E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur drita të ndjekë në hije

Nëse sëmundja do ta kishte kursyer, sot do të festonte 40 vjet jetë. Ndonëse i ikur fizikisht prej katër vitesh, Dritan çela nuk kalon në heshtje. I dhënë me pasion pas përkthimit, do ta shënonte emrin në gjurmë të kohës. çela lindi më 11 janar 1970 në Shkodër dhe mbylli sytë me 4 mars 2006 në Parma të Italisë. Kreu të mesmen në shkollën e gjuhëve të huaja, dega italisht dhe studimet e larta për Gjuhë e Letërsi Shqipe. Ai nisi të përkthente herët dhe tregimet e para të Buzzati-t i botoi para ’90-s. Pastaj spikati duke përkthyer autorë italianë, klasikë dhe modernë. Ata që e njohën nga afër, thonë se ishte i shoqërueshëm, por edhe modest, s’e kishte zakon “të ndillte” lavdërata për punën e tij letrare. Duke qëndruar larg bliceve dhe kamerave televizive, parapëlqeu të punonte në hije. Por është koha ajo që bën diferencat. Dhe koha tregon se ka shumë lakmitarë që, ndonëse me vlera të vobekta, nuk kanë të ngopur me publicitet, prandaj gjithnjë bëjnë yxhym pas dritës. Siç dëshmon se ka të tjerë, që drita i ndjek edhe në hije. Përkthimet e Dritan çelës janë cilësuar si të papërsëritshme, ata ribotohen e kërkohen edhe sot, duke bërë jetën aktive të kryeveprave.
Agron Tufa: Gjithë veprimtarinë e tij, Dritan çela e projektoi larg përditshmërisë sonë banale, larg telasheve e meskiniteteve vulgare që na takon të ndeshemi përditë. Ai kërkoi, mbase instinktivisht, kushtet e një vetmie të pandotur dhe arriti të na sjellë dritën e tij shpirtërore nga ky vetmim, larg atdheut. është një dritë që do të vazhdojë të përhapë rrathët e saj të paqtë sot, nesër, kurdoherë, sikundër e ka këtë veti vetëm drita e gjuhës që krijoi Dritani me shqipërimet e tij. Falë rravgimit të tij artistik, ne kemi mundësi ta ndjekim mikun tonë në udhëtimet e tij të magjepsura pas bukurive sublime: është porta që la hapur pas vetes Tani, një portë ku na fton të komunikojmë me mahnitë, brengat dhe rraskapitjen në jetën e afatizuar në këtë tokë.
Për të kuptuar mbresën që lënë te lexuesi përkthimet e Tanit, duhet të mbajmë fort parasysh një të vërtetë të madhe: personalitetin e përkthyesit. Dritan çela ishte organikisht njeri i kulturës, i rritur me ajrin e letërsisë. Ishte njeri i shtëpisë në këtë fushë, i familjarizuar me botën e shpirtit dhe intelektit. Ishte bir i civilizimit. Duke pasur një gatim të tillë, ai ishte ndër të rrallët që dinte të përkthente poezinë (të trishtë a të pikëlluar) të shpirtit njerëzor. Ndër përkthimet e shumta të Buzzati-t, Pirandello-s, Calvino-s apo Bariço-s, është pikërisht kjo cilësi e poezisë shpirtërore, ajo që i bën përkthimet e Dritan çelës të shijohen e të mbeten të pashqitshme nga kujtesa e lexuesit. Unë besoj se lexuesi i rafinuar ka ditur me kohë ta veçojë këtë cilësi në përkthimet e tij dhe t’u referohet, të këshillojë të tjerët që të mos humbasin në tymnajën e dendur të shqip-rrënimeve tona.
Arian Leka: Dritan çela është një përkthyes i paçmueshëm i italishtes. Vënia e këtij cilësori pranë emrit të përkthyesit, të shtyn të hamendësosh se bëhet fjalë për një të moshuar, ndërkohë që Dritani jetoi një moshë sferike, ku të gjitha pikat mblidheshin tek ai. Ishte vetëm 36 vjeç dhe zotëronte atë cilësi, që mes trupave qiellorë e kanë kometat, ndërsa mes njerëzve e gjejmë vetëm tek artistët e llojit të tij. Ai është përkthyesi që i kishte dhënë vetes lirinë të punonte me muzë, të përzgjidhte e të sillte në shqip vetëm ata autorë që kishin të njëjtin grup gjaku me të, t’i binte violinës për qejf të vet, të dëfrente pa bujë me këtë krijesë, bohemian në mënyrën se si luante dhe hynte në lidhje me jetën, si kënaqej me ato që e rrethonin, si pasionohej pas muzikës, fotografisë, me ethen që si duket i përndjek gjithë jetëshkurtrit që bëjnë dritë: ose të gjitha, ose asgjë!
E di, ai vetë kishte zgjedhur rrugë tjetër, fat tjetër, u ikte “dhuratave”, nuk kërkonte vëmendje, sepse kishte lindur me shenjën për t’u bërë dhurata të tjerëve dhe ashtu shkoi, duke mos na pasur asnjë borxh, por duke e lënë pengun te të gjithë ata që shfletuan librat e tij dhe pyesnin me kureshtje për njeriun që përkthen dhe e di kaq bukur shqipen.
Roland Sejko: Mik i mirë, përkthyes i shkëlqyer. Ndoshta përkthyesi më i mirë aktiv shqiptar nga italishtja në shqip. E di, kur dikush vdes, lëvdatat nuk kursehen, por ky epitaf për Dritan çelën nuk është lavdërim, as vajtim, është kërkimi i asaj që la pas, përtej kujtimeve. Në librat që ai pat zgjedhur të përkthente. Në ditën e vdekjes së tij, çuditërisht, gjej sensin e jetës dhe të rrugëtimit të ëmbël drejt vdekjes.
Përkthimi përrallor i shkon si epitet versionit italisht të përrallave shqiptare të Virgjil Muçit. Pakkush, në mos askush, mund të ishte përkthyesi më i përshtatshëm se Dritan çela, i cili pati sjellë më parë në shqip nga italishtja autorët e së ashtuquajturës “letërsi magjike” italiane. është për t’u veçuar fakti që, përveç Dritan çelës, asnjë shqiptar nuk është ngarkuar ndonjëherë nga botuesit italianë për të sjellë në italisht vepra të letërsisë shqiptare, që shpesh kanë kaluar nëpër gjuhë të tjera për të ardhur në Itali apo janë përkthyer nga italianë që kanë studiuar gjuhën shqipe. Rreth trembëdhjetë vjet pas botimit të “Fiabe e leggende albanesi” të Mitrush Kutelit, vjen libri “Fiabe albanesi” me njëzet e katër përralla të moçme shqiptare, në përkthimin e shkëlqyer të Dritan çelës.
Aleksandër çipa: Pohimi i shpeshtë i Dritanit: “Në Himarë ka gjithmonë thërrmija homerike dhe danteske”, më drithëronte. Shumë përkthime Dritani i bëri në Himarë, në vendlindjen e nënës së tij... Në brigjeplazhet e Himarës letërsia italiane të shijon aq sa kthjelltësia e detit. Dritani kishte një heshtje pulëbardhe, një heshtje gjideti. Zeshkan si gërxh. Ne notonim shpesh së bashku dhe prej distancës në thellësi të gjirit të Spilesë, kishim mundësi të flisnim më shumë për bregdetin, Himarën dhe thellësinë e saj, polifoninë dhe poezinë fine orale të zonës. Një ditë, ndërsa kishim ikur thellë detit, te gjiri i quajtur Sfajio, dhe po sodisnim ujin që përkëdhelte llërët tona, Dritani më thotë: “Calvino dhe Pirandello më kujtohen më shpesh kur vij në Himarë. Ndonëse tani lexoj Buzzati-n. Buzzati është dobësia ime... Sa e çuditshme, mjedisi familjar na është imponuar në mënyrë të natyrshme. Gjatë kohës që jemi bashkë, ti flet më tepër për poezinë dhe këngën himarjote, ndërsa unë çmendem për prozën. O Zot, sa i madh është Buzzati.”
Rudolf Marku: Kur Dritan çela zgjodhi nga biblioteka kaotike e letërsisë botërore “Shkretëtirën e tartarëve”, me këtë tregoi se kishte një prirje të hershme moderne drejt shkrimtarëve, të cilët mund t’i quash pa frikë bashkëkohësit tanë, drejt veprave që e kishin prej kohësh vendin bosh në bibliotekat tona. Përkthimi është bërë me një përgjegjësi të madhe, me mjeshtëri dhe dashuri për vetë veprën. Dritan çela dëshmoi kështu se është jo vetëm përkthyesi i vetëm i Buzzati-t, por dhe se është njohësi më i mirë i këtij shkrimtari, në atë shkallë sa duket qartë se përkthyesi nuk është ndrojtur ta marrë përkrahu Buzzati-n dhe t’ua paraqesë pa asnjë kompleks inferioriteti të tjerëve.  Visar Zhiti: Përkthyesi i talentuar me gjen shkrimtari, Dritan çela (edhe nëse mund të gjendet në ndonjë rast tjetër fjalë), ka përkthyer më të vështirën: frymën e veprës si një poezi të trishtë, e dalë nga thellësitë dhe, si e tillë, disi misterioze e me një lodhje krenare.
Leka Ndoja: Kryeveprës “Një dashuri” të Dino Buzzati-t i përgjigjet si kryevepër përkthimi i Dritan çelës. Shkolla shqiptare e përkthimit, nëpërmjet mjeshtërve të saj të nderuar, ka sjellë jo vetëm vlera të paharrueshme, por edhe pasues të denjë. I tillë është Dritan çela, që tashmë bën pjesë në elitën e përkthyesve tanë... Ky është rezultat i kompletimit fatlum të përkthyesit, një kompletim që jep mundësi ta sublimojë në art një vepër të atillë, e cila me siguri nuk do t’i shpëtonte masakrës së radhës nga amatorët e papërgjegjshëm të përkthimit.
Virgjil Muçi: Duke vlerësuar faktin se kemi të bëjmë me një nga tekstet letrare më të sofistikuara të krijuara ndonjëherë (unë vetë e kam të vështirë të sjell ndër mend një vepër të ngjashme me “Komikat kozmike”), e gjej me vend botimin e librit të shoqëruar me një intervistë të Calvino-s, ku vetë autori rreket të shpjegojë mekanizmin e ndërlikuar të veprës së tij. I mirënjohur me shqipërimet e veta, Dritan çela na dha me Komikat një dëshmi të pjekurisë së vet letrare, jo vetëm si përkthyes, por edhe si njohës e çmues i letërsisë italiane dhe mjeshtërve të saj, ndër të cilët Calvino është pa dyshim më i madhi i shekullit që lamë pas”.
Bardhyl Londo: Në librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” shkrimtari Z. çela ka ditur të krijojë një Dritan - personazh të papërsëritshëm, siç diti të krijojë një Tan - bir jo vetëm atlet të jetës, por edhe një kampion i artit më të vështirë, atij për të qenë Njeri. Libri mbetet një rrëfim tronditës për jetën e vdekjen, por sidomos për marrëdhëniet njerëzore. Binomi atë e bir në këtë libër është një nga mrekullitë njerëzore që mund të ketë jeta mbi tokë, dhe një nga marrëdhëniet më prekëse që mund të ketë letërsia e arti. Libri, ashtu si jeta dhe vdekja e Dritanit, ka me të vërtetë një frymë jashtëtokësore, që të kujton skenat madhështore të tragjedive të antikitetit. Në të marrin pjesë njerëz të gjallë e të vdekur, njerëz të njohur e të panjohur, njerëz të zakonshëm e personalitete politike, poetë e kryeministra, shkrimtarë e ministra. Në të merr pjesë toka, por edhe qielli, zymtësia e spitaleve, por edhe sendet e përditshme të jetës, që na kujtojnë se njeriu është njeri dhe pikërisht për këtë ai ka diçka prej perëndie.
Ishim mësuar të kishim një Tan djalosh të talentuar dhe njeri të papërsëritshëm, tashti kemi edhe një Tan personazh po aq të bukur e njerëzor. Dhe ndërsa perënditë u treguan të pamëshirshme, duke na e marrë Tanin njeri për të zbukuruar veten, ato janë të pafuqishme për të na e marrë Tanin personazh, personazh të një vepre sa unikale, aq dhe universale.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›