E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skuadra tërhiqet nga Kupa e Afrikës

Dy pjesëtarë të përfaqësueses së Togos kanë humbur jetën pas sulmit me armë ndaj autobusit të skuadrës, që u regjistrua të premten në kufirin ndërmjet Kongos dhe Angolës. Gjatë sulmit që zgjati për afro 30 minuta, mbeti i vdekur në vend shoferi i autobusit, ndërsa tetë pjesëtarë të skuadrës u plagosën. Prej plagëve të rënda që kishin marrë, në orën 04:00 të mëngjesit të së shtunës nga jeta u ndanë edhe shefi i zyrës së shtypit, Stanislas Oklo dhe zv/trajneri i skuadrës, Abalo Amnalet. Në gjendje mjaft të rëndë është edhe portieri Kodjovi Obilale, i cili është transferuar me urgjencë në Johanesburg (Afrikë e Jugut) dhe po lufton për jetën. Pas kësaj ngjarjeje, skuadra u tërhoq nga Kupa e Afrikës. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarët togolezë, të cilët konfirmuan vendimin e marrë nga federata pas konsultimeve me futbollistët. Ndërkohë, aktiviteti më i rëndësishëm për kontinentit afrikan do të startojë normalisht sot në Angola. Emanuel Adebajor, kapiteni i Togos dhe një prej yjeve të Mançester Sitit deklaroi: “E diskutuam atë që ndodhi me skuadrën dhe morëm vendimin më të drejtë për jetët tona, për familjet, por edhe për karrierat. Në fund të fundit, ky është vetëm një sport dhe nuk ia vlen të humbasësh jetën”. Ai shtoi se “shumë lojtarë kërkuan të largoheshin: panë vdekjen me sy dhe kërkonin me çdo kusht të ktheheshin te familjet e tyre”. Masakra ndodhi në kufirin ndërmjet Kongo Brazavil e Angolës. Përgjegjësinë për ngjarjen e morën luftëtarët rebelë të Flec (Fronti për çlirimin e Enklavës së Kabinadas). Ata luftojnë për pavarësinë e Kabinadas, e cila është një krahinë në veri të Angolës, mbi lumin Kongo dhe shumë e pasur me naftë. Prej vitesh në këtë zonë po zhvillohet një luftë e përgjakshme për shkëputjen nga Luanda.
Megjithatë që ndodhi, komiteti organizator i Kupës së Afrikës në Angola ka ndezur një polemikë: sipas Cocan-it, përgjegjësi për ngjarjen ka edhe federata togoleze. Virgjil Santos, njëri prej anëtarëve të komitetit, deklaroi: “Togo ishte skuadra e vetme e cila nuk na njoftoi se do të udhëtonte me autobus. Rregullat e përcaktuara që prej fillimit ishin të qarta: askush nuk duhej të udhëtonte me autobus”. Të njëjtin qëndrim ka shprehur edhe Federata Afrikane e Futbollit (CAF). Sulejman Habuba, përgjegjësi për komunikimin në këtë institucion, tha: “Rregullorja është shumë e qartë: skuadrat duhet të spostohen me aeroplanë”. Ndërkohë, qeveria e Angolës ka premtuar se do të bëjë të pamundurën “për të garantuar sigurinë e lojtarëve dhe të aktivitetit” dhe e ka cilësuar ngjarjen “një akt terrorist”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›