenciator.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›