Grabitet me armë agjencia e udhëtimit
DURRËS/ Dy të rinj kanë kërcënuar punonjësen, duke marrë rreth 1 milionë lekë nga arka
DURRËS - Një agjenci udhëtimi dhe transfertash parash është grabitur mëngjesin e së hënës në lagjen nr. 4 të Durrësit nga dy persona të pamaskuar dhe të armatosur. Nën kërcënimin e armëve, grabitësit kanë detyruar punonjësen e kësaj agjencie që t'u jepte paratë që gjendeshin në arkë.
Shuma e marrë prej tyre është e konsiderueshme, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për identifikimin, kapjen e autorëve si dhe zbardhjen e krejt ngjarjes e cila e shpie në tre numrin e grabitjeve me armë të subjekteve privatë që bëhen brenda vitit në Durrës.
Sipas dëshmive të marra, ora shënonte 08:45 kur dy vetë të armatosur kanë hyrë në agjencinë ku ndodhej vetëm një grua. Punonjësja 35-vjeçare ka menduar se ishin klientë të zakonshëm dhe kur ka kërkuar që t'u shërbente është ndodhur nën kërcënimin e armës.
Dy grabitësit kanë marrë nga arka 4100 dollarë, 2300 euro, si dhe 12 000 lekë. Më pas ata janë larguar nga ambientet e agjencisë, pasi e kanë kërcënuar shitësen se po të bërtiste do ta zhduknin nga faqja e dheut dhe se po të dëshmonte në polici, do t'i vrisnin fëmijët. Pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, dyshohet se dy personat që kryen grabitjen me armë janë të moshës 22-27 vjeç.
Ata kanë qenë të veshur me pantallona xhinse, xhupa të shkurtër të zinj dhe me flokë të prerë shkurt. Policia ka ngritur postblloqe në akset dytësore dhe parësore të qytetit për arrestimin e autorëve. Mësohet se janë sekuestruar kasetat filmike të kamerave të sigurisë së një banke e cila ndodhet rreth 40 metra pranë vendngjarjes.