Kur dhe ku do të asgjësohen?/ Banorët e Porto Romanos në alarm: 2800 ton mbetje ende pa zgjidhje

Pas mbërritjes së rezultatit të analizave të kryera në një laborator të specializuar në Itali, se mostrat e marra nga 2800 tonët e mbetjeve industriale të kompanisë “Kurum” të depozituara këtu në Porto Romano të Durrësit janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, banorët e zonave përreth shprehen të shqetësuar për bashkëjetesën e rrezikshme me mbetjet, prej 15 muajsh.
Tashmë është fakt se këto mbetje, të mbajtura prej më shumë se një viti në kontenierë në Porto Romano, janë të rrezikshme.
Sipas rezultateve të ekspertimit të kryer në Itali në dhjetor 2025, mbetjet i përkasin kategorisë së pluhurit të furrës elektrike me qark, EAFD; të klasifikuara si të rrezikshme nga legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar dhe me përmbajtje shumë të lartë të zinkut dhe hekurit, të shoqëruara me plumb, bakër, mangan, kalium, kalcium dhe squfur.
Elementët përbërës konsiderohen të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.
Referuar analizave, në dosjen hetimore përshkruhet rreziku i toksocitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore.
LEXO EDHE: Skandali i mbetjeve të “Kürüm”, Prokuroria e Durrësit: Rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin
Prej rreth 15 muajsh, 2800 ton mbetje të rrezikshme vijojnë të qëndrojnë të depozituara në Porto Romano, ndërsa publikimi i analizave që i klasifikojnë ato si potencialisht kancerogjene ka ngritur alarmin tek banorët dhe ekspertët.
Ndërkohë, në dosjen hetimore ngrihen dyshime edhe për zhdukjen e sasive të tjera me mbetje të dyshimta në zonën e Elbasanit, duke shtuar indiciet për një skemë më të gjerë të menaxhimit të paligjshëm të mbetjeve industriale.
Policia e Durrësit njofton se deri më tani janë ekzekutuar 20 nga 33 masa sigurie.
PERSONAT E SHPALLUR NË KËRKIM
Erdal Demir, Administratori i “Kurum International” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” në 4 raste, “transporti i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumentave” ne 2 raste dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Yusuf Sezai Kurum, 46 vjeç Administrator me prokurë i “Kurum” – “”Menxhimi i mbetjeve”, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”
Harun Sarica, 42 vjeç, banues në Turqi; Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kurum” – “Menaxhimi i mbetjeve”
Mujo Ilazaj, Drejtori i Transportit në kompaninë “Kurum” – “Transporti i mbetjeve”.
Arif Shkalla, Drejtues në kompaninë “Kurum” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Mbarime Koroci, Aksionere e kompanisë “Alliance Resource” – “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Petrit Qosja, Person fizik në tregtinë e mbetjeve – “Menaxhimi i mbetjeve”.
Xhulio Golgota, Inspektor i Autoritetit Portual Durrës – “Shpërdorimi i detyrës”.
Dritan Seferaj, Drejtoria e Inspektim- Kontrollit, AKM – “”Shpërdorimi i detyrës”.
Doni Sokolaj, Administrator i kompanisë D.o.o Minerals – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Gjovana Sokolaj, Pronare e kompanisë “Sokolaj” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” në 4 raste, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Olizana Pemati, Ish- administratore e kompanisë “Sokolaj” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Ingo Hesse, administrator i kompanisë EMS APO – “Menaxhimi i mbetjeve”.
Pavarësisht hetimeve që vijojnë, mbetet ende e paqartë se kush do të marrë përsipër asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme dhe vendin ku do të asgjesohen.